Diskursi politik: Zgjedhjet dhe deformimi i votës

June 1, 2009   | Reportazh / Reportaža

nail-draga_1Përvoja e deritashme dëshmon se në sistemet dhe shoqëritë pa traditë demokratike dhe ku është e pranishme struktura e pavolitshme sociale jo rrallë herë vota është bërë mjet i manipulimit nga subjekte të ndryshme politike të cilët nuk zgjedhin mjete për të arritur qëllimin e tyre, ku shembull tipik në këtë aspekt është Komuna e Ulqinit, dukuri kjo që është manifestuar si asnjëherë deri më tash në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mal të Zi të cilat janë mbajtur më 29 mars të këtij viti.

Paradigma e krijuar disavjeçare se votuesit janë të paluhatshëm në mbeshtetjen konstante të subjekteve përkatëse politike, zgjedhjet e 29 marsit të këtij viti demantuan një konstatim të tillë në mënyrë bindëse, ku Komuna e Ulqinit është ekzemplar tipik i kësaj dukurie.

Se elektorati shqiptar në Mal të Zi nuk mund të jetë peng i përhershëm i një apo disa subjekteve politike është normale dhe e pranueshme, por është çështje tjetër së cilës ishin shkaqet që ndikuan në përcaktimin e tyre drejt një orientimi tjetër politik.

Nëse deri në vitin 2002, në skenën politike të shqiptarët në Mal të Zi ishin tre subjekte politike(LDMZ,UDSH dhe PPD) të cilat krijuan një monopol politik, nga gjendja e cila vlerësohej si e papranueshme dhe jofunksionale në raport me pushtetin vendor të Ulqinit dhe atë qendror për realizimin praktik të barazisë qytetare dhe nacionale, ishte shkas për formimin e subjekteve të reja politike (Forca, BDSH dhe ASH) që për të parën herë u paraqitën në zgjedhjet e vitit 2006.

Dhe ishin pikërisht këto subjekte politike që i dhanë një impuls të ri skenës politike të shqiptarëve në Mal të Zi, duke homogjenizuar elektoratin shqiptar më tepër së më parë. Një e dhënë e tillë konstatohet lehtë nëse analizojmë numrin e votave që kanë fituar subjektet politike nacionale të shqiptarëve më parë, qoftë vetëm apo në koalicion krahasuar me zgjedhjet e fundit në marsin e këtij viti.

Çështje për hulumtim të veçantë paraqesin votuesit që ne i kemi ndarë në tri kategori, sepse ata janë mbeshtetësit e subjekteve përkatëse politike, të cilët varësisht rrethanave sociale dhe shoqërore kanë evoluar nga një zgjedhje në tjetrën.

Pasi nga instalimi i sistemit shumëpartiak në Mal të Zi janë bërë 19 vjet, mundësia për hulumtime të kësaj natyre është e madhe, madje nga këndveshtrime të ndryshme, ku edhe hapësira e elektoratit shqiptarë nuk është përjashtim.

1.Votuesi militant

Nder votuesit më të disciplinuar në çdo subjekt politik janë militantët, të cilët dallohen nga të tjerët sepse ata vazhdimisht i kanë ndenjur besnikë subjektit të tyre politik. Ata si të tillë kanë qenë nga themelimi dhe vazhdimisht mbajnë atë qëndrim, pa marrë parasysh situatën e krijuar brenda subjektit. Madje ata nuk pranojnë deformimet brenda subjektit, atavizmin politik të liderit, apo krijimin e klaneve dhe grupeve të ndryshme të interesit, edhe pse janë në gjendje tzi hetojnë ato.

Por, duke pasur koncepte idealiste shpresojnë se çdo gjë është e rastit e jo dukuri, andaj mendojnë se me kalimin e kohës do të eliminohen këto dukuri. Madje edhe kur iu largohen nga subjekti politik individë me peshë, grupe apo klane të ndryshme ata iu japin konotacione politike, duke mos qenë në gjendje që gjërat tzi paraqesin ashtu siç janë.

Me një fjalë, militantët nuk mund të pranojnë realitetin sado i hidhur të jetë ai, sepse duan tziu mbesin besnik parimeve të tyre, duke mos izu larguar programit nismëtar të subjektit ku kanë qenë nga fillimi. Andaj edhe pse numri i tyre nuk është i lartë, madje është në rënie vazhdueshme, vota e tyre është konstante për subjektin përkatës dhe si të tillë pa marrë parasysh se si paraqiten ata meritojnë respekt të veçantë, sepse me ketë kategori votuesish nuk mund të manipulohet.

2.Votuesi qytetar

Kjo kategori e votuesve paraqet grupim më të madh të elektoratit, sepse përveç anëtarëve të subjekteve politike bëjnë pjesë edhe simpatizantët dhe mbeshtetësit e tjerë. Ky elektorat është gjithëpërfshirës sepse aty marrin pjesë grupet e ndryshme sociale dhe shoqërore dhe si i tillë është kategoria më stabile. Madje në këtë kategori subjektet politike kanë mbeshtetjen më të gjerë që varët nga angazhimi konkret në terren përmes aktivistëve dhe infrastrukturës partiake.

