Shqipëria dhe Mali i Zi merren vesh për rregullimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe shenjave të tjera kufitare përgjatë kufirit malazezo-shqiptar

April 14, 2009   | Rajoni / Region

dragan-djurovicSë shpejti nënshkrimi i Marrëveshjes
Podgoricë – Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë mbi ripërtëritjen, rregullimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe shenjave të tjera kufitare përgjatë kufirit malazezo-shqiptar do të nënshkruhet së shpejti.
Kështu është rënë dakort në rrethin e parë të bisedimeve të zhvilluara të premten në Podgoricë ndërmjet delegacioneve të Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë me qëllim të hartimit dhe përfundimit të këtij dokumenti.
Delegacioni i Malit të Zi në këtë takim është udhëhequr nga Dragan Gjuroviq, kryetar i Komisionit për kryerjen e punëve të përvijimit dhe të caktimit dhe të kufirit shtetëror, si dhe përgatitjes për nënshkrim të marrëveshjeve ndërkombëtare mbi kufirin shtetëror, kurse ai shqiptar nga Sami Shiba, drejtor i Drejtorisë për Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi kanë njoftuar se në takim është harmonizuar teksti i marrëveshjes, nënshkrimi i së cilës do të bëhet “sa më parë në Tiranë”.
“Me nënshkrimin e Marrëveshjes do të konfirmohet shkalla e lartë e bashkëpunimit të mirë fqinjësor dhe miqësor dhe do të avancohen edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve”, kanë deklaruar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi.
Në bisedime ka marrë pjesë edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Tonin Beci.

Kohapress