Forca ka përshëndetur vendimin për uljen e taksave komunale në komunën e Ulqinit
Vendimi i mëparshëm ka qenë i imponuar
Ulqin – Forca e Re Demokratike ka përshëndetur vendimin për uljen e taksave lokale komunale në komunën e Ulqinit.
Në një konferencë për shtyp të organizuar të premten, kryetari i Forcës, Nazif Cungu, ka falënderuar publikisht “të gjithë ata të cilët janë angazhuar në mënyrë aktive dhe kanë ndikuar në ndryshimin e Vendimit mbi taksa lokale komunale”.
Ai ka thënë se vendimi i mëparshëm ka qenë “i imponuar nga pushteti ekzekutiv i Ulqinit në krye me kryetarin dhe fatkeqësisht i miratuar nga shumica parlamentare” në Kuvendin e Komunës së Ulqinit.
Cungu ka përsëritur se Forca e Re Demokratike që prej dy vitesh ka kërkuar në mënyrë të argumentuar ndryshimin e këtij vendimi.
Ai ka thënë se taksat lokale në Komunën e Ulqinit, në bazë të Vendimit në fjalë kanë qenë joreale dhe tejet të larta.
“Disa nga tarifat kanë qenë edhe mbi dhjetë herë më të larta në krahasim me komunat e tjera bregdetare”, ka thënë Cungu, duke nënvizuar se me vendimin e ri ato përafërsisht barazohen me komunat e tjera bregdetare në Mal të Zi.
Ajo që brengos më së shumti, sipas Cungut, është fakti se pagesa e taksave dhe tatimeve është kryer në mënyrë selektive.
“Pagesat bëhen në mënyrë selektive, në baza partiake dhe pa evidentimin e obliguesve tatimorë. Për të gjitha këto duhet të reagojnë organet përkatëse shtetërore”, ka thënë ai, duke përkujtuar se Institucioni Shtetëror i Revizionit ka vërejtur parregullsi në kontrollin që ka kryer në Komunën e Ulqinit.
Kryetari i Forcës së Re Demokratike ka shprehur kënaqësi që kjo parti ka arritur të ndikojë në ndryshimin e Vendimit mbi taksat lokale komunale.
I.Kallaba
Koha Javore