Një libër me vlerë nga Anton Gojçaj

June 6, 2009   | Kulturë / Kultura

anton-gojcajNë dorë kemi një libër me vlerë, me dyzet e katër vështrime, recensione, ese…, i cili lexuesit do t’i nxisë që t’i lexojnë (nëse nuk i kanë lexuar ende) veprat për të cilat bëhet fjalë në to, do t’i njohë ata me disa autorë për veprat e të cilëve ndoshta as nuk kanë dëgjuar deri tani, por që kanë vlerë të konsiderueshme, por edhe me veprat e disa krijuesve me renome nga vendi dhe bota.

“Leximin shpesh e përjetoj si njëfarë, shujte shpirtërore, kurse recensionin si një dolli përshëndetëse për librin e sapodalë nga radhonjtë. Pra, nuk pretendoj të kem shkruar kritikë letrare, sepse këtu ka fare pak kritikë (nuk kritikoj shumë), por vetëm kam publikuar përshtypjet e mia personale për disa vepra që më kanë joshur për “këtë” ose “atë” arsye”- shkruan krijuesi letrar nga Malësia Anton Gojçaj, në librin më të ri të tij “Shija e librit”, që në të vërtetë është një përmbledhje e recensioneve, eseve dhe vështrimeve letrare, të shkruara dhe të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme në periudhën kohore 2001-2008, shumica në të përjavshmen “Koha javore”, në të cilën autori punoi një kohë.

E fillova këtë, ta quaj, vështrim kështu për faktin se recensionet, esetë dhe vështrimet letrare, të përmbledhura në këtë libër, vërtetë se janë si një dolli përshëndetëse, por do të ishte shumë pak të thuhet vetëm kaq. Duke lexuar këto “dolli përshëndetëse” prej të parës e deri në të fundit, lexuesi e kupton fare lehtë se fjala është për një autor mjaft e ndoshta edhe tepër modest, por që e njeh shumë mirë letërsinë, qoftë atë të traditës, nga e cila sikur nuk mundet as nuk dëshiron të shkëputet plotësisht, qoftë atë të ditëve të sotme e deri te? ajo moderne, qoftë atë shqipe apo botërore, vlerat e të cilës i vëren shumë mirë, por edhe mangësitë, të cilat janë të paevitueshme për krijuesit letrarë dhe të cilat, edhe pse nuk i potencon, lë vend që të nënkuptohen. Pra, kritika letrare nuk nënkupton thjesht vetëm theksimin e mangësive, por edhe shumë më tepër vënien në pah të vlerave letrare, artistike, gjuhësore… të një vepre letrare. Dhe këtë, do të thosha, e bën me mjeshtri autori i “Shija e librit”, Anton Gojçaj.

Këtë përmbledhje autori e ka ndarë në pesë pjesë: “Me zemër”, “Me shpirt”, “Me tru”, “Menuja mikste” dhe “Pesë ese”. Në secilën prej këtyre ka radhitur kritikat dhe vështrimet e veta në bazë të llojit të veprës për të cilën shkruan. Në pjesën e parë, të titulluar “Me zemër”, përfshihen trembëdhjetë vështrime të ndryshme letrare, në të cilat trajtohen vepra poetike të autorëve, disa prej të cilëve ndoshta deri tani jo edhe emra aq të njohur në rrafshin krijues gjithëshqiptar, por që premtojnë. Fjala është për poetë nga të gjitha viset shqiptare, siç janë. Gjekë Marinaj dhe Teola Shkodra nga Shqipëria; Xhevdet Bajraj, Arben Idrizi, Ndue Ukaj e Halil Matoshi nga Kosova; Nokë Sinishtaj, Nikollë Berishaj e Rrok Berishaj nga Malësia; Lumnije Hoxha e Hajrudin Kovaçi nga Ulqini dhe për dy krijues të njohur amerikanë, poezitë e të cilëve duket se e kanë joshur edhe kritikun tonë letrar Anton Gojçaj, edhe pse ai veten nuk dëshiron ta quajë kritik. Atyre që e përcjellin ndopak letërsinë botërore, menjëherë do t’u kujtohen poetët e spikatur amerikanë Charles Bukowski dhe Ezra Pound, dhe poezitë e tyre të përkthyera edhe në gjuhën shqipe.

