Agim Çeku, vazhdon të qëndrojë në një hotel në Kolumbi – Serbia kërkon arrestimin e tij

May 6, 2009   | Rajoni / Region

SERBIA-RUSSIA-KOSOVO-DIPLOMACY-CEKUSerbia vazhdon ta ndjekë ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku. Në përfundim të qëndrimit të tij në Kartahena të Kolumbisë, autoritetet e Beogradit kanë kërkuar nga ato kolumbiane që ta arrestojnë Çekun, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga ta në 2002-ën. Burime diplomatike në Kosovë i kanë thënë Kohavisionit paradite se Çeku është ndaluar në shtetin kolumbian dhe po qëndron në hotel. Por, Partia Social Demokrate të cilën e udhëheq Çeku thotë se Policia e Kolumbisë nuk e ka zbatuar kërkesën e shtetit serb, pasi ka kontaktuar me këtë çështje me INTERPOL-in. Sipas Kasapollit, Çeku vazhdon të qëndrojë pa asnjë problem në Kolumbi dhe do të niset për në Kosovë nesër në mesditë, sipas kohës sonë. Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka asnjë informacion nga autoritetet kolumbiane për këtë çështje, dhe ka kontaktuar me Zyrën ndërlidhëse të INTERPOL-it për të vërtetuar se është suspenduar fletarrestimi për Çekun. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës, sipas zëdhënëses Albana Beqiri, nuk ka marrë asnjë informacion për këtë as nga ministria përkatëse në Bogota, dhe as nga PSD-ja. Çeku ka marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për armatimin, duke folur i pari në të. Gjatë vizitës së tij në Kolumbi, Çeku mes tjerash ka folur edhe për gazetën “El Espectador”, ku e ka mbrojtur luftën për pavarësi të Kosovës. “Ishte çështje nderi, sepse arritëm qëllimin që shumë gjenerata e kishin kërkuar”, ka thënë Çeku. Ai gjithashtu ka folur për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare, dhe ka përmendur mes tjerash se dy ministra serbë janë pjesë e Qeverisë. Kjo nuk është hera e parë që Çekut i del problem me udhëtime ndërkombëtare. Para disa vjetësh ai ishte ndaluar në Slloveni dhe ishte liruar brenda pak orësh.

KTV

Video shikohet vetem me internet Explorer: