Abdilaqim Ademi priti kryetarin e komunës së Ulqinit
Zëvendës-kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi sot u takua me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, i cili qëndron në Maqedoni për të prezantuar ofertat turistike për sezonin veror 2009.
Në takimin, zëvendës-kryeministri Ademi e njoftoi mysafirin për situatën politike në Maqedoni, funksionimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, procesin e decentralizimit si obligim që del nga Marrëveshja e Ohrit dhe për zgjedhjet lokale dhe presidenciale.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Hajdinaga e njoftoi Ademin për situatën politike në Mal të Zi, për statusin e shqiptarëve në këtë vend, duke theksuar se është shënuar avancim në këtë drejtim.
Hajdinaga po ashtu e njoftoi Ademin edhe për funksionimin e pushtetit lokal, duke u përqëndruar në Komunën e Ulqinit, me ç’rast u shpreh se në të ardhmen do të angazhohet për bashkëpunim më të madh mes komunës që drejton ai dhe komunave nga Maqedonia.
Konstatim i përbashkët në takim ishte se synimi i përbashkët i të dy vendeve është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, bashkëbiseduesit konstatuan se shqiptarët, pa marrë parasysh se ku jetojnë, kanë arritur të realizojnë objektivat dhe avancimin në të gjitha sferat. Në veçanti u potencua anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, pavarësia e Kosovës, pozicioni juridik dhe politik i shqiptarëve në Maqedoni pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, pozicioni i shqiptarëve në Mal të Zi dhe shtetet tjera.
Të gjitha këto janë të arritura të cilat përmisojnë pozicionin e shqiptarëve, por për të gjitha aktivitetet e mëtutjeshme duhet koordinim i të gjithë faktorëve politikë dhe shtetërorë.