Ura e Klleznës, monument i pambrojtur

April 14, 2009   | Kulturë / Kultura

ura-e-klleznes_ulqin_mali-i-ziNë çdo mjedis të qytetëruar, një monument kulture, siç është Ura e Klleznës, jo vetëm se do të mbrohej me ligj, por vazhdimisht do të kishte mbikqyrje nga ekspertët përkatës për ta mirëmbajtur duke mos lejuar që të humbuin vlerat arkitektonike dhe artistike, sepse monumentet janë historia e një mjedisi
Nga kohërat më të hershme e deri në ditët tona në mjedise të caktura, në sajë të pengesave të rrjedhave ujore për qarkullim dhe komunikim janë ndërtuar ura të ndryshme, të cilat me kalimin e kohës me të drejtë janë quajtur vepra të artit.Në këtë aspekt në të kaluarën edhe në Anë të Malit janë ndërtuar një numër i konsiderueshëm urash të cilat kanë mundësuar qarkullimin pa pengesa të udhëtarëve. Ne këtë aspekt ura më e njohur në këtë mjedis është ura e ndërtuar në fshatin Kllezën, që më të drejtë mund ta quajmë monumentin më impozant të kësaj natyre jo vetëm në këtë mjedis por edhe më gjërë.

Urë mesjetare me vlera arkitektonike

Ura e Klleznës është urë guri mbi përroin e Megjyreçit, e ndërtuar ne vitin 1696, në Klleznën e Naltë(komuna e Ulqinit).Ajo ka këto dimensione:gjatësi 12m, gjerësi 3,60m, lartësia nga fundi i përroit 9,26m, trashësia e gurëve te çëlësi 0,80m.Në lidhje me ndërtimin e kësaj ure ekziston një rrëfim interesant që është përcjellur nga njëri brez në tjetrin deri në ditët tona. Thuhet se mjeshtri i cili e ka ndërtuar këtë urë ka qenë dibran.Atij i është ofruar një punë e tillë nga banorët e këtij fshati më parë, por pasi ai ka ardhur dhe ka parë vendin, ka thënë se gëlqerja e cila do të përdoret për ndërtim duhet të qëndrojë në gropë 15 vjet.Ai ka dhënë premtimin se pas 15 vitëve do tëparaqitet përsëri dhe do ta ndërtojë këtë objekt. Dhe pikërisht pas 15 vjetëve ka ardhur mjeshtri dibrani së bashku me një punëtor tjetër dhe e kanë ndërtuar këtë urë. Me të ndërtuar urën mjeshtri është vrarë dhe është varrosur në afërsi të xhamisë, ku edhe sot ekziston varri.Thuhet se atë e ka vrarë për motive të dobëta ish punëtori i tij. Kjo urë edhe pse është monument kulture unik jo vetëm në Anë të Malit por edhe për tërë Komunën e Ulqinit, nuk e ka trajtimin e monumentit me mbrojtje ligjore.

ura-e-klleznes_ulqin_mali-i-zi1
Monument pa mbrojtje ligjore

Nepër këtë urë që nga ndërtimi i saj kanë qarkulluar banorët e Klleznës, por edhe të tjerë të cilët kanë udhëtuar nga kjo anë për në Ulqin e gjetiu. Ndërsa me rastin e ndërtimit të rrugës Ulqin-Krythë në vitin 1954, pranë kësaj ure është ndërtuar ura e re për qarkullim të mjeteve të komunikacionit, dhe nga ajo kohë ura e vjetër humbi vlerat e mëparshme duke u bërë dytësore.
Në atë gjendje që ishte nga koha e ndërtimit nuk është bërë ndonjë intervenim apo restaurim i saj, ndërsa në vitin 1982 ajo pësoi goditje sepse mbi të u vendosën gypat e ujësjellësit të Millës. Ata janë vendosur pasi janë hequr gurët duke krijuar kanalin përkatës. Ndodhi mrekullia sepse ura nuk pësoi dëme të konsiderueshme, edhe pse një gjë e tillë ka mundur të ndodhë në çdo moment.
Po të kishte pasur trajtimin e monumentit të kulturës, kuptohet të mbrojtur më ligj, një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur. Por, as tash nuk është vonë të ndreqet një gabim i tillë, i bërë dekada më parë. Sepse, nëse diçka të tillë e ka lejuar një pushtet vendor në një kohë e sistem ideologjik tjetër, tash ekzistojnë të gjitha gjasat qe ai dështim i bërë dekada më parë ndaj një monumenti të kulturës përfundimisht të përmirësohet.

Monument unik jo vetëm për Anën e Malit

Duke marrë shembuj nga mjedise dhe popuj të ndryshëm që në këtë aspekt kanë përvojë të madhe sepse i vlerësojnë monumentet kulturore, është e udhës që edhe pushteti vendor i Ulqinit të marrë iniciativë që Ura e Klleznës si monument kulture të evidencohet në regjistrin e monumenteve të kulturës dhe si e tillë te këtë mbrojtje ligjore.
Vetëm në këtë mënyrë do të dëshmonim në praktikë se dëshirojmë të ruajmë dhe të përkujdesimi edhe për këto pak monumente të cilat ekzistojnë në mjedisin tonë. Jo vetëm kaq, por për monumente të tilla duhet të ndahen mjete materiale në mënyrë që restaurimi dhe mirëmbajtja e tyre të mos paraqesë pengesë parësore.Me një fjalë, është koha e fundit që pushteti vendor i Ulqinit të tregojë interesimin e duhur për një objekt të tillë ashtu siç veprohet kudo në botën e qytetëruar.
ura-e-klleznes_ulqin_mali-i-zi2
Monumentet janë historia jonë

Përfundimisht ka ardhur koha që më në fund duhet të mësojmë nga të tjerët, sepse derisa ata nga hiç gjë krijojnë monumente ne veprojmë në të kundërtën. Atë që mundemi ta bëjmë ne nuk duhet pritur, sepse punët tona nuk do të na i bëjnë të tjerët, andaj duhet vepruar sa më parë, për ta mos lënë një objekt të tillë në mëshirën e kohës, sepse është papërgjegjësi apsolute për kohën tonë dhe brezat e ardhshëm. Një veprim i tillë antikulturor është edhe antiqytetërues dhe me pasoja për të gjithë ne, sepse monumentet janë historia jonë.

Nail Draga
Koha Javore

YouTube Preview Image
1