Në pjesën e dytë “Me shpirt” autori ka radhitur vështrimet, recensionet,… mbi katërmbëdhjetë vepra letrare në prozë të dhjetë krijuesve nga Ulqini (Asllan Bisha e Ibrahin Berjashi) dhe Malësia (Anton Gjuravçaj e Fran Camaj), por duke mos harruar letrarin më të njohur shqiptar, Ismail Kadarenë dhe romanin e tij “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, i cili, siç shprehet Gojçaj, vazhdon ta risemantizojë periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri, si një minierë të pashtershme frymëzimesh artistike e filozofike; Aurel Plasarin dhe arlekinadën e tij “Dhjetë ditë që nuk e tronditën botën”, të cilën, shkruan Gojçaj, “Ruajtësit e vlerave konservative patriarkale dhe të etikës epike (“erzit”) e sulmuan si një libër skandal kulturor e moral në letërsinë tonë, ndërsa intelektualët dhe artistët me perceptime të reja e përshëndetën librin si një freski të mirëseardhur, që e pasuron letërsinë tonë me vlera të caktuara ideore, estetike, mbase edhe të një hierarkie të re etike ndër ne”; Kristaq F. Shabanin dhe romanin “Kryefjala e fatales”, i cili “nuk rrëfen veç për cungimin e brendshëm, individual, por edhe për cungimin e jashtëm, shoqëror”; shkrimtarët kosovarë: Rexhep M. Shalën dhe romanin e tij “Papa global Wor(l)d”, të cilin e vlerëson si “pa asnjë dyshim, një vepër “ndryshe” në letërsinë shqipe” dhe Anton N. Berishën, për të cilin Gojçaj shkruan se “…është një shkrimtar jashtëzakonisht pjellor” dhe dy romanet e tij “Gjin Bardhela i arbëresh” dhe “Nëna e dritës”, me vlerë të padyshimtë letrare e artistike. Në këtë pjesë zë vend edhe eseja mbi romanin “Im Krebsgang” të Nobelistit gjerman Gynter Grass, përndryshe “kolos i letërsisë në kulturën bashkëkohore gjermane, i cili simbolizon një institucion të gjallë”. Nuk e kam të njohur nëse ky libër është përkthyer në gjuhën shqipe, por për autorin e përmbledhjes “Shija e librit”, edhe nëse nuk është, nuk ka paraqitur problem meqë është njohës i mirë edhe i gjuhës gjermane, në të cilën është e mundur ta ketë lexuar. Këtu autori ka radhitur edhe vështrimin e shkurtër “Një dashuri e (pa)mundur” mbi romanin “Rrëfim për plakun e mirë dhe vajzën”, të shkrimtarin italian të traditës, të përkthyer me mjeshtri nga shkrimtari shkodran Ridvan Dibra.

Derisa në dy pjesët e para autori i veprës “Shija e librit” A. Gojçaj “ngritë dollinë” për të uruar “me shpirt” e “me zemër” botimin e veprave të ndryshme letrare dhe autorët e tyre, në pjesën e tretë, “Me tru”, bën një analizë më të hollësishme të gjashtë studimeve të llojllojshme letrare të autorëve shqiptarë. Atë e fillon me recensionin“Një model i ri i studimit të letërsisë shqipe”, në të cilin studimin “Retorika dhe letërsia” të Anton Berishajt, e vlerëson si “…studimin më të thellë dhe më akribik, jo vetëm mbi veprën e Bogdanit, por edhe mbi korpusin e letërsisë sonë të vjetër”, në të cilin “Imponon disiplina metodologjike, përgatitja e lartë teorike/kritike, mprehtësia analitike, përdorimi i saktë dhe gjithmonë i argumentuar i nocioneve shkencore, gjë që në letrat tona deri sot nuk ka qenë gjithmonë.” Në recensionin “Simboli në letërsi”, Anton Gojçaj e vlerëson lart studimin e Basri Çapriqit “Simboli dhe rivalët e tij”. Çapriqi, sipas Gojçajt, ka bërë një ekzaminim të gjerë, multidisiplinar dhe shumëplanësh, të simbolit në letërsinë shqipe. Autori i recensionit, duke shkruar për studimin “Simboli dhe rivalët e tij” vë në pah se “Si çdo studiues i mirë, Çapriqi së pari përpiqet ta përdallojë dimensionin semantik të simbolit, në raport me disa nocione/figura të tjera, çfarë janë: alegoria, shenja, arketipat, miti, ikona, kodi, metafora etj”. Vazhdojnë pastaj recensionet “Një studim me vlera debatuese” mbi studimin e Ndue Ukajt “Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, që njëherë, siç pohon Gojçaj, është libri i tij i parë, por me vlerë të pamohueshme; “Teksti mbi tekste në tekst…” , në të cilin bëhet fjalë për studimin “Kujtesa e tekstit”, të autorit Kujtim Shala, i cili bën një analizë të krijimtarisë letrare të Mitrush Kutelit; “Riaktualizime dhe rivlerësime”, që i kushtohet studimit të Alfred Çapalikut “Alfabeti i munguar”, i cili “jep një ndihmesë modeste, plot energji pozitive, diçka si një amnisti për “autorët e munguar” dhe veprat e ndaluara padrejtësisht” dhe në fund recensioni “Narratori dhe autori”, në të cilin bëhet fjalë për studimin e Nysret Krasniqit, “Rrëfimi dhe shkrimi”.

