Mali i Zi refuzon propozimin alternativ të Portës së Lartë

May 4, 2009   | Kulturë / Kultura

londonnewstype-dulcignoharteUlqini në vitet e lidhjes shqiptare të prizrenit 1878-1881 (19)

Kur situata bëhej më e komplikuar, i ngarkuari me punë nga Mali i Zi në Stamboll telegrafon se Porta e Lartë e kishte refuzuar propozimin alternativ për dorëzimin e Ulqinit dhe propozonte që Mali i Zi duhej të merrej vesh drejtpërdrejt me Portën. Porta e Lartë orvatej ta bindte Malin e Zi që ta pranonte Protokollin e 18 prillit 1880, sepse për të ishte më lehtë ta përdorte dhunën kundër shqiptarëve të Hotit dhe Grudës sesa të Ulqinit me rrethinat e tij.

Autoritetet malazeze ishin të preokupuara dhe të frikësuara edhe për situatën e dy fshatrave, të Mërkotit dhe Mikuliqit. Banorët e këtyre dy fshatrave, theksonte konsulli Depollo, për nga origjina, besimi, gjuha dhe zakonet mund të bashkohen me Shqipërinë fqinje dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me popullsinë sllave fqinje. Simpatia e madhe e tyre drejtohet nga Lidhja Shqiptare, drejt së cilës janë drejtuar mendjet e tyre dhe shikimi i tyre që nga çasti i parë i lëvizjes së tashme; për qeverinë malazeze që sundon mbi ta, ata ushqejnë një urrejtje të madhe. Ata mund të jepnin një kontigjent prej afro 1 400 luftëtarësh që do t’i bashkoheshin Lidhjes Shqiptare.

Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, kishte arsye të bazuara për t’ua pasur frikën banorëve të këtyre dy fshatrave me rastin e ndonjë rreziku, sepse ato mund të bashkoheshin me grupet e armatosura të Lidhjes Shqiptare. Vojvoda Zh. Petroviqi, duke dashur t’i bënte për veti, i ftoi në një darkë krerët e këtyre fshatrave dhe disa nga njerëzit më me influencë të myslimanëve të Tivarit dhe me fjalë të zgjedhura tentonte t’i afronte. Megjithatë, edhe pas bisedës që u zhvillua me këtë rast, punët përsëri nuk u zhvilluan në favor të Malit të Zi. Gjithë popullsia e këtyre fshatrave ëndërronte për çastin e volitshëm që të çlirohej nga sundimi i tanishëm dhe të ndante fatin me Shqipërinë fqinje.

Lordi Granvil njoftonte se kishte marrë vesh se Porta po i tërhiqte forcat e rregullta nga krahina e Ulqinit dhe në vend të tyre po mblidhte vullnetarë shqiptarë. Sipas tij, princi i Malit të Zi do të kishte qenë në gjendje ta merrte krahinën e Ulqinit, por këtë akt ai do ta kryente më me sukses me ndihmën detare të Austro-Hungarisë dhe Anglisë dhe eventualisht edhe të ndonjë fuqie tjetër. Paramendohej që një veprimtari e tillë nuk do të paraqiste rrezik për Stambollin; përkundrazi Porta do të shihte që kjo çështje po zgjidhej. Mendohej se me shqiptarët do të bëhej ndonjë tratativë. Lordi Granvil mendonte se edhe paraqitja e disa barkave luftarake me marinarë në Bunë ose edhe në liqenin e Shkodrës do të ishte një hap i dobishëm si kundër Lidhjes Shqiptare, ashtu edhe kundër rezistencës turke. Me këtë propozim u pajtua edhe përfaqësuesi austro-hungarez, konti Karoli.

Lidhja Shqiptare e përcillte situatën dhe nuk lejonte kurrfarë ndërhyrje të forcave malazeze dhe në vend të garnizonit turk, që qe larguar nga Ulqini dhe kishte shkuar në Shkodër, dërgoi një aradhë të armatosur vullnetarësh prej 600 vetësh. Gjithashtu, lajmet e datës 5 korrik 1880 njoftonin se përpjekjeve të Malit të Zi për ta marrë Ulqinin Lidhja Shqiptare do t’i përgjigjej me 20 000 ushtarë të armatosur nga Shqipëria e Mesme.

Ministria e Punëve të Jashtme e Anglisë ishte e bindur se udhëheqësit shqiptarë nuk do të ndërmerrnin asnjë aksion të shpejtuar kundër Malit të Zi, në qoftë se malazezët nuk do t’i sulmonin territoret shqiptare.

Ndërkohë, kur situata bëhej më e komplikuar, i ngarkuari me punë nga Mali i Zi në Stamboll telegrafon se Porta e Lartë e kishte refuzuar propozimin alternativ për dorëzimin e Ulqinit dhe propozonte që Mali i Zi duhej të merrej vesh drejtpërdrejt me Portën. Porta e Lartë orvatej ta bindte Malin e Zi që ta pranonte Protokollin e 18 prillit 1880, sepse për të ishte më lehtë ta përdorte dhunën kundër shqiptarëve të Hotit dhe Grudës sesa të Ulqinit me rrethinat e tij. Këtij propozimi princ Nikolla iu përgjigj se nuk mund të hynte në tratativë me Portën, sepse dyshonte se mos ishte edhe kjo një lojë e Stambollit për të fituar në kohë. Prastaj, princ Nikolla mendonte se kjo çështje është në dorën e Fuqive të Mëdha, vendimeve të të cilave Mali i Zi do t’u nënshtrohej krejtësisht. Mirëpo, sipas konsullit Sen Kanten, Porta këtë radhë me të vërtetë synonte ta zgjidhte problemin e kufirit turko-malazez, sepse donte t’i përqendronte forcat e saj në kufirin turko-grek.

Mr.Riza Rexha

Koha Javore

YouTube Preview Image