Pak optimizëm për sezon të mirë

June 8, 2009   | Reportazh / Reportaža

ethet-e-pragsezonit-turistik-ne-ulqin_plazhi-madheEthet e pragsezonit turistik në ulqin

Gati askush në Ulqin nuk është optimist për sezonin e sivjetshëm turistik. Të gjithë e dinë se kriza e përgjithshme do të ketë ndikime negative. Kjo tashmë vërehet edhe në këtë prag sezoni jo vetëm në Ulqin, por edhe në tërë bregdetin e Malit të Zi. Të vetmit optimistë për suksesin e sezonit të sivjetshëm turistik duket se janë në Komunën e Ulqinit.

Edhe pse në Ulqin ka filluar zyrtarisht sezoni turistik, Ulqini i ngjan një dimri të gjatë që duket se sivjet do të jetë më i gjatë se kurrë. Koha me shi që ka mbizotëruar ditëve të fundit ka shtuar agoninë e etheve të pragsezonit turistik.

Gati askush në Ulqin nuk është optimist për sezonin e sivjetshëm turistik. Të gjithë e dinë se kriza e përgjithshme do të ketë ndikime negative. Kjo tashmë vërehet edhe në këtë prag sezoni jo vetëm në Ulqin, por edhe në tërë bregdetin e Malit të Zi.

Por çfarë pritet nga ky sezon turistik? mustafa-canka

Analisti Mustafa Canka, njohës i rrjedhave turistike, thotë ky do të jetë edhe një sezon në vazhdën e sezoneve jo të suksesshme, siç jemi mësuar që njëzet vjet.

“Këtë e tregon parasezoni, numri i rezervimeve dhe sinjalet nga zonat emetuese turistike”, thotë ai.

Canka mendon se turistë do të ketë më pak se viteve të kaluara, kurse efektet financiare do të jenë më të ulëta për 15-20 për qind.

“Sezoni do të jetë në duart e turistëve individualë tekanjozë nga vendet e rajonit, të cilët vendosin të udhëtojnë momentin e fundit dhe pa bërë shumë plane”, thotë Canka.

Sipas tij, çdo gjë do të kalojë në mënyrë stihike.

“Të gjithë do të mundohen të rrëmbejnë sa më shumë, në përgjithësi për të paguar kreditë e shtrenjta. Edhe këtë sezon ulqinakët do të punojnë për bankat dhe shtetin”, thotë Canka.

Të vetmit optimistë për suksesin e sezonit të sivjetshëm turistik duket se janë në Komunën e Ulqinit.

vaso-radovic_dpsSekretari për ekonomi pranë Komunës së Ulqinit, Vasko Radoviq, thotë se përkundër krizës evidente me optimizëm e presin edhe këtë sezon turistik.

“Optimizmin e bazojmë në faktin se relativisht mirë e kemi përgatitur dhe realizuar planin e promovimit të potencialeve turistike të Ulqinit në panairet rajonale apo promovimet e organizuara enkas. Kemi marrë pjesë së bashku me Organizatën Turistike të Malit të Zi apo individualisht në Budvë, Budapest, Temishvar, Beograd, Mynih, Prishtinë dhe qytetet e tjera në Kosovë, Sarajevë, Tuzëll, Shkup, Tiranë”, thotë ai.

Përveç kësaj Radoviq thotë se janë distribuar materiale promotive në disa qytete të Serbisë si dhe në Lubjanë.

“Kemi publikuar disa reportazhe efektive mbi Ulqinin në mediat e atjeshme ndër të cilat duhet veçuar shtojcën për turizëm në gazetën ditore “Blic”, të shtypur në 200 mijë kopje, dhe jemi shumë të kënaqur me interesimin e treguar”, thekson ai.

Ky lloj promovimi, sipas tij, është shumë i rëndësishëm pasi që pritet që nga kriza ekonomike më së paku do të jenë të prekura vendet e Mediteranit dhe që sezonin turistik do ta shpëtojnë mysafirët nga rajoni.

Radoviq është i vetëdijshëm se përfitime të mëdha nga ky sezon nuk do të ketë.

“Por sigurisht do të realizohet përfitim i kënaqshëm i cili do të na lehtësojë të tejkalojmë periudhën deri në kalimin e krizës”, thotë ai.

Ulqini nuk mund të lavdërohet edhe me investimet e kryera ndërmjet dy sezoneve turistike. Ç’është e vërteta, i vetmi investim me vlerë mund të konsiderohet kalldrëmimi i rrugës së Çarshisë, i cili sidoqoftë nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm.

