Tahiri: Ligjet nuk jetësohen në praktikë

June 22, 2009   | Politika

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi_Tahir TahiriPodgoricë – Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, Tahir Tahiri, me bashkëpunëtorët, Ali Gjeçbritaj e Musa Gjokaj, u takua të premten në Podgoricë me përfaqësuesit e Komitetit të ekspertëve të Këshillit të Evropës për çështje të gjuhës së pakicave.
Ai i njoftoi mysafirët evropianë me rolin e KNSH-së, funksionimin e tij dhe me disa projekte që ky këshill ka realizuar deri më tani.
Pasi çështje kryesore e interesimit të mysafirëve nga Evropa ishte implementimi i Kartës Evropiane mbi gjuhët e pakicave në Mal të Zi, kryetari Tahiri vuri në pah problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Mal të Zi.
Ai nënvizoi sidomos mosjetësimin në praktikë të ligjeve që rregullojnë përdorimin e gjuhës në të gjitha nivelet institucionale, mungesën e përkthyesve në institucione gjyqësore, përkthimet e dobëta apo qëllimkëqija të teksteve shkollore, mungesën e mbishkrimeve në gjuhën shqipe dhe çështje të tjera.
Përfaqësuesit e Komitetit të ekspertëve nën udhëheqjen e raportueses nga Finlanda, Irja Surujërvi, pasi me vëmendje dëgjuan vërejtjet e përfaqësuesve të KNSH-së, premtuan se do të bëjnë analizën dhe për këto çështje do të raportojnë Këshillin e Evropës.

Kohapress

YouTube Preview Image