Roderik Mur: Dërgoni dikë në Prishtinë

June 8, 2009   | Politika

ambasadori-amerikan-roderik-mur_millo-gjukanovicAmbasadori amerikan Roderik Mur i dërgoi mesazh të tërthortë qeverisë malazeze
Podgoricë – Marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Serbisë nuk do të duhej të çrregulloheshin nga shkëmbimi eventual i ambasadorëve ndërmjet Podgoricës dhe Prishtinës, vlerësoi ambasadori amerikan në Mal të Zi roderik Mur.

“Mendoj se është krejtësisht e natyrshme që dy vende fqinje, që njihen nga njëra tjetra, siç janë Mali i Zi dhe Kosova, të shkëmbejnë ambasadorë”, tha Mur, gjë që provokoi reagimin e Partisë Popullore Socialiste dhe të Demokracisë së Re Serbe.

Ambasadori Mur i deklaroi Televizionit të Budvës se Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen që Podgorica dhe Beogradi të kenë marrëdhënie sa më të mira.

Sipas vlerësimit të tij, në rrafshin diplomatik ekziston një dozë e acarimit ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, mirëpo marrëdhëniet nën këtë nivel janë relativisht të mira.

“Mendoj që gjërat janë duke ecur përpara dhe unë jam optimist, sidomos pas takimit të presidentëve Tadiq dhe Vujanoviq më 18 maj në Beograd.

Shpresoj që së shpejti do të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis dy vendeve”, tha Mur.

Përfaqësuesit e Partisë Popullore Socialiste dhe të Demokracisë së Re Serbe paralajmëruan pushtetin se vendosja e marëdhënieve diplomatike me Kosovën do t’i përkeqësojë akoma më shumë marrëdhëniet me Serbinë.