Shkrimtar i fatit njerëzor universal

April 27, 2009   | Kulturë / Kultura

hajro-ulqinaku_jovan-nikolaidis_sreten-asanoviqShkrimtari Jovan Nikolaidis tha se Asanoviqi është fenomen unik i kulturës malazeze dhe se ka futur disa norma estetike në letërsinë dhe kulturën malazeze.
Të premten më 10 prill, në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin u promovua libri “Zvijezde padaju” (Yjet bienë) i akademikut Sreten Asanoviq. Libri është botuar nga Asociacioni “Plima” nga Ulqini si pjesë e kolanës së këtij autori.
Shkrimtari Jovan Nikolaidis tha se Asanoviqi është fenomen unik i kulturës malazeze dhe se ka futur disa norma estetike në letërsinë dhe kulturën malazeze.
“Ai është shkrimtar i fatit njerëzor universal. Tek ai maturia është obligim. Krijimtaria e tij do t’i mbijetojë kohës”, tha Nikolaidis duke përkujtuar se Asanoviq njihet si babai i tregimit të shkurtër malazez.
Edhe shkrimtari Hajro Ulqinaku vlerësoi lart krijimtarinë e Asanoviqit, duke thënë se përmes Asociacionit “Plima”, ai nuk është më vetëm shkrimtar malazez, por edhe ulqinak.
“Sreten Asanoviq është një kronist i shkëlqyeshëm. Ai është transmetues poetik dhr i ndjeshëm i jetës së këtyre trevave që nga fillimi i krijimtarisë së tij. Në veprat e tij ai sjell gjithmonë diçka të re në qasje, përmbajtje, etj. Novelat e tij janë rrëfime psikologjike të brendshme”, tha ai.
Vetë shkrimtari Asanoviq në fjalën e tij u ndal më tepër në lidhjet e malezezëve dhe shqiptarëve, si dhe lidhjen e tij me Ulqinin.
“Vëllazëria e malazezëve dhe shqiptarëve nuk buron qysh dje, por që moti. Ne as që jemi të vetëdijshëm se sa jemi të lidhur. Duke qenë se “Plima” më ka botuar disa libra më parë si dhe këtë libër të fundit, unë e ndiej veten pjesë të Ulqinit”, theksoi ai.
Në takim u paralajmërua se libri “Zvijezde padaju” deri në fund të këtij vit do të botohet edhe në gjuhën shqipe në bashkëpunim të Asociacioneve “Plima” dhe “Ulqini”.
Sreten Asanoviq u lind në vitin 1931. Ai është tregimtar, romancier, etj. Tregimin e parë e ka botuar në vitin 1953. Asanoviq konsiderohet themelues i zhanrit të tregimit të shkurtër malazez. Tregimet e tij janë përkthyer në rreth njëzet gjuhë botërore. Për krijimtarinë e tij është shpërblyer me çmime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës.
Mbrëmja promovuese u organizua nga Asociacioni “Plima” në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit në Ulqin.

I.Kallaba
Koha Javore