Perkaj: Dita kur Koha Javore nuk doli në shitje

April 27, 2009   | Reportazh / Reportaža

xhoana-m-perkajNjë ëndërr e keqe
Koha Javore si suvenir

Ndodhi një gjë pa precedencë. Për të parën herë për shtatë vjet, më 16 prill 2009, Koha Javore nuk doli nga shtypi. Dy ditë më vonë, të shtunën, pasi që e shikova edicionin e emisionit të TV MZ në gjuhën shqipe “Mozaiku” dhe intervistën dramatike të gazetarit me kryeredaktorin e KJ, Salaj, isha e gatshme që kopertinën e numrin e fundit të kësaj gazete ta vë në kornizë, dhe ta vari në mur, si suvenir.

Kriza dhe Koha Javore si nënfletë

Ku ishte fjala? Ishte planifikuar që tash e tutje KJ të shndërrohet në shtojcë javore të gazetës së përditshme në gjuhën malazeze “Pobjeda”. Edhe disa botime të tjera të ndërmarrjes “Pobjeda” janë reduktuar ose pezulluar përkohësisht. U tha se arsyeja qëndron në nevojën e kursimit në rrethanat e krizës ekonomike e cila e ka përfshirë botën. Në këtë situatë, kryeredaktori i KJ vendosi që botimi i gazetës të pezullohet përkohësisht.
Unë nuk do të flas për krizën, për këtë duhet të flasin ekonomistët. Por, kur është fjala për KJ është dashur të kihen parasysh, së paku, dy rrethana. E para është se kjo gazetë nuk mund të krahasohet me asnjë botim tjetër të kësaj ndërmarrjeje, sepse është e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Pikërisht për këtë shkak, edhe në kushtet e krizës duhet të jetë e protektuar. Rrethana tjetër ka të bëjë me çështjen se sa mund të kursehet te KJ e cila, sipas fjalëve të kryeredaktorit dhënë emisionit “Mozaiku”, ka shpenzime vjetore rreth 40.000 euro dhe një redaksi të vogël nga pesë anëtarë. Kush e njeh sadopak procesin e përgatitjes së një gazete e din se është fizikisht e pamundur të arrihet që një gazetë të përgatitet me një staf kaq të vogël. Andaj, redaksia e KJ e arrin atë që duket e pamundur, ta nxjerrë një gazetë solide e cila jo vetëm që është bazë informative në gjuhën shqipe në Mal të Zi, por, ka arritur të krijojë emër në hapësirën më të gjërë albanofone. Të mos flasim për shumën simbolike të shpenzimeve. Por, megjithatë, KJ po mbijeton gjithë këto vjet. Nuk dua të flas për faktin se bashkëpunëtorët e kësaj gazete nuk marrin honorare dhe as që i përmendim fare në komunikim me kryeredaktorin, me vite të tëra.

KJ si gazetë kult

Tashmë mund të thuhet se kjo gazetë është bërë kult. E ardhmja do të tregojë se KJ ka luajtur rol vendimtar në ruajtjen e identitetit kulturor të shqiptarëve në Mal të Zi. Nuk i harroj kurrë javët e para të daljes nga shtypi të numrave të parë të KJ në shkurt 2002. Deri atherë, me përjashtimin e revistës për shkencë dhe kulturë “Koha” e cila botohej në periudhën 1979-1990, nuk kishte gazetë në gjuhën shqipe në MZ. Andaj, edhe lajmi për shndërrimin e saj në shtojcë javore të “Pobjedës” është përjetuar si grusht emocional dhe kulturor. A mund të paramendohet jeta pa KJ?
Kjo gazetë ka bërë që ne, si autorë që i takojmë një pakice kombëtare të mbetemi në rrjedhat e kulturës mbarëkombëtare. KJ ka qenë shans që të opinionet tona në fushën e politikës, kulturës, rrjedhave shoqërore, të afirmohen në nivel mbarëkombëtar. Nga KJ artikujt tanë janë ribotuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Çamëri, Diasporë. Askush nga ne nuk e ka shtruar kurrë çështjen e të drejtave autoriale. Më me rëndësi ka qenë që fjala jonë të afirmohet edhe jashtë kornizave të ngushta të Tuzit dhe Ulqinit, gjegjësisht të Malit të Zi. Përmes KJ e kemi ndie veten se gjendemi në kontakt informativ dhe kulturor me bashkëkombasit tanë nga mbarë bota. Poashtu, nuk kisha pasur gjë kundër sikur të kishte ndodhur që ndonjë artikull imi të ishte përkthyer dhe botuar këtu ku jetoj, në ndonjë gazetë në gjuhën malazeze!

Arkivimi i mentalitetit lokalist

Në anën tjetër, KJ, gradualisht, ka bërë një kthesë në mentalitetin tonë lokal, Personalitet nga fushat e ndryshme të jetës publike, kryesisht në fushën politike, nga ata lokalë e më tutje, është dashur t’i përshtaten botës bashkëkohore ku çdokush që e kryen një punë me peshë publike nuk mund të kursehet nga mendimi i lirë i opinionit publik. Paprekshmëria lokaliste, bajraktariste, fisnore, partiake, lidhjet klanore etj., karakteristikë për mjedise të vogla dhe të mbyllura, është në rrugë për t’u arkivuar në të kaluarën historike, përveç tjerash, edhe me meritën e KJ.

Uniteti në diversitet

“Uniteti në diversitet” është moto dhe parim i Bashkimit Europian. Kjo filozofi e sociodiversitetit, ose, si e kemi zakon të themi, e multikulturalizmit, është parim i mbijetesës edhe për Malin e Zi si shtet multinacional dhe multireligjioz. Për shqiptarët në Mal të Zi ky është i vetmi shtet, shtet tjetër nuk kemi. Për Malin e Zi është afirmativ fakti që në kuadrin e kufijve të tij shtetrorë, ekzistojnë aq shumë kombe dhe religjione, me aq shumë diversitete etnografike, folklorike, zakonore. Ruajtja e këtyre diversiteteve është premisë për afirmimin e Malit të Zi si shtet, nesër, në kuadrin e familjes së madhe, në Bashkësinë Europiane. Kontributi i shqiptarëve si pakicë nacionale mund të jetë tejet afirmativ për Malin e Zi. Mirëpo, për mbijetesën e identitetit kulturor të një pakicë, në fillim të mileniumit të tretë, parakusht i domosdoshëm është informimi adekuat në gjuhën amtare.

Xhoana M. Perkaj
xhoanaperkaj@yahoo.com