Intervistë me këngëtaren Hana Cakuli

April 14, 2009   | Lajmet / Vijesti

hana-cakuli_ulqin_mali-i-zi3

E madhe në një vend të vogël

Nga ky vend i vogël siç është Ulqini talentët e artit dhe të kulturës nuk mund të presin që dicka të jetë e përkrahur, e përfaqësuar në nivele më të larta dhe si mundësi për të ecur përpara pavarësisht sa i kanë dhënë qytetit të tyre si ambasadorë të vërtetë, por pasioni i tyre bën që ata të jenë në skenë, të kenë përkrahësit e tyre dhe ata ua dinë emrat meqë kanë një axhendë shumë të ngarkuar. Si emër i njohur për artdashësit e muzikës në të gjitha trojet shqiptare është edhe Hana Cakuli. Një vajzë e lindur në qytetin e lashtë të Ulqinit edhe pse në moshë të re ( 20 vjet ), krahas mësimit dhe studimeve zgjodhi muzikën nga ku dëgjohet me ëndje prej fansave të saj. E re, por tashmë e njohur në muzikë ajo i ka hedhur hapat e saj në hapësirën gjithëshqiptare, duke shënuar kështu 7 vjet të punës e të aktivitetit muzikor. Që nga paraqitja e parë e saj, kjo ulqinake e re shpejt u bë e njohur me shpirtin e saj të butë e talent, duke mos u ndalur në rrugën e nisur, në udhën e bukur të këngës. Kështu paraqitja e saj në skenën e muzikës si një artiste e vërtetë bëri që edhe qyteti i Ulqinit të prezantohet kudo në trojet shqiptare, me çka dëshmoi se edhe këtu ka talentë të mirëfilltë për shumë fusha të jetës. Kjo është ajo që e bën të njohur Hanën, por edhe Ulqinin, me çka këngët e saja mbeten përherë të paharruara dhe vazhdojnë të dëgjohen duartrokitjet frenetike të spektatorëve që e shoqërojnë kudo atë.

Me një fëmijëri krejt ndryshe nga të tjerët falë kushteve dhe përkrahjes që i japin prindërit, Hana diti të mirëkuptojnë artdashësit kur me këngët e saja e zërin melodik arriti të përvehtësojë shumë adhurues kudo që është paraqitur. Duket se gjithë punën e saj në muzikë e ka marrë përsipër për ta bërë vetë edhe pse ka një numër përkrahësish që e mbështesin në këtë rrugë.

Gjithë sharmin e vet Hana vazhdon ta ndjekë edhe në realizimin e këngëve të saja, vazhdon të jetë e pranishme kudo në trojet shqiptare për të dhënë ate që fansat e saj e kërkojnë, thjeshtësinë, melodinë, shpirtin e saj të ëmbël e zërin e saj melodik.

Biografia-hana-cakuli_ulqin_mali-i-zi1

Hana u lind më 26 maj 1989, në Ulqin,

Kreu Shkollën Fillore “Marshal Tito” në Ulqin, shkollën e mesme për tre vite në Gjimnazin “Vëllazërin-Bashkim” në Ulqin, për të vijuar vitin e fundit të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë,

Tani është studente në Universitetin Amerikan të Kosovës.(AUK).

Koha Javore: Kur ka filluar Hana të merret me muzikë?

H. Cakuli: Të merrem me muzikë kam filluar në moshën 13-vjeçare. Se kam prirje për muzikë këtë ma kanë hetuar së pari profesorët e muzikës në shkollë ku zhvilloheshin gara të këndimit në klasë. Kurse, momenti kur unë u zbulova realisht ishte një garë në një emision në Radio Elita ku kënga ime u shpall fituese dhe këtu fillova karrierën time.

Koha Javore: Kush Ju ndihmon për pjesëmarrje në koncerte, nga i merr tekstet, me cilin kompozitor bashëpunon?

H. Cakuli: Deri tani kam punuar me kompozitorët Armend Rexhepagiq, Florian Mumajesi, Genti Lako; me producentët Ilir Osmani dhe Florent Boshnjaku. Tekstet në të shumtën e rasteve m’i kanë shkruar Aida Baraku, Kastro Zizo, Ardit Roshi etj. Ata që më kanë ndihmuar më së shumti për pjesëmarrje në koncerte kanë qenë dhe janë familja ime, si moralisht ashtu edhe për paraqitjen time.

Koha Javore: Po profesionalisht, kur është paraqitur Hana për herë të parë në skenën e muzikës. Cilin lloj të muzikës e preferon?

