Të premten u mbajt kuvendi i Komunës së Tuzit

June 15, 2009   | Politika

Komunës Urbane të TuzitOpozita nuk mori pjesë
Tuz – Seanca e 19-të e Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit u mbajt të premten, pa praninë e opozitës. Në fakt, i vetmi këshilltar i pranishëm nga opozita ishte Halil Dukoviqi (PDS) i cili, pas miratimit të rendit të ditës, mori fjalën duke shfrytëzuar të drejtën procedurale sa për të njoftuar se këshilltarët e opozitës nuk do të marrin më pjesë në asnjë seancë të Kuvendit.
Ai akuzoi partitë e pozitës duke i quajtur ata një bashkim jofunksional të cilët, për mossuksesin e vet, akuzojnë kryebashkiakun e Podgoricës Miomir Mugosha. Dukoviq tha po ashtu se flet në emër të UDSH-së, Partisë Boshnjake, PSD-së dhe PDS-së.
Kryetari i KU të Tuzit, Smajl Çunmulaj, në replikë ndaj Dukoviqit, potencoi obstruksionin që e bën Kryeqyteti për të penguar punën e këtij Kuvendi, duke tentuar që të shkaktojnë zgjedhje të parakohshme.
Ai shtoi se tashmë jemi mësuar me sjelljet e PDS-së, por shqiptarët në Malësi nuk do të lejojnë të udhëheqen nga ata që kryejnë detyrat e të tjerëve dhe përkujtoi se ata janë mësuar t’i blejnë qytetarët e Malësisë që sot janë në shërbimin e tyre.
Kryetari i Kuvendit të KU të Tuzit, Nikollë Camaj e quajti jokorrekte dhe befasuese që një përfaqësues i PDS-së flet në emër të një partie shqiptare, pra të UDSH-së dhe ftoi kreun e kësaj partie që të sqarojë qëndrimin e tyre, pasi siç vlerësoi ai, UDSH kohëve të fundit ka treguar gatishmëri të bashkëpunimit më të denjë me partitë e tjera shqiptare.
Ai po ashtu sqaroi se mospjesëmarrja e opozitës nuk paraqet ndonjë problem sa i përket funksionimit të Kuvendit sepse, përderisa shumica e këshilltarëve, 11 nga 21 sa ka gjithsej Kuvendi, janë aktivë, seanca është legjitime.
“Nuk është kaherë kur opozita malazeze bojkotonte Parlamentin e Malit të Zi dhe ai vazhdonte punën normalisht, kurse ata që e kishin gojën plot akuza ndaj atyre që atëherë bojkotonin, sot bojkotojnë vetë”, shtoi Camaj.
Këshilltari Vasel Sinishtaj vlerësoi se për njëmbëdhjetëshen pushtetmbajtëse në Tuz, i përbashkët është angazhimi për komunë të plotë dhe se mospajtimet lidhur me çështje të tjera nuk do të sjellin në pikëpyetje bashkëpunimin lidhur me këtë çështje.
Këshilltari Zef Gjokaj përgëzoi këshilltarët e shumicës për kapacitetin e treguar demokratik për të kapërcyer mospajtimet e shkaktuara gjatë fushatës parazgjedhore.
Kuvendi aprovoi të gjitha pikat e rendit të ditës dhe paralajmëroi vazhdimin e punës sipas programit të Kuvendit. Përndryshe, në rend të ditës ishin Plan-programi i punës së Kuvendit, Vendimi mbi mënyrën e ndarjes së mjeteve organizatave joqeveritare, Vendimi mbi emërtimin e çmimeve/dekoratave të KU-së, Plan-programi i zhvillimit të Tuzit për vitin 2009 dhe formimi i komisioneve për klasifikimin dhe grumbullimin e produkteve bujqësore në trevat e Malësisë.
Në këtë seancë të Kuvendit në plan ishte që të jepet edhe mendimi mbi raportet e punës së institucioneve publike të Kryeqytetit por, me propozim të kryetarit të Kuvendit, Nikollë Camaj, ato mbeten pa mendim të kësaj instance për arsye se, siç u sqarua, edhe pse institucionet publike i kishin dorëzuar raportet që në mars të këtij viti, Kuvendit të KU të Tuzit i kishin mbërritur vetëm pesë ditë para senacës, si edhe për arsye se ato nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe, me çka shkelet Kushtetuta dhe aktet e këtij Kuvendi, ku çdo akt duhet të jetë në të dy gjuhët.

M.Gjokaj
Koha Javore