Kriza prek turizmin në Malin e Zi,Qeveria: Pronarë ulni çmimet

April 11, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

grande-plage-de-ulcinj_montenegro3Kriza ekonomike duket se ka ndikuar edhe në sektorin e turizmit në Malin e Zi. Kryeministri Gjukanoviç shprehet pesimist për numrin e turisteve të huaj që do vizitojnë këtë verë vendin
PODGORICE- Kriza ekonomike botërore po ndikon negativisht në numrin e turistëve të cilët do të kalojnë këtë vit pushimet në Malin e Zi. Kryeministri malazez Millo Gjukanoviç, shprehet se është pesimist lidhur me numrin e turisteve të cilët do të vizitojnë gjatë verës Malin e Zi.
“Kjo është vërtet një krizë shumë e rëndë, ndoshta më e keqja ndër vite. Duhet të shpresojmë se ekonomia globale do të fillojë të ringjallet në vitin 2010, ndërkohë në po jetojmë në një prej periudhave më të vështira. Asnjë lloj industrie, përfshi këtu edhe atë të turizmit nuk mund të funksionojë si më parë” shprehet kryeministri i Malit të Zi.
Edhe hoteli në Budva, ku një vit më parë qëndroi ylli i muzikës pop Madona, është thuajse bosh dhe numri i prenotimeve është mjaft i vogël. Edhe pronarët e hoteleve të tjerë ankohen se numri i prenotimeve ka rënë për shkak të krizës financiare në Rusi.
Qeveria në Podgoricë i ka kërkuar hotelierëve dhe pronarëve të restoranteve që të ulin çmimet duke filluar nga vendet e parkimit. Duke ulur çmimet, operatorët turistikë shpresojnë që të tërheqin sa më shumë vizitore nga ish vendet e Jugosllavisë. (a.r/balkanweb)