H. Cakuli: Nëse flasim profesionalisht dhe me një pjekuri të zërit, paraqitja ime e parë ishte në Top Fest 3, ku jam paraqitur me këngën time “Natën kaloje me ne”.

Llojet e muzikës që më pëlqejnë janë: Pop, Rock, Alternative, Soul, Jazz, Blues …

hana-cakuli_ulqin_mali-i-zi

Koha Javore: Ku jeni paraqitur deri më tani?

H. Cakuli: Deri më tani jam paraqitur në Festivalet: Top Fest 3, 4 dhe 5, Kënga magjike 2007 dhe 2008, Video Fest 2008, si dhe në garat republikane të solo këndimit në Mal të Zi, 2006.

Koha Javore: Cili është suksesi i juaj më i madh?

H. Cakuli: Ajo që më kënaqë dhe më bën të lumtur në këto momente është arritja deri tek emocionet e publikut nga të cilët kam marrë komplimente dhe më thonë se u pëlqejnë këngët, zëri, tekstet dhe gjërat e tjera në përbërjen time si këngëtare.

Koha Javore: A i ka hedhur në treg këngët e saja Hana?

H. Cakuli: Këngët e mia janë hedhur në treg në kompilacionet e Festivaleve Top Fest dhe Kënga magjike. Krahas kësaj kam punuar edhe një CD me këngë popullore të orkestruar në zhanrin jazz , një lancim ky i Koha TV të Kosovës me rastin e Vitit të Ri 2008, ku isha pjesë e një kuarteti, bashkë me Flaka Krelanin, Yllka Kuqin e Fitore Gjonbalën.

hana-cakuli_ulqin_mali-i-zi4

Koha Javore: Cila është kënga që i ka dhënë emër Hanës dhe çka paraqet ajo për të?

H. Cakuli: Kënga e cila më ka ndihmuar të njihem më shumë, dhe mund të them se i ka dhënë vulë emrit tim, është “ U shërova”. Kjo këngë për mua paraqet një kënaqësi dhe sukses të veçantë për faktin se të njëjtën e shijoj edhe sot e kësaj dite.

Koha Javore: Do të kishit dëshirë të organizonit ndonjë spektakël dhe ku?

H. Cakuli: Pse jo. Do ta bëja kudo, vetëm të ishte një spektakël serioz, me ide të bukura dhe ekip profesional.

hana-cakuli_ulqin_mali-i-zi5Koha Javore: Sa jeni e kënaqur me publikun?

H. Cakuli: Jam jashtëzakonisht e kënaqur. Për këto tre vite sa jam në skenën e estradës shqiptare më pëlqen reaksioni i tyre. Shpresoj të vazhdojmë kështu.

Koha Javore: Si e ndjeni veten në mesin e këngëtarëve të tjerë të muzikës shqiptare dhe kë do të veçonit?

H. Cakuli: Ndihem në mesin tim. Më pëlqen të bisedoj me ta për të shkëmbyer mendime së bashku, sepse janë ata që më kuptojnë më së miri në të shprehurit tim artistik, meqë edhe ata kalojnë nëpër të njëjtat rrugë e sakrifica. Nuk di kë të vecoj më parë. Ka shumë …

Koha Javore: Jeni gjithmonë në formë për t’ju admiruar. Sa kohë të kushton kjo?

H. Cakuli: Sigurisht se kërkon kohë. Për këtë duhet rregull. Duhet kujdesur për vetën, për përshtatjen e veshjes me këngën e cila gjithashtu kërkon kohë për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë para publikut.

Koha Javore: Jeni tri motra, gjithmonë të veshura bukur. A konsultoheni me njëra-tjetrën?

H. Cakuli: Faleminderit. Po konsultohemi patjetër. Motrat dhe nëna janë ato me të cilat këshillohem për veshjet e mia në skenë, por edhe për veshjen tonë në përgjithësi.

Koha Javore: Planet tuaja për të ardhmen?

H. Cakuli: Dëshiroj që me punë konstante të vazhdoj të prodhoj këngë sa më cilësore për të lënë diçka të bukur në muzikën tonë.

Quajeni si të doni, por Hana Cakuli me elegancën, me këngët e veta ka pushtuar thuajse të gjitha ekranet televizive, duke sfiduar të gjithë, e sidomos ata që nuk kanë besuar në talentin e saj, një vajzë imcake që një ditë do të bëhet edhe më e famshme. Ajo premton shumë.

Lexo më shumë për Hana Cakulin

Intervistoi Shaban Peraj

Koha Javore


YouTube Preview Image

1