Pabarazia e gjuhëve në institucionet arsimore të Ulqinit

June 15, 2009   | Kulturë / Kultura

Kater maturanta nga ulqini ne studime ne gjermaniGjuha gjermane në margjinë
Me reformën më të re të sistemit arsimor të gjitha gjuhët e huaja në Mal të Zi, me përjashtim të asaj angleze, janë vënë në pozitë të pabarabartë. Kjo sidomos ka të bëjë me gjuhën gjermane, të cilën e flasin 100 milion banorë të BE-së.
Madje kjo po ndodh edhe në Ulqin, në qytetin në të cilin gjuha gjermane tashmë dekada me radhë është gjuha e huaj parësore. Janë të rrallë ata ulqinakë të moshës mbi 40 vjeç që të mos flasin gjermanisht apo që nuk e përdorin këtë gjuhë. Dhe kjo është e logjikshme: turistët gjermanë deri në vitin 1990 përbënin madje 90 % të të gjithë klientëve të huaj në Rivierën e Ulqinit. Gjermanët kanë qenë sinonim për turistin dhe janë edhe sot, gjermanishtja mësohej në të gjitha shkollat e qytetit, mësimdhënësit kanë qenë të shkëlqyer. Gjermanishtja për ne ka qenë e lehtë për ta mësuar, sepse kemi talent të lindur për gjuhën. Shumë ulqinakë punojnë në Gjermani kurse martesat me gjermane nuk janë të rralla.
Edhe gjermanët e kanë në zemër Ulqinin. Unë njoh shumë nga ata të cilët më se tri dekada i kalojnë pushimet në Ulqin! Vinin madje edhe atëherë kur tërboheshin luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë! Shumica e ulqinakëve thjesht i do gjermanët dhe kjo mund të shihet dhe të ndjehet në çdo hap. Unë shpeshëherë, vërtetë në mënyrë pretencioze, them se në këtë qytet mbretëron fryma gjermane. Këta njerëz më shumë i duan gjermanët sesa vetveten!? Dhe në këtë aspekt kanë të drejtë! Të marrësh si model popullin më të madh në Europë, t’i marrësh ata si reper, simbol apo mostër të mirësjelljes, kjo me të vërtetë meriton çdo lëvdatë.
Së këndejmi është e logjikshme që Qeveria Gjermane ka vendosur para disa viteve që në Ulqin të dërgojë dy mësimdhënës me detyrë për të popullarizuar gjuhën gjermane. Si kurorëzim i gjithë kësaj është dorëzimi i para do kohe i 17 “Diplomave të mëdha për njohjen e gjuhës gjermane” nxënësve të shkollave të mesme, të parat që janë marrë ndonjëherë në Mal të Zi. Pas dhënies së testeve të aftësive, katër maturantë realizuan të drejtën e magjistrimit të studimeve në Universitetet gjermane dhe bursën mujore të Qeverisë Gjermane në shumën prej 750 euro brenda katër viteve të ardhshme. I tërë qyteti duhet të mburret me këta njerëz të rinj të mrekullueshëm.
Se për çfarë suksesi është fjala, tregojnë të dhënat vijuese: nga Shqipëria bursën e fituan dy nxënës, nga Bosnja një, e askush nga Serbia e Kosova!
Por, brenda gjashtë vitesh një gjë e tillë nuk do të jetë e mundshme. Sepse, sipas sistemit të ri gjermanishtja do të fillojë të mësohet vetëm në klasën e shtatë apo në variantin më të favorshëm në klasën e pestë, si lëndë zgjedhore. E për t’u realizuar mundësia për fitimin e bursave në Gjermani, kjo gjuhë duhet të mësohet nga klasa e tretë. Për këtë arsye ambasadori gjerman në Podgoricë Peter Plate, njeri i cili e do mjaft këtë qytet, apeloi tek krerët e Komunës së Ulqinit dhe drejtorët e shkollave fillore që të tentojnë të gjejnë një zgjidhje. “Në Ministrinë e Arsimit thonë se nuk ka kurrëfarë pengesash që lidhur me këtë të vendosin shkollat, kurse drejtorat e shkollave pohojnë se kanë urdhërin e Ministrisë që gjuha angleze duhet të jenë gjuhë e huaj parësore”, tha Plate.
“Zoti Ambasador, organizoni një takim të përbashkët”, ishte ky propozimi i nënshkruesit të këtyre rreshtave. Johan Galer, mësimdhënës në gjimnazin e Ulqinit, konsideron se prindërve duhet t’u lihet mundësia që të zgjedhin. “Mbase do të vendosin që nga tri paralele të ndara, të paktën në njërën gjuha gjermane të jetë gjuhë e huaj parësore”, thotë ai. Kjo gjithësesi është dëshirë e një numri të madh në Ulqin, por edhe e mësimdhënësve dhe e profesorëve të gjermanishtes, të cilët në të ardhmen vështirë se do të mund ta realizojnë normën e plotë të orëve.
Ky është borxhi ynë edhe ndaj gjeneratave të ardhshme, ndaj turistëve gjermanë, të cilët, mbase, ndonjëherë do të kthehen përsëri në një numër më të madh, dhe përfundimisht, ndaj shtetit Gjerman i cili na ofron shumë më tepër sesa që ne, në çfarëdo mënyre u ofrojmë gjermanëve.
Dhe në fund dua të theksoj edhe një çështje jo më pak të rëndësishme: sikur firmave gjermane t’u ishte lejuar të investonin këtu, do të na mësonin se si të punonim dhe të prodhonim, e po të kishin blerë apo ndërtuar ndonjë hotel, gjithësesi do të kishte më shumë turistë gjermanë.
Deri atëherë na mbetet të mësojmë dhe të arsimohemi. As ne nuk mundemi që përgjithmonë të mbetemi zorra qorre e Malit të Zi. Përndryshe, neve na duhet fare pak: liri komunale, zhvillim të qëndrueshëm dhe hapje ndaj botës. Në këtë drejtim, na nevojitet gjithësesi ndihma e Gjermanisë dhe e organizatave dhe institucioneve të saj.

Mustafa Canka
Koha Javore