Big Brother Albania 2, Intervista, Junida Kule (Juna)

junida-kule-big-brother-albania-2-liveJuna, a ishte “Big Brother” siç e prisnit?

Padyshim që ishte siç e prisja. Një përballje karakteresh, situatash dhe mentalitetesh, ku elementi telenovelë, edhe po nuk të nxori fitues, të garanton arritjen deri në finale.

E vlerësuat si një përvojë që do të donit ta riprovonit?

E vlerësova si një përvojë që do t’jua rekomandoja të gjithëve. Unë e provova. Unë hyra aty për të pasuruar përvojën time jetësore me aspekte nga realiteti i vendit tim, pasi ndieja mungesë informacioni në këtë drejtim. Desha të eksperimentoja nëpërmjet vetes time, si funksionojnë në një konglomerat të caktuar social shqiptar disa parime bazë të jetës perëndimore, si komunikimi i drejtpërdrejtë dhe me përmbajtje, lirshmëria në mendim dhe veprim, fryma e shëndoshë komunitare, konkurrenca e ndershme dhe sidomos përgjegjësia për të qenë i dobishëm për të tjerët edhe në kushtet e konfliktit të interesave me ta.

Big Brother” për ju ishte më shumë lojë, apo garë drejt 70 mijë eurove?

Për mua BB ishte një eksperiment personal i imi, brenda eksperimentit të madh social që krijon spektaklin. Eksperimentova me personalitetin tim dhe konceptet e mia për jetën, duke i vënë ato në një provë të fortë. Një ndeshje me disa shfaqje të mediokritetit klasik, ku natyrisht do të fitonte ky i fundit. Kjo u duk qartë nga tre eliminimet e fundit para meje.

Kush ishte miku/mikesha juaj?

Aida, Toni, Arjoni, Sori, Anjeza ishin njerëzit me të cilët unë kisha përputhje në botëkuptim. Miqësia me ta mund të zhvillohet në ambientet jashtë BB.

Po kundërshtari/ja më e fortë?

Të njëjtët njerëz, po të kishim vazhduar bashkë.

Po të them Adela, çfarë më thoni?

Ajo që në fillim më konsideroi si pengesë në rrugën për te 70 mijë eurot dhe nuk donte t’ia dinte fare për vlerat e mia si njeri. Madje u mundua t’i minimizonte ato. Është karakteristikë e njohur e atyre që ndjehen automatikisht inferiorë ndaj dikujt. Mundohen ta bojkotojnë atë pikërisht aty ku ndjejnë inferioritet. Unë për shembull ndjehesha inferiore ndaj Arit, për sa i takon pasurisë së fjalëve të ndyra që ai përdorte dhe e bojkotova atë. Adela u vetëndje inferiore në aspektin etik dhe ndoshta moral dhe u mundua të më asfiksonte. Nuk m’u afrua kurrë pranë pianos, si të tjerët, dhe nuk ishte asnjëherë në gjendje për debat të dyanshëm dhe të shtruar. U pozicionua kundër meje pa elegancë dhe përdori çdo mjet taktik që kishte në dispozicion për të realizuar izolimin e mentalitetit që unë përfaqësoja. Kur nuk ia arriti kësaj, përdori edhe variantin “intelektuali” kundër intelektuales, gjë për të cilën shfrytëzoi Arianin, i cili ishte i gatshëm të më bombardonte me fjalë nga më të ulëtat, pasojë e problemeve serioze me identitetin e vet. Adela di t’i manipulojë njerëzit me karakter të dobët. Për këtë e ndihmojnë gropat e thella që ka në tabanin e saj etiko-moral. A ju duket fajtore, apo viktimë për situatën e saj? As fajtore, as viktimë. Më duket thjesht autore e situatës së saj unike. Them “unike”, sepse, sipas mendimit tim, ajo nuk i përfaqëson aspak vajzat e thjeshta dhe fisnike shqiptare. A mendoni se ajo e penalizon ecurinë e lojës së Bjordit? Jo. Bjordi po penalizon veten, sepse edhe ai nuk ka qëndrueshmëri etikomorale. Luhatet keqas midis lojës së tij individuale dhe lojës së përbashkët me Adelën. Në personalitetin e tij ka kërcitje. Ky personazh ka probleme serioze me harmoninë e tij brenda vetes.

Çfarë mendimi ju ka mbetur për Arin?

Ai mendim që kam shprehur dhe e kam lënë brenda shtëpisë. Është një lloj “dandy”, por pa bosht. U paraqit shumë pak serioz, për ta marrë seriozisht.

Cilat kanë qenë komentet e njerëzve pasi dolët nga “Big Brother”?

Të më ndjejë zotëria i nderuar, gazetari nga Londra, Muhamed Veliu, të cilin po e citoj në një mesazh që më ka dërguar. Më duket se në këtë mesazh përmblidhen shumë bukur opinionet që kam marrë deri tani. Ai shkruan: “Juna, të falënderoj nga zemra që në javët e qëndrimit në BB u ktheve në ambasadore të vlerave të të gjithë ne djemve dhe vajzave shqiptare që jetojmë në Evropë. Ju fituat simpatinë e atyre njerëzve që përfaqësojnë qytetarinë”.

Po prindërit çfarë reagimi patën?

Prindërit i kishte marrë malli për Junën dhe thjesht u çmallën dhe po vazhdojmë të çmallemi.

Njëri nga opinionistët pati një reagim të ashpër ndaj komenteve tuaja ndaj Adelës. A mendoni se sot, të mbash anën e Adelës, duket se fiton më shpejt simpatinë e publikut?

Mendoj që secili duhet të mbajë anën e vet, sipas karakterit dhe personalitetit të tij. Sa për “opinionistin” Arjan Konomi, ai u tregua oportunist, duke u bërë zëdhënës i atij mediokriteti që kam përmendur më lart.

Si do të rrjedhë jeta e Junës tani?

Matë normalitet dhe impenjim si deri para 4 javësh.

Tipi i Adit, a mund të ishte mashkulli që do të donit ta kishit në krah?

Në asnjë mënyrë. Për mua Adi është vetëm një shakaxhi i zoti, që e mbulon shumë mirë pjesën e mërzitshme të kohës në BB.

Çfarë do t’u thoshit atyre që e mendojnë ndryshe nga ju?

E respektoj mendimin e tyre, siç respektoj çdo mendim ndryshe në përgjithësi.

Po fansave?

I falënderoj për përkrahjen që më kanë dhënë dhe dua të shfrytëzoj rastin për t’jua thënë me anë të një shprehjeje në një këngë të STING: “Be yourself, no matter what they say”.

5