Deklaratë e Mehmet Bardhit, kryetar i Lidhjes Demokratike

April 11, 2009   | Shtypi / Mediji

mehmet_bardhi_ulqin_mali-i-ziMehmet Bardhi, përfaqësuesi i LISTËS SHQIPTARE hyri në Parlamentin e Malit të Zi nëpër derë të madhe të ndershmërisë, rregullsisë , e jo të turpit.
Deklaratë
e Mehmet Bardhit, kryetar i Lidhjes Demokratike dhe tashmë deputet i LISTËS SHQIPTARE: Lidhja Demokratike & Alternativa Shqiptare, në Kuvendin e Malit të Zi
Megjithë presionet e shumta e të ndryshme kundërligjore, kundra etikës demokratike, madje në mjaft raste edhe asaj njerëzore, nga jashtë e nga brenda, parregullsive dhe veprimeve të kryera në terren, të cilat do t’i faktojmë, e me një pjesë të të cilave e njoftuam dhe Zyrën e OSBE-së në Podgoricë, në kundërshtim me ligjin, e sidomos me Ligjin për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, nga struktura pushtetmbajtëse, që i bënë në mënyrë kontinuitive, para e sidomos në vigjiljen e zgjedhjeve, po madje edhe në vetë ditën e mbajtjes së zgjedhjeve (nga ofertat e premtimeve të ndryshme të rrejshme e primitive e deri te kërcënimet… që do të mbesin pa vendet e punës etj, nga shpërndarja e tonelatave të çimentos e dhjetra dhjetra mikserëve me beton, vauçerëve telefonikë, kabllove, zarfëve… etj. etj.), shantazheve e shpifjeve në adresë të subjekteve tona dhe funksionarëve e individëve të subjeteve të Listës sonë, që si kundërshërbim t’ju rrembejnë e grabisin votën, LISTA SHQIPTARE: LD në MZ dhe ASH hyri në Kuvendin e Malit të Zi nëpër derë të madhe të ndershmërisë, rregullsisë, demokracisë e jo të turpit.
Për këtë, në emër të LISTËS SHQIPTARE, dua nga zemra të falënderoj e të përshëndes votuesit, përkrahësit e vërtetë, të sinqertë, atdhedashës, të qëndrueshëm e demokratë që më votën e tyre të pastër e të guximshme, mundësuan praninë tonë edhe në këtë legjistlaturë në Kuvendin e Malit të Zi. Po ashtu përshëndes dhe falënderoj aktivistët e këtyre dy subjekteve politike që dhanë çdo gjë fisnike me gjithë qenien e tyre në këtë periudhë fushate. Përshëndes të gjithë diasporën e cila ishte në përkrahje të subjekteve shqiptare dhe e cila uroi e dëshiroi suksesin e të gjithë shqiptarëve, pa anshmëri dhe iu them atyre ca individëve militantë e të papërmbajtur në mllefin e armiqësinë kundër nesh, se ashtu nuk arrihet në cakun e kthijelltësisë kombëtare e as demokratike.
Të nderuar qytetarë, posaçërisht ju votues të LISTËS SHQIPTARE, ju japim fjalën se në asnjë çast nuk do t’ju zhgënjejmë, ashtu si nuk ju zhgënjyem as deri tash. Do të jemi përfaqësuesit e vërtetë të interesave Tuaja, të programit tonë të qartë konsekuent kombëtar e demokratik, për integrime euroatlantike, e jo tregtarë të shpirtrave të shitur .
LISTA SHQIPTARE do të jetë e hapur dhe e gatshme, si gjithëherë deri sot, për bashkëpunim të sinqertë në programin e interesave kombëtare, prosperitetit dhe integrimeve, në Parlament, jasht tij e më gjerë.