Në Ulqin u promovua libri “Fjalori enciklopedik i gruas shqiptare” i Zenepe Dibres

May 12, 2009   | Kulturë / Kultura

fjalor_enciklopedik_i_gruas_shqiptareLibër pionier i llojit të veçantë

Autorja Zenepe Dibra tregoi se në “Fjalorin enciklopedik të gruas shqiptare” nuk janë përfshirë vetëm gra të njohura, por edhe gra të thjeshta. Megjithatë, ajo tha se nuk pretendon që në Fjalor të jenë përfshirë të gjitha femrat dhe kontributet, sidomos të femrave shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Për të një vlerë të rëndësishme përbën përfshirja në Fjalor e kontributit të femrave të huaja.

Pas promovimit të librit “Fjalori enciklopedik i gruas shqiptare” në Shkodër dhe Tiranë, Ulqini ka qenë qyteti tjetër ku u promovua ky libër i autores shkodrane Zenepe Dibra, i cilësuar si libër i veçantë duke qenë se është libri i parë i këtij lloji në gjuhën shqipe.
Të gjithë folësit gjatë promovimit theksuan punën serioze dhe me mjaft vlerë të autores së librit.
Ardita Rama, drejtuese e Bibliotekës së Ulqinit, tha se “Fjalori enciklopedik i gruas shqiptare” është një pasqyrë informative e rrugës historike dhe e aktualitetit të botës femrore shqiptare.
“Si vepër e posaçme enciklopedike pasqyron arritjet e gruas shqiptare nëpër shekuj. Ky fjalor enciklopedik, i pari i këtij lloji, është i mbushur plot me histori të intelektualeve, mësueseve, artisteve, luftëtareve, aktivisteve, politikaneve e sportisteve shqiptare dhe meriton të ketë një vend të posaçëm në leksikografinë shqiptare”, tha ajo.
Sipas saj, autorja këtë fjalor enciklopedik nuk e ka konceptuar vetëm si vepër enciklopedike të mbyllur në kufijtë shtetërorë të Shqipërisë.
“Në të hasim edhe zëra nga Kosova dhe Maqedonia e mbarë diaspora shqiptare. Besoj se në botimin e dytë do të radhisë edhe zëra të femrave shqiptare nga territori i Malit të Zi që kanë dhënë kontributin e tyre në shumë fusha të jetës”, theksoi Rama.
Mësimdhënësja e historisë, Fatbardha Katana, tha se botimin e kësaj vepre e përjeton jo si një vepër që shton numrin e punimeve, por si një vepër shumë të madhe dhe të rrallë në llojin e vet.zenepe-dibra
“Ju treguat se gruaja ka forcë të madhe realizuese. Femrat autore shqiptare janë të mëdha në çdo fushë, që nga arti e deri te humania”, theksoi ajo.
Gjatë mbrëmjes u lexua edhe recensioni i prof. Ass. Dr. Tefë Topallit mbi këtë libër.
Për drejtorin e Qendrës së Kulturës, Shaban Gjeka, dhe kryetarin e Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, dr. Gani Karamanaga, të cilët përshëndetën në emër të organizatorëve, mbrëma përbën një vazhdimësi të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Ulqinit dhe Shkodrës. Megjithatë, sipas tyre, ky bashkëpunim duhet të jetë në nivel më të lartë.
Vetë autorja e librit, Zenepe Dibra, duke iu drejtuar publikut rrëfeu rrugën e lindjes së këtij libri. Ajo tregoi se në vitin 2004 ka botuar librin “Bijat e Rozafës” kushtuar grave të shquara shkodrane. Pikërisht ky libër dhe një botim tjetër enciklopedik mbi femrat në gjuhën angleze ku ajo ka qenë bashkautore, i shërbeu si nxitje për të nisur punën në hartimin e “Fjalorit enciklopedik të gruas shqiptare”.
“Botimi i këtij libri më ka kushtuar shumë energji sepse nuk duhet të kesh vetëm vullnet dhe pasion”, tha ajo.
Dibra tregoi se në këtë fjalor nuk janë përfshirë vetëm gra të njohura, por edhe gra të thjeshta.
“Një gjë shumë e rëndësishme është edhe kontributi i femrave të huaja”, tha ajo.
Autorja tha se nuk pretendon që në Fjalor të jenë përfshirë të gjitha femrat dhe kontributet, sidomos të femrave shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Autorja Zenepe Dibra merr një tufë me lule nga vajza e saj, Dekania Fak. të Ekon..jpg

Autorja Zenepe Dibra merr një tufë me lule nga vajza e saj, Dekania Fak. të Ekon..jpg

“Unë kam kërkuar falje sepse nuk janë përfshirë të gjitha femrat dhe të gjitha kontributet. Gjithmonë do t’u jem borxh grave që janë jashtë Shqipërisë”, tha ajo.
Dibra pranoi se “ka akoma gjëra të pazbuluara që ne nuk i dimë” dhe se përveç daljes në dritë të librit, satisfaksion për të përbën edhe fakti se “duke punuar për librin, ka mësuar dhe është kulturuar edhe vetë sepse shumë gjëra nuk i ka ditur”.
Në mbrëmjen promovuese morën pjesë shumë personalitete të kulturës nga Ulqini dhe Shkodra. Të pranishëm ishin edhe një grup i shkrimtarëve nga Kosova.
Mbrëmja promovuese u organizua nga Qendra e Kulturës Ulqin, Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe OJQ “Harmonia”, ndërsa u drejtua nga shkrimtari dhe publicisti Ibrahim Berjashi.

I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image