Sa u përket kapaciteteve hotelierike, me përjashtim të hotelit “Otrant” i cili pritet që sivjet të presë turistët e parë, janë përmirësuar edhe kapacitetet hotelierike të NHT “Riviera e Ulqinit” kurse sivjet për herë të parë pas shumë vitesh janë vënë në funksion edhe shtëpizat prej druri në Adë.

Por për investime të reja nuk mund të bëhet fjalë. Vendi në të cilin dikur ndodhej hoteli “Galeb” i ngjan më tepër “shkretëtirës” dhe nuk ka ndonjë paralajmërim se do të fillojë së shpejti ndërtimi, kurse edhe hoteli “Lido” është në procesin e rikonstruktimit.

Sekretari për Ekonomi i Komunës së Ulqinit, Vasko Radoviq, thotë se janë kryer përgatitjet e zakonshme për rregullimin e qytetit, është investuar në asfaltimin e rrugëve të qytetit dhe fshatrave, siç është rruga në Pinjesh, është vendosur apo zëvendësuar ndriçimi i ri, si në hyrje të qytetit.

“Si investim të posaçëm do të veçoja kalldrëmimin e çarshisë së vjetër me ç’gjë jemi munduar t’ia kthejmë shkëlqimin e dikurshëm rrugës kryesore të qytetit”, thotë ai.

Por disa investime për shkak të krizës dhe mungesës së mjeteve financiare kanë mbetur të papërfunduara, siç është për shembull, rruga nga Katërkolla në Shas apo disa rrugë lokale, kurse në rrugën Ulqin – Krythë është hequr shtresa e vjetër e asfaltit por pret të asfaltohet, kurse edhe rruga e kalldrëmuar e Çarshisë së vjetër ka qëndruar disa ditë e mbyllur.

Ndaj mbylljes së përkohshme të rrugës së kalldrëmuar të përuruar vetëm pak ditë më parë, ka reaguar Forca e Re Demokratike e cila i ka tërhequr vërejtjen pushtetit lokal, por edhe atij republikan, që në mënyrë më serioze të merren me këto probleme të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në rrjedhat e sezonit turistik.

kalldremimi-i-rruges-se-carshis-se-ulqinit“Banorët e Ulqinit janë mësuar që të durojnë këso maltretimesh, por turistët që kanë ardhur dhe do të vijnë në pushim tek ne, nuk do ta kenë durimin tonë, por do të na sjellin shpinën dhe do të orientohen në destinacione të tjera turistike”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Përkundër problemeve evidente, sekretari për Ekonomi i Komunës së Ulqinit, Vasko Radoviq, thotë se Ulqini e pret i përgatitur sezonin e sivjetshëm turistik.

“Përveç përgatitjeve të rregullta dhe të zakonshme në rregullimin e qytetit, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe miratimit të vendimeve të rëndësishme në parlamentin lokal, siç është Vendimi mbi taksat komunale, të cilat do të duhej të eliminonin barrierat eventuale në afarizëm dhe të mundësojnë udhëheqjen më elastike të politikës së çmimeve të harmonizuar me krizën aktuale ekonomike dhe rregullat e tregut”, thotë ai.

Krejtësisht ndryshe mendon analisti Mustafa Canka, sipas të cilit është bërë shumë pak që qyteti të përgatitet për sezon.

“Dhe kjo është e logjikshme sepse ky qytet nuk frymon si qytet turistik! Çdo gjë bëhet në mënyrë të improvizuar. Ne tani kemi më pak kapacitete hotelierike sesa para 30 vjetësh gjë që përbën rast unik në botë. Infrastruktura është e dobët, shërbimi po ashtu, nuk kemi as organizatë turistike. Madje as qasje në disa plazhe”, thotë ai.

Canka shkon edhe më tej në parashikimin e tij pesimist për të ardhmen e turizmit në Ulqin.

“Nëse kanë sukses të gjithë këto tendere të dëmshme, me dëshirën e Qeverisë së Malit të Zi, ne dhe mysafirët tanë praktikisht nuk do të kemi as ku të lahemi. Për këtë arsye ruajtja e ambientit tonë është kusht kyç për zhvillimin e turizmit i cilia na shkon për shtat neve, e jo tajkunëve vendorë dhe të huaj të cilët dëshirojnë të grabisin plazhet tona të mrekullueshme, detin tonë dhe të ardhmen tonë”, thotë ai.

I.Kallaba

Koha Javore