Ulqini në vitet e lidhjes shqiptare të Prizrenit 1878-1881 (21)

May 25, 2009   | Kulturë / Kultura

ulqini-i-vjeterFushata diplomatike
Në lajmet që vinin nga Shkodra thuhej se populli i Shkodrës brohoriste që shqiptarët duhet t’i marrin përsëri të gjitha territoret që i kishte marrë Mali i Zi. Banorët e Ulqinit thoshin gjithashtu se me kurrfarë kushti nuk do të rrinin nën Malin e Zi. Dega e Shkodrës përdorte parullën ushtarake: “Të veprojmë së bashku, të lidhemi së bashku, të vdesim së bashku”.
Edhe konsulli britanik, Grin, në dhjetëditëshin e parë të muajit korrik filloi aksionin e vet ndaj udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare për Shkodër. Qëllimi i tij ishte t’i thyente dy krerët – Hodo pashë Sokolin dhe Prekë Bibë Dodën. Grini i njoftoi të dy se Londra po ndërmjetësonte te Fuqitë e Mëdha që Sanxhaku i Shkodrës të ndahej në dy sanxhaqe të cilët do të kishin nga disa priviliegje autonomiste. Njëri sanxhak do të përfshinte viset malore katolike dhe në krye të tij do të caktohej Prekë Bibë Doda, ndërsa sanxhaku i dytë do të përfshinte viset fushore myslimane në krye me Hodo pashë Sokolin. Për realizimin e këtij projekti, Grini vinte dy kushte: 1. Që shqiptarët të mos kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit, dhe 2. Propozimi për caktimin e kryetarëve të dy sanxhaqeve të dilte nga vetë shqiptarët. Mirëpo, edhe kjo përpjekje nuk dha rezultat.
Shqiptarët ishin pushtuar nga një entuziazëm i madh patriotik lidhur me mbrojtjen e rajoneve që Fuqitë e Mëdha ia kishin premtuar Malit të Zi.
Të gjithë kapidanët dhe patriotët e lundrave shqiptare, të cilët jetonin dhe kishin si burim jetese vetëm detin dhe që në det kishin interesat jetike, duke ndjekur gjurmët e të gjithë bashkatdhetarëve të tjerë të malësive dhe thirrjen e Komitetit të Lidhjes, i braktisën punët e tyre dhe anijet e tyre duke i tërhequr në tokë e shpesh edhe ata që i kishin marrë me qira dhe që ishin plot mallra, i rrokën armët dhe vrapuan për t’u rreshtuar nën flamurin e ngritur nga Lidhja Shqiptare për të mbrojtur tokën e tyre.
Në mes të vullnetarëve shqiptarë qarkullonin parulla prej gojës në gojë: “Më mirë të vdesim, sesa t’i lëshojmë Malit të Zi qoftë edhe një pëllëmbë tokë”. Njoftohej se shqiptarët ishin të furnizuar si me të holla, ashtu edhe me gjërat më të nevojshme për ushqim. Theksohej se numri i shqiptarëve të vendosur në mes të Ulqinit, malit Mozhurr dhe viseve rreth e rrotull gjatë ditëve të fundit ishte shtuar.
Në lajmet që vinin nga Shkodra thuhej se populli i Shkodrës brohoriste që shqiptarët duhet t’i marrin përsëri të gjitha territoret që i kishte marrë Mali i Zi. Banorët e Ulqinit thoshin gjithashtu se me kurrfarë kushti nuk do të rrinin nën Malin e Zi.
Dega e Shkodrës përdorte parullën ushtarake: “Të veprojmë së bashku, të lidhemi së bashku, të vdesim së bashku”.
Lidhur me realizimin e vendimit që Malit të Zi t’i jepet Ulqini zhvillohej një manovër e pandërprerë diplomatike. Ishte çështja se si të detyrohej Porta e Lartë të zbatonte ose Protokollin e 18 prillit ose dorëzimin e Ulqinit me rrethina.
Në këtë fushë diplomatike Britania e Madhe ndërhynte pranë kabineteve të Fuqive të Mëdha që të organizonin flotën e përbashkët që do të demonstronte para Ulqinit. Qeveria britanike kujtonte se një demonstratë detare në ujërat e Ulqinit do t’i shërbente për t’i bindur turqit që të mos mendonin se Evropa nuk do të ndërhynte në çështjen e Ulqinit.
Princi gjerman Hohenlohe thoshte se Porta e Lartë, pas skadimit të afatit trijavor, po qe se nuk e zbaton vendimin e caktuar, do të duhej të bashkohej me Fuqitë e Mëdha për ta ndihmuar Malin e Zi për të vënë në zotërim territorin e Ulqinit. Mirëpo, ajo rezervohej gjithnjë kur shtrohej çështja e pjesëmarrjes aktive në demonstrimin eventual të flotës ndërkombëtare për t’i ndihmuar aksionit të Malit të Zi.
Kjo çështje qe shtyrë për një kohë. Thuhej se, edhe po qe se do të vendosej për një demonstrim kolektiv detar, do të duhej të përjashtohej krejtësisht zbarkimi në tokë, lundrimi i vaporëve në Bunë ose në liqenin e Shkodrës. Për numrin e anijeve, që do të ofronte çdo shtet veç e veç për flotën e bashkuar, do të vendosej më vonë.
Gjithashtu kërkohej që secila nga Fuqitë e Mëdha të hiqte dorë që në start nga qëllimet në dobi të tyre.

Mr. Riza Rexha
Koha Javore

YouTube Preview Image