Por, në mjediset ku sistemi shumëpartiak nuk ka traditë pothuaj është bërë dukuri që të mos votohet për programet e subjekteve politike por votohet për individët dhe kryesisht për liderin i cili në njëfarë mënyre është bërë sinonim i subjektit përkatës. Dhe një koncept i tillë nuk ka dilemë së është dukuri e mjediseve me demokraci të pakonsoliduar dhe e subjekteve politike të cilat nuk kanë krijuar profilin e stabilizuar të identitetit të tyre, që dëshmohet nga rezultatet e zgjedhjeve.

Pikërisht një situatë e tillë shfrytëzohet nga të tjerët duke manipuluar me votuesit, duke i joshur në forma të ndryshme për të mbeshtetur një subjekt tjetër politik. Është kjo mënyra përfide e përfitimit të votuesve të rinj duke rritur numrin e votave me veprime utilitare që për momentin sjellin efektin e dëshiruar.

3.Votuesi mercenar

Ndonse një dukuri e tillë nuk ka qenë e panjohur edhe më herët, në zgjedhjet e fundit është manifestuar më shumë se asnjëherë më parë. E dhëna se në politikë përdoren metoda makiaveliste kur është fjala për ruajtjen apo marrjen e pushtetit, bën që në skenë të dalë edhe një dukuri tjetër, e kjo është dukuria e votës mercenare.

Në prag të fushatës parazgjedhore e sidomos kur ajo është në intensitetin e saj më të lartë, struktura të caktuara partiake, përmes individëve apo klaneve të ndryshme shfrytëzojnë situatën e pavolitshme ekonomike, statusin e dobët social të individëve apo familjeve të cilat në zgjedhjet e mëprashme ose kanë qenë neutralë si qytetarë votues apo kanë votuar një subjekt tjetër politik. Dhe pikërisht duke iu premtuar dhe joshur me benificione të ndryshme siç janë punësimi, investimet në infrastrukturën lokale e madje edhe duke blerë drejtpërdrejt votën arrijnë një numër të konsideruar të votave të cilat nuk i kishin më parë.

Është çështje tjetër se sa vota e tillë ka vlerën e vet reale, dhe sa ajo mund mund të jetë e qendrueshme për më vonë. Sepse, veprimet e tilla janë utilitare dhe kanë përdorimin praktik për një mandat zgjedhor. Ndërsa çka do të bëhet me premtimet parazgjedhore dhe sa do të jetësohen ato në praktikë, meriton një analizë të veçantë.

Kjo kategori e votës, përveç se demaskon subjektin politik ajo tregon në mënyrë transparente edhe karakterin e individëve të cilët votën e tyre e shesin, madje shumë lirë, sikurse të ishte mall tregu i një individi të panjohur. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se ka të bëjë me një kategori individësh të cilët nuk zgjedhin mjete për ta materializuar madje edhe votën si të drejtë ekskluzive personale-qytetare.

Por një gjë dihet, se kjo kategori votuesish është kategoria më labile dhe janë votuesit më të pasigurtë, sepse ata votën e orientojnë nga ai që iu premton apo iu jep më shumë. Andaj, subjekti përkatës nëse kësaj radhe ka pasur sukses të manipulojë me një numër të konsideruar votuesish të tillë, nuk ka se për çka të gëzohet, sepse ashtu si i ka fituar këto vota në të njëjtën mënyrë ekziston mundësia reale që tzi humbasë në votimet vijuese.

Se sa mund të jetë përqindja e votuesve të tillë në një mjedis të caktuar padyshim se duhen bërë analiza dhe hulumtime të veçanta, ndërsa rasti i Ulqinit i zgjedhjeve të marsit të këtij viti që në ketë aspekt ka të bëjë kryesisht me UDSH-në është ekzemplar tipik i kësaj kategorie, sepse një dukuri më përmasa të tilla nuk ka ndodhur në viset tjera shqiptare në Mal të Zi. Sepse nuk ka formulë praktike për të shpjeguar votat e fituara nga ky subjekt politik në Komunën e Ulqinit në përgjithësi dhe në Anë të Malit në veçanti. Nëse analizohën votat për secilin vendvotim do të shohim qartë se cili mjedis apo strukturë sociale kësaj here me apo pa vetëdije është bërë pjesë e votës mercenare, ku padyshim anamalasit janë në avantazh ndaj të tjerëve.

Madje ky subjekt politik duke pasur pozitën e ekzekutivit në pushtetin vendor të Ulqinit, e ka keqpërdorur këtë përparësi me tepër se asnjë subjekt tjetër politik deri më tash për përfitime politike. Ndërsa është çështje tjetër se sa ai numër votash ka ndikuar në realizimin e objektivave të planifikuara. Por një gjë është e sigurtë se kemi të bëjmë më deformim të votës së qytetarit më shumë se asnjëherë deri më tash ne këtë mjedis.

Dr.Nail Draga

Koha Javore