Gjukanoviq: Mendon për trashëgimtarin

May 27, 2009   | Shtypi / Mediji

gjukanoviq_lukshiqMandatari për formimin e qeverisë malazeze, Milo Djukanovic, ka njoftuar bashkëpunëtorët e tij më të afërt me planin që kabineti i tij të jetë tranzicional dhe të punojë deri në vitin 2011, kur drejtimin e qeverisë dhe të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) do a merrte përsipër zëvendëskryeministri, Igor Luksic.
Gazeta ditore e Podgoricës ‘Vijesti’ njoftoi të martën se, Djukanovic llogarit se deri atëherë kriza globale ekonomike do të tejkalohet dhe se Mali i Zi do ta rikthejë stabilitetin financiar.
Kjo do të thoshte edhe përfundimin e punës së Djukanovic dhe të bashkëpunëtorëve që ai mendon t’i zgjedhë në qeveri, pohon gazeta.
Ndryshe, për vitin 2011 është planifikuar edhe mbajtja e kongresit të rregullt të DPS, kështu që atëherë do të duhej të zgjidhej edhe Këshilli Kryesor i partisë dhe udhëheqësia e ngushtë e saj.
Gazeta pohon se Djukanovic tashmë ua ka paralajmëruar bashkëpunëtorëve se dëshiron që ulësen e kryetarit të partisë t’ia lëshojë dikujt tjetër, por edhe atë se do të donte ta shihte Igor Luksic’in në atë post.
Zgjedhja e Luksic për shef të DPS automatikisht do të nënkuptonte se ai ka edhe legjitimitetin e duhur për drejtimin e qeverisë.
Natyrisht, kjo seri lëvizjesh nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe tërheqjen e plotë të Djukanovic nga jeta politike, sepse për vitin 2013 është paraparë mbajtja e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi.

Gazeta Express