Lobimi politik në Mal të Zi

June 15, 2009   | Shoqëria / Društvo

Lobizmi shqiptar ne mal te ziNë Mal të Zi çështja e lobimit nuk është e rregulluar me ligj. Për fat të keq kjo fjalë mbulohet nga misteri e shumë të tjerë e trajtojnë edhe si formë e korrupsionit ose përpjekje për ta legalizuar me ligj.
Fjala lobi e ka zanafillën e vet nga gjuha angleze që në shqip do të thotë paradhomë e që fjala është për hapësirën që ndodhet në mes të hyrjes dhe hapësirave të Kongresit Amerikan ku dikur u shfaqën lobistët e parë. Lobistët kishin për detyrë dhe që edhe sot kanë të japin informata pozitive, të reklamojnë punën e dikujt ose punën e projektit të cilin e përfaqësojnë. Mendojmë që kësaj më së miri në gjuhën e gjallë popullore shqipe i përshtatet koncepti i të pasurit miq e shokë dhe thjesht për këtë nganjë erë përdorim fjalën për dikë duke thënë “atij i shkon fjala” apo “ai ka miq” dhe është aty ku merren vendimet. Kjo mendojmë se nuk ka diçka të keqe, por duhet të përkrahet ashtu siç i përkrahë shokët dhe miqtë e gjithë bota e përparuar.
Në Mal të Zi çështja e lobimit nuk është e rregulluar me ligj. Për fat të keq kjo fjalë mbulohet nga misteri e shumë të tjerë e trajtojnë edhe si formë e korrupsionit ose përpjekje për ta legalizuar me ligj.
PPD si parti e organizuar politikisht mendon se ka ardhur koha që me diapazonin e saj politik të lobojë ndër të tjera edhe për biznesin vendas privat dhe e kuptojmë që për të zhvilluar biznesin duhet të afirmojmë vendime të cilat merren në Kuvendin e Komunës së Ulqinit e që ndikojnë pozitivisht në punën e biznesit dhe të shoqërisë në përgjithësi. Mendojmë që biznesi duhet të mbrohet nga një grup i figurave të cilët do të shërbejnë si promotorë të një ideje për të arritur deri te një qëllim. Me fjalë të tjera, të kesh lobi do të thotë të kesh miq që do të përkrahin për të bërë që parlamenti i qytetit të angazhohet sa më tepër për të nxjerrë vendime, rezoluta, marrëveshje etj. e këtë duhet ta bëjnë këshilltarët më të aftë të Kuvendit të Komunës. Iniciativa jonë ka të bëjë me gjetjen e atyre këshilltarëve të cilët haptas do të mbrojnë një ide përkatëse dhe do të ndikojnë që të formojnë imazh pozitiv për një problem i cili paraqitet në shoqëri në biznes e kudo gjetiu. Si legalista që jemi ne mendojmë që ka ardhur koha që për çdo gjë haptas t’i shprehim mendimet tona sepse jemi të bindur që lobimi është legal dhe i pranueshëm duke zënë vendin e korrupsionit (duke e përjashtuar atë).
Çdo veprim ekonomik që është i arsyeshëm duhet të mbrohet pa marrë parasysh se ligji apo vendimet ndoshta atë nuk e lejojnë ose i bëhen barrierë. Është detyrë e Kuvendit të Komunës së Ulqinit të ndërrojë zërin “e keq” që mund t’i bëhet një problemi përkatës. Ne duhet të merremi me edukimin e shoqërisë dhe me formimin e bindjeve pozitive për një fenomen aq më tepër kur shpeshherë qeverisja vendore vonohet në përcjelljen e ndryshimit të ligjeve me vendime përkatëse.
Kemi bindjen se shoqëria jonë mjerisht në koncept vazhdon të jetë shoqëri me edukatë komuniste tepër të mbyllur dhe nga cilën e pengon individi i pasur. Ne duhet të mendojmë të kundërtën të çojmë dorë nga paragjykimet komuniste dhe të mentaliteti provincial lokalist, burokratik dhe parapolitik për të ndërtuar një administratë efikase në shërbim të qytetarëve. Ne mendojmë se ju do të na përkrahni. Pa marrë parasysh paragjykimet lobimi është i nevojshëm për shoqërinë e Ulqinit e cila pretendon që të jetë evropiane andaj u thërrasim për bashkëpunim e për të na mundësuar punën tonë dhe për të siguruar biznesin tuaj dhe mirëqenien e shoqërisë do të keni mirësinë që t’i përgjigjeni anketimit të përgatitur në mënyrë që të sigurojmë një të ardhme të përbashkët.

Ali Rexha
Koha Javore