Më 29 Mars: Kush (nuk) do të festojë?

March 30, 2009   | Shoqëria / Društvo

e2809clook-ute2809dKështu gruaja në këtë fushatë parazgjedhore, mund të ketë një vend në fotografi! Edhe mund të vë dorën në zjarr, që veç hatri i “look-ut”, përveç ndonjërës, ka pasë mundësi t’i ndëgjohet zëri për ndonjë minutë të shpejtuar.
Po afrohet edhe një ditë feste. Dikush do të festojë dhe si gjithmonë ka nga ata të cilëve nuk ju përket kjo festë. Megjithatë, ne, shqiptarët, ka mundësi që të tregojmë shpirtin fisnik dhe t’ju urojmë festën atyre që festojnë, por ka mundësi t`ju dërgojmë edhe ndonjë të sharë apo mallkim…
Do të jetë ditë pushimi. E kam parasysh, shumica e “burrave” do të dalin në çarshi dhe do të bisedojnë për 5 palë qejfe. Qoftë edhe të padisponuar ata do të festojnë, do të pijnë kafe, do të çojnë ndonjë gotë, do të japin 1 milion propozime dhe po aq zgjidhje se si do të duhej të kishin shkuar punët. Po tani, kur mendoj më mirë, e di se kohët e fundit ky ka qenë edhe angazhimi kryesor i burrave! Bile, nga pamja e njëjtë që servohej çdo ditë të javës në kafenetë e qytetit, mendoja mos kam – déjà vu – …
Nejse, ata që patjetër nuk do të festojnë, do të jenë gratë, dhe jo vetëm ato shqiptare, përveç ndonjërës që feston hatri i burrit, ose që burri i kërkon të festojë me të ( me ndonjë përjashtim ). Bile mund të mendoj se mu ato do të jenë edhe të trishtuara, sepse kjo ditë feste do të thotë edhe 4 (apo disa) vite bashkëjetesë me …
Mirëpo tani, dua të gjej ditët kur gruaja feston . Të marrim festat si Bajrami, Krishtlindjet, Viti i Ri? Joo, në atë kohë është puna më e madhe,ato janë ditë të ngjeshura me pastrim, larje, fshirje, rregullim, gatim dhe shërbim! Ndonjë festë tjetër që ndryshon gjendjen s’më bjen ndër mend, përveç njërës, 8 Marsit! Ata që e shndërruan këtë datë në ditë feste qofshin të lavdëruar! Fatmirësisht, 8 marsi që kaloi i ra të jetë ditë pushimi dhe kështu shumë gra patën rast të festojnë. Do të duhet të kalojë edhe 1 vit deri sa t’i shohim gratë që të shkëlqejnë si atë ditë.
Megjithatë, zëri i tyre nuk ndihet askund. Ata me qetësinë, durimin dhe dashurinë përpijnë ditët që shpesh nuk kanë shije. Ky angazhim i burrave për të ndryshuar realitetin tonë, për të sjellë ditë më të mira për fëmijët tanë , më duket se synon – për të sjellë ditë më të mira fëmijëve tanë meshkuj!- … sepse realiteti i tillë është, çdo frymë të re që një grua mund të sjellë , është e padëshirueshme sepse nuk përputhet në mentalitetin mashkullor që mbizotëron vendin. Kështu që, gruaja në këtë fushatë parazgjedhore, mund të ketë një vend në fotografi! Edhe mund të vë dorën në zjarr, që veç hatri i “look-ut”, përveç ndonjërës, ka pasë mundësi t’i ndëgjohet zëri për ndonjë minutë të shpejtuar. Sikur të zgjedhurit tanë të kishin menduar më mirë, ndoshta ishin vetëdijësuar se sa kuptim ka prania e gruas-bashkëshorte në paraqitjet e tyre, por kjo është çështje tjetër …
Studimet kanë treguar që femrat dhe meshkujt nuk dallojnë në inteligjencë apo aftësi.Mirëpo, që femrat janë edhe më inteligjente, vlen për femrat tona, të cilat me zgjuarsi, duke u bazuar në atë shprehjen popullore “ burri është burrë “ (apo ishte ndryshe kjo thënie?!), me mirësjellje dhe edukatë po ua lëshojnë udhën, terenin, burrave të merren me këto punë kaq impenjuese për të ardhmen tonë të ndritur.
Duke e ditur se shumë burra në këtë kohë marrin urime për të ngadhënjyer në garë, unë shfrytëzoj rastin të uroj gratë (minimalisht ) që t’ju falë Zoti durimin, dashurinë, të përkujdesen për familjen dhe fëmijtë, t’ju falë Zoti fuqinë për të arritur qëllimet që i kanë si dhe të presin shumë e shumë 8 marse dhe në një numër më të madh, ishalla, të kenë rastin të paktën një herë në vit të festojnë.
Ardita Kovaçi
Koha Javore

1