Dafina Zeqiri e kënaqur me klipin e ri

June 27, 2009   | Lajmet / Vijesti

Dafina ZeqiriPas klipit, pushimi i pashmangshëm

Edhe një këngë tjetër me ritme verore nga këngëtarja e mirënjohur Dafina Zeqiri. Kësaj radhe ajo ka provuar veten edhe në krijimin e këngës,
por duke qenë e ndihmuar edhe nga profesionistët. Për “Infopress”, