Dritan Maraj fiton Çmimin Special “Inva Mula”

June 15, 2009   | Intervista / Intervju

Dritan Maraj_ulqin“Ky çmim ka qenë objektivi im pasi që është çmimi më i lartë në mbarë trevat shqiptare për aftësitë vokale”, thotë Dritani.
Se Ulqini ka talentë për muzikë e ka dëshmuar edhe një herë Dritan Maraj. Ai ka fituar Çmimin Special për interpretim “Inva Mula” si dhe Çmimin e Dytë për kompozim si kënga më e mirë në Festivalin e 47-të Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë – Shkodër 2009, të mbajtur nga data 4-6 qershor.
Ai është prezantuar në këtë festival me këngën “Ditari”, me autor Suela Tukaj, ndërsa të komponuar dhe orkestruar nga Jetmir Mehmeti.
Vetë Dritani sqaron se kemi të bëjmë me një këngë të zhanrit të lehtë, “por shumë të vështirë për t’u interpretuar sepse është dashur të interpretohet me ndjenja pasi që flet për dashurinë ndaj gjyshes”.
Ndërsa sa i përket çmimit, ai thotë:
“Ky çmim ka qenë objektivi im pasi që është çmimi më i lartë në mbarë trevat shqiptare për aftësitë vokale”.
Dritani është nxënës i klasës së pestë në Shkollën e Ulët të Muzikës dhe nxënës i klasës së gjashtë në Shkollën fillore “Mareshali Tito” në Ulqin.
Ai është fitues i shumë çmimeve në fushën e muzikës. Kështu vitin e kaluar ka fituar Çmimin e Parë për interpretim në Festivalin e Tretë të Këngës për Fëmijë në Ulqin, kurse në Festivalin e 46-të Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër ka fituar Çmimin e Tretë për interpretim.
Përveç këngës ai luan në kitarë ku ka fituar disa çmime deri tani, në mesin e të cilëve lira të bronzta në Festivalin Muzikor të të Rinjve të Malit të Zi, të mbajtur në Kotorr dhe Herceg Novi.
Sukseset e tij i dedikohen kompozitorit tashmë të ndjerë Fiqiri Hasanaga i cili ka meritën dhe kontributin më të madh për formimin e tij.
Vendi i parë në Festivalin e 47-të Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë i ka takuar këngëtares dhjetëvjeçare nga Durrësi, Aurora Kapo. Në Festival kanë marrë pjesë 24 këngëtarë të rinj nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, ndërsa Dritani ka qenë i vetmi që ka përfaqësuar shqiptarët në Mal të Zi në këtë festival.

I.Kallaba
Koha Javore

2