Gani Vogliqi, i fton qytetarët e Kosovës të pushojn në Ulqin

May 28, 2009   | Lajmet / Vijesti

ulqini_mir-se-viniMbi 40 vjet zanat hotelerie
Babai i hotelerisë

Profesionin e hotelierit falë shëndetit të mirë, ka arritur ta ushtrojë mbi 40 vjet, profesion të cilin e ushtron edhe më tutje me shumë zell. Që nga viti 1961 Gani Vogliqi, merret me ushtrimin e zejes hoteliere dhe tash ka kaluar 48 vjet përvojë pune në këtë zanat.
Ai tregon se ka qenë gjithmonë shumë i suksesshëm në hotelieri, sepse ka qenë i dashuruar në këtë zeje. Gani Vogliqi, 63 vjeçar jeton mu skaj Kalasë së Ulqinit, ku kanë jetuar edhe etërit e tij. Për pronën që ka në kala, janë interesuar ta blejnë shumë bosë nga shtete të ndryshme me çmime astronomike, por është i vendosur që të mos ta japi për asnjë çmim. “Babai” i hotelerisë rrëfen historinë që nga dita e parë kur ka nisur të punoi në fushën hoteliere. Ai tregon se posa ka mbaruar shkollën hoteliere më 1965, ka nisur punën në një hotel në Beograd, duke vazhduar më pas punën në një hotel të famshëm në Berlin e më tej. “Kam qenë ndër menaxherët më të rinj në Evropë në atë kohë, pasi kam kryer shkollën e lartë hoteliere më 1970 në Lucern të Zvicrës. Jam i njëjti ballkanas që kam qenë menaxher në njërën ndër anijet më të mëdha turistike në botë: si Mbretëresha Elizabeta e Dytë dhe anija më e madhe turistike amerikane e cila ka qenë prej Majamit.

Edhe ka kaluar moshën 63 vjeçare, flet shumë mirë tetë gjuhë të huaja dhe thotë se ka udhëtuar disa herë në shumë shtete të botës. “Nuk jam ndoshta ndër hotelierët më të vjetër ulqinak, por sigurisht më i vjetri momental me 48 vjet përvojë pune dhe hala jam duke ushtruar zanatin edhe në Ulqin dhe këtu në Prishtinë në këtë mjedis”, -tha Gani Vogliqi. Ai me gjithë zemër mendon se akoma do ta vazhdojë ushtrimin e zanatit të tij. Ai tregon se restorantin e parë e ka hapur në Ulqin, në vitin 1990, posa është kthyer nga Amerika ku ka punuar në anijen e Mbretëreshës Elizabet. Menjëherë ka fituar pirukin e arit, në Yugosllavi. Ishte kjo një dekoratë hoteliere të cilën e ka dhënë Lidhja Turistike e Yugosllavisë. Pastaj ka hap edhe një restorant në Gjilan, ku thotë se ka pas shumë sukses. Për një kohë ka punuar në Gjermani dhe është kthyer më 1996 përsëri në Prishtinë në hotel Marsin, ku ka sjell këngëtaret më të njohura të trevave shqiptare. Pastaj ka drejtuar edhe restorantin Bibisi, ndërsa pas luftës e deri tash mban restorantin Marko Pollo në Prishtinë dhe tjetrin në Kalanë e Ulqinit. “Lokalin ku e kam në Kala më kanë ofruar rreth një milionë euro biznesmen rusë dhe nuk e shes kurrë, sepse aty jetojmë qe 700 vjet dhe ne aty të gjithë jemi detar dhe pirat dhe nuk lejojmë rusët të futen në Kalanë e Ulqinit”,-tha Gani Vogliqi. Ai në vitin 2000 ka botuar edhe një libër për hotelieri me titull :”Bazat e shërbimit hotelier” dhe tash tregon se është në mbarim të botimit të librit të dytë të hotelerisë për shkollat e larta hoteliere, duke parë mungesën e literaturës nga fusha e hotelerisë në Kosovë e Ulqin. Ganiu, për fund tregon se edhe si marinar e pirat ka korrur suksese ku ka kapur peshkaqenin mbi 450 kilogramë me një gjatësi mbi katër metra.
Gani Vogliqi, i fton qytetarët e Kosovës që edhe sivjet të pushojnë, rreziten e argëtohen në bregdetin e Ulqinit.

Besim Toska
BOTA SOT

YouTube Preview Image
1