Pjesën e katërt Gojçaj e ka titulluar “Menuja mikste”, mendoj për shkak se në të ka radhitur gjashtë vështrime e analiza, në të cilat bën fjalë për gjashtë krijime të llojeve të ndryshme. Punimin “Tkurrja e shqipes vazhdon” ia kushton studimit të Haxhi Shabanit “Rrezikimi i gjuhës shqipe – për dygjuhësinë te shqiptarët e Ulqinit”, studim të cilin Gojçaj e vlerëson me rëndësi multidisiplinare e që është rezultat i hulumtimeve sistematike e shumëvjeçare, që Haxhi Shabani i ka bërë gjatë përgatitjes së tezës së magjistraturës. Në vështrimin e shkurtër “Me sens dhe kompetencë” Gojçaj flet për librin “Shpalime gjeografike” të Dr. Nail Dragës, përndryshe përmbledhje e kumtesave të paraqitura më parë në tubime të ndryshme shkencore dhe të botuara në gazetat dhe revistat tona. “Këto kumtesa duhet kuptuar si përpjekje të autorit për të kontribuar në krijimin e vetëdijes për rëndësinë dhe dobitë e kulturës ekologjike për të sotmen dhe të ardhmen tonë”, shkruan Gojçaj në këtë vështrim. Pasojnë pastaj edhe katër vështrime, po ashtu të shkurtra, por me vlerë, kushtuar librave të katër autorëve shqiptarë (Dr. Nikë Ukgjini, Muhamet Nika, Sutki Mallohoxhiq dhe Don Nosh Gjolaj).

Pjesën e pestë dhe të fundit, të cilën e ka titulluar “Pesë ese”, autori e ka rezervuar për pesë ese – në tri prej të cilave trajton krijimet poetike të tre poetëve shqiptarë (Basri Çapriqi, Haxhi Shabani, Dhori Qiriazi), kurse në dy të fundit flet për “Bashkëpirjen” e Platonit dhe “Pikëpamjet estetike të Shën Tomë Akuinit”. Besoj se këto janë ese të qëlluara, analitike dhe me përmbajtje, të cilat e demantojnë atë pohimin e Gojçajt nga fillimi i librit kur thotë se “… nuk pretendoj të kem shkruar kritikë letrare…”. Që të mos e përsëris konstatimin tim në fillim të këtij vështrimi, mund të themi me gojë plot se në dorë kemi një libër me vlerë, me dyzet e katër vështrime, recensione, ese…, i cili lexuesit do t’i nxisë që t’i lexojnë (nëse nuk i kanë lexuar ende) veprat për të cilat bëhet fjalë në to, do t’i njohë ata me disa autorë për veprat e të cilëve ndoshta as nuk kanë dëgjuar deri tani, por që kanë vlerë të konsiderueshme, por edhe me veprat e disa krijuesve me renome nga vendi dhe bota. Është kjo edhe një vepër e autorit tanimë të afirmuar, që deri tani ka botuar edhe pesë vepra tjera të zhanreve të ndryshme (poezi, tregime, studime, romane), që shkruan e nuk pushon, që merr pjesë rregullisht në takime letrare e shkencore, që është gjithnjë e më i pranishëm në gazetat dhe revistat e shumta në vend e jashtë…

Fran Camaj
Koha Javore

YouTube Preview Image

2