Si kalovën zgjedhjet parlamentare në Ulqin

March 30, 2009   | Politika

votimet-29-marsit-ne-ulqinMalazezët dhe shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi u janë drejtuar dje kutive të votimit, për të zgjedhur partinë që do të qeverisë vendin për katër vitet në vijim. Por në këto zgjedhje parlamentare të parakohshme, që po zhvillohen pas një pakti pozitë-opozitë (kur u miratua Kushtetuta një vit më parë, por dhe për shkak të krizës ekonomike në vend, shqiptarët rrezikojnë pjesëmarrjen në Parlamentin e ri të Malit të Zi, pasi klasa politike shqiptare është përçarë në 7 parti politike, ku 6 prej tyre janë në garë elektorale. Kjo situatë, kur votat e 30 mijë shqiptarëve në Mal të Zi shpërndahen në 6 parti, rrezikon që asnjëra të mos e kalojë pragun prej 2500 votash që i duhet një partie për të nxjerrë një deputet, sipas rregullit proporcional. Procesi Qendrat e votimit në Mal të Zi janë hapur që në orën 8 të mëngjesit, kur kanë pritur votuesit e parë. Pjesëmarrja në trevat ku jetojnë shqiptarët, krahasuar me votimin për referendumin mbi ndarjen e Malit të Zi nga Serbia duket shumë më e vogël.
Nga të dhënat jozyrtare deri në orën 17 të ditës së djeshme, në Ulqin kishin votuar vetëm 18% e zgjedhësve, ndërkohë që në orën 21 të gjitha qendrat e votimit në Mal të Zi u mbyllën. Votimet kanë vazhduar normalisht në 59 qendrat ku votojnë shqiptarët, veç disa përplasjeve të izoluara mes simpatizantëve.
Përçarja Shqiptarët kanë dalë në këto zgjedhje, duke rrezikuar që zëri i tyre të përfaqësohet në Parlamentin e ardhshëm. Sapo kalon pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, në fshatin e parë të populluar nga shqiptarët, në Kryth, vërehet qartë gara midis shtabeve elektorale që organizohen në mënyra të ndryshme. E njëjta situatë është edhe në qendrën e Komunës së Ulqinit. Në zyrat e çdo partie janë ngritur shtabet elektorale dhe çdo parti shprehet optimiste për fitore. Bie në sy se në gjitha shtabet elektorale të partive shqiptare, krahas flamurit partiak është vendosur edhe flamuri shqiptar, që duket se është gjëja e vetme e përbashkët e tyre. Deklaratat duke folur për gazetën “Shqip”, kandidatët që ndodhen në krye të listave të partive shqiptare, shprehen se do të ngrenë zërin për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, por në të njëjtën kohë, partitë fajësojnë njëra-tjetrën për përçarjet e krijuara.
Të gjitha pranojnë se, nëse shqiptarët do të kishin dalë me më pak parti, nuk do të rrezikonin pjesëmarrjen në Parlament. Kreu i Partisë Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Mehmet Bardhi, i cili është aktualisht deputet, thotë se shqiptarët në Mal të Zi kanë shumë probleme për sa u përket të drejtave të tyre. Sipas tij, territoret shqiptare qëllimisht po u shiten joshqiptarëve. “Kjo është një ndër arsyet më të forta që Lidhja Demokratike do të punojë më shumë”, tha Bardhi.

Ndërsa Armir Hollaj, kryetari i koalicionit shqiptar “Perspektiva” shprehet se shqiptarët rrezikojnë të mos marrin asnjë vend në Parlament, për shkak se nuk arritën të bashkoheshin, “ndaj dhe ‘Perspektiva’ lidhi koalicion  me Alternativën Shqiptare, me qëllim bashkimin e votave, në mënyrë që të kërkojmë me këmbëngulje respektimin e të drejtave tona në Mal të Zi”.

Ndërsa nënkryetari i Partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve, njëherazi kandidat për deputet, Meto Zeka, shprehet se është fatkeqësi që dolën 6 parti në garë dhe nuk u arrit një koalicion i gjerë. “Rruga e Malit të Zi për në BE dhe NATO kalon te respektimi i pakicave. Në këtë kontekst, shqiptarëve në Mal të Zi u duhet ndihma e shqiptarëve të Shqipërisë, të Kosovës dhe Maqedonisë për të fituar më shumë të drejta”, u shpreh Zenka.

Numri dy i Partisë Forca e Re, Genc Nimanbegu, u shpreh se partia e tij ka marrë përsipër dhe do realizojë bashkimin dhe integrimin e të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi, duke u siguruar mirëqenie dhe sa më shumë të drejta.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, duke folur për “Shqip”, tha se “përçarja është një sindromë e shqiptarëve, si në Shqipëri, ashtu edhe Maqedoni, por në Mal të Zi kjo ndihet më shumë, pasi jemi më të pakët në numër.
Ardi Hoti
Gazeta Shqip

YouTube Preview Image