Promovim dinjitoz: E vërteta për qytetin e vjetër të Shasit

June 1, 2009   | Kulturë / Kultura

promovimi-i-librit-_shasi-i-lashte_-monument-i-kulturesMë datë 22 maj 2009, në Ulqin u bë promovimi i librit “Shasi i lashtë, monument i kulturës”, një libër me kumtesa të studiuesve të njohur nga arkeologjia shqiptare e ajo malazeze. Ishte ky një promovim sa i rëndësishëm aq edhe kuptimplotë për vet kohën në të cilën u publikua. Një auditor i përbërë nga intelektualë të shquar të komunitetit shqiptar, në sallën e hotelit “Mediteran” patën rastin të dëgjojnë fjalët e thëna për rëndësinë e këtij libri si një nga veprat më të mira deri më sot, që ka të bëjë me qytetin e humbur të Shasit, ku me një punë serioze përmblidhen kumtesat e studiuesve shqiptarë e malazezë. Organizimi i promovimit vërtetë ishte në nivel, me një numër të shumtë të atyre që me dekada pritën të zbardhet e vërteta për qytetin e vjetër të Shasit, të hiqen dilemat rreth vërtetësisë së lashtë të këtij qyteti. Këtu nuk bëhet fjalë tashmë për të dhënat historike, sepse ato diheshin edhe më herët, ajo për të cilën ishin kurreshtarë të pranishmit, po edhe jashtë këtij evenimenti është qasja studimore rreth përkatësisë së kishave të ndërtuara në atë lokalitet. Nga kumtesat e Sesionit shkencor, mbajtur në Ulqin, më 16-17 maj të vitit 2008, kuptohet qartë se Shasi ishte lokalitet i njohur historik dhe se kishte një kulturë relativisht të zhvlluar. Fatkeqësisht vlerësimi i trashëgimive kulturore në këtë lokalitet u është nënshtruar vlerësimeve hegjemoniste të një etnie gjë që e vështirësoi akoma më shumë punën e studiuesve shkencorë për të dhënë një vlerësim më të saktë rreth këtij problemi.Tani përmes kumtesave kuptohet qartë se Shasi paraqet një rëndësi të vecantë për shkallën e përhapjes së kulturës ilire që përkon me kulturën iliro-arbërore të Komanit.
Para se të kalohej në promovimin e këtij libri, ajo që bie në sy ishte struktura e pjesëmarrësve ku individë të këtij takimi me fakultete të profesioneve të ndryshme pritën me padurim të shohin librin që sapo promovohej, megjithëse mungonin persona
që jemi mësuar t’i shohim përherë kur bëhen promovime, gjë që mosprezenca e tyre demonstroi injorancën si një defekt tonin që na përcjellë në raste të tilla. Sikur e theksova më lartë ishin shumë të pranishëm, kurreshtarë për të parë e dëgjuar për herë të parë një histori të një qyteti të humbur siç ishte Shasi. Aty të pranishëm ishin edhe nga trevat tjera shqiptare, gjë që na gëzon pa masë në raste të tilla, individë të fushave të ndryshme për të dëgjuar fjalët e prof. Shaban Sinani, e të zëvendëskryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, arkeologut, Neritan Ceka.
Më ka impresionuar besimi i patundur dhe dashuria ndaj profesionit që ka profesori Shaban Sinani e arkeologu i madh shqiptar Neritan Ceka. Ky libër është i përjetuar ngase autorët kanë qenë të trevave të ndryshme, nga Mali i Zi, Shqipëria e Kosova dhe ata me idetë e tyre kanë thyer kufijtë që deri dje ishin infraktorë të monizmit, dhe pas sa vitesh arritën të hapin rrugë të reja bashkëpunimi në fushën e shkencës arkeologjike.
Ishte një emocion i bukur që më në fund promovohet një libër i karaktert të tillë, një libër që i jep komunitetit të këtushëm, po edhe më gjërë, një mision që dëshmon se mund të komunikohet edhe me të tjerët pa pasur paragjykime, për të nderuar banorët e Anës së Malit. Po aq më ka impresiouar fakti që për të njohur për së afërmi dhe për të nderuar Anën e Malit e sidomos Shasin, erdhën nga kjo provincë një numër i shumtë i intelektualëve anamalas, gjë që dëshmon se me të vërtetë jemi të pavdekshëm, se aty ka një dritë përreth tij, ka veti të qendresës me bujari e shpirtmirësi. Për këtë ia vlenë të punohet…
Në bazë të kësaj merret vesh se Ana e Malit është një vend i vogël, por me zemër të madhe. Kjo tashmë mund të lexohet edhe në kumtesat e atyre që kontribuan në zbardhjen e fakteve për qytetin e lashtë të Shasit. Kjo dëshmon se arti dhe kultura nuk kanë kufij, për çka u thyen muret ndërkufitarë në mes dy shteteve. Banorët e këtyre anëve vuajtën mjaft vitet e monizmit dhe të mbylljes së kulturave, kështu që kjo hapje ndikoi në të mirë për zbulimin e të vërtetës rreth trashëgimisë kulturore të Shasit. Kjo edhe për një fakt tjetër se aty pati hulumtime të njëanshme gjë që shumëkush donte të besonte në idetë e atyre që hulumtuan, po edhe nga fakti se mungoi pala tjetër ku për shumë vite këto hulumtime mbetën jashtë vëmendjes së opinionit.
Na duhet të pranojmë se edhe ne vetë nuk kemi qenë të përgatitur sa duhet për të prezantuar me më kompetencë vlerat e mirëfillta kulturore, pavarësisht kujt i takojnë. Për këtë, fajtorë jemi vetë ne sepse subjektet tona politike tash e njëzet vjet mbajnë pushtetin vendor, por askush deri më sot nuk është kujtuar të japë urdhër për t’u hapur e ekspozuar reliktet e gjetura në Kishat e Shasit. Edhe pse qytet i humbur, Shasi mban emrin më të bukur të të folurit shqip. Me një relief të këndshëm ai sot është temë e diskutimeve në shumë takime shkencore arkeologjike për të hedhur dritë mbi lashtësinë e tij.
Më pas në mungesë të autorës Monika Stafa u promovua edhe dokumentari mbi qytetin e lashtë të Shasit, e cila me shumë seriozitet dhe përpikëri (vec termave sllave) ndihmoi në përshkrimin historik të këtij lokaliteti.
Në përfundim të shënimit të festës tashmë tradicionale “Pranvera në Anë të Malit” organizuar nga datat, 22-24 maj, lirisht mund të thuhet se ky manifestim ishte i suksesshëm me cka organizatorët falënderuan nga zemra të gjithë ata që kontribuan si në dhënien e ndihmave ashtu edhe me pjesmarrjen masive. Po e përfundoj me një mendim timin: duke e cilësuar të suksesshëm këtë takim më vjen keq që këtu nuk pati më shumë përfaqësues të trevave të tjera shqiptare, sepse kjo është ajo që ka ndarë kulturën tonë, dhe këtu nuk kemi çka të fshehim, bashkimi ynë do t`i paraprinte bashkimit të kulturave tjera në një hapësirë më të gjërë.

Shaban Peraj
Koha Javore

YouTube Preview Image