Fillon turizmi i bashkëpunimit
Turizmi i bashkëpunimit
Panairi i turizmit organizuar nga CEO në Kosovë , ka mbledhur ministrat e këtij sektori nga Mali i Zi, Shqipëria dhe natyrisht Kosova. Secili ministër në fjalimin e tij, bëri thirrje që të vijnë sa më shumë vizitorë në atë vend, duke ofruar mikpritje.
Ndërkaq në panair kishte kompani turistike nga të tria vendet duke promovuar shërbimet e tyre.
Kurse ministrat panairin e cilësuan më shumë të bashkëpunimit se sa të konkurrencës.
“Ky është një treg konkurrent që këtë herë po vepron në baza të bashkëpunimit më shumë dhe po i bashkon turizmit rajonale duke i bërë më të fuqishme” tha ministri i Turizmit të Shqipërisë, Ardian Turku.
Ai duke folur për turizmin e vendit të tij tha se Shqipëria ka bërë mjaft investime për të përmirësuar edhe më turizmin. Investimet më të mëdha ai i ceku në infrastrukturën rrugore.
Ndërkaq, ministri i Turizmit të Malit të Zi Predrag Nenezic, përmendi traditën që kanë kosovarët për të kaluar pushimet e tyre në Mal të Zi.
“Ju ftoj që edhe sivjet të vini në vendin tonë për pushime sikur keni bërë vite me radhë” tha Nenezic duke ofruar mikpritje në vendin e tij.
Panairi i Turizmit do të qëndrojë i hapur tri ditë radhazi. Ndërsa edhe këtë herë organizimin e tij e ka bërë CEO së bashku me qeverinë e Kosovës. Panairi pritet të mbyllet të premten.
Tinka Kurti
Gazeta Express