Të identifikohen problemet e pakicave

June 8, 2009   | Shoqëria / Društvo

nansen-dialogue-centre-montenegroQendra Nansen Dialog organizoi në tuz seminarin me temë “integrimi i pakicave në shoqërinë malazeze – legjislacioni ndërkombëtar dhe nacional”
Tuz – Qendra Nansen Dialog organizoi të mërkurën e kaluar në Tuz seminarin njëditor me temë “Integrimi i pakicave në shoqërinë malazeze – legjislacioni ndërkombëtar dhe nacional”.
Kjo ishte punëtoria e tretë e cila organizohet në kuadër të këtij projekti, ndërkohë që dy punëtoritë e mëparshme janë mbajtur në Ulqin dhe Tivar.
Sipas koordinatorit të projektit, Leon Gjokaj, “projekti ka për qëllim të identifikojë problemet me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e popujve pakicë, në nivelin lokal dhe nacional, e njëheri të njoftojë pjesëmarrësit me mundësitë që ofrojnë aktet ndërkombëtare dhe legjislacioni nacional, Kushtetuta, Ligji për të drejtat e pakicave dhe në veçanti Strategjia e politikës së qeverisë ndaj pakicave”.
Në seminar kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisjes lokale, partive politike, këshillave nacionale, sektorit civil, alumnistë të Qendrës Nansen Dialog nga komuna e Tuzit, ndërsa ai është moderuar nga Neda Sindik, koordinatore për çështjet e pakicave në Organizatën Joqeveritare ASK-Libertask.
Koordinatori i projektit Leon Gjokaj thotë se gjatë muajit qershor dhe korrik do të mbahen punëtori të ngjashme edhe në Bijello Polë, Plavë dhe Kotorr apo Tivat, kurse në fund të projektit është parashikuar mbajtja e një seminari follow-up me pjesëmarrësit nga komunat e përmendura.
Projekti realizohet me mbështetjen e Fondacionit Instituti për Shoqëri të Hapur – përfaqësia në Mal të Zi.

M. Gjokaj
Koha Javore

YouTube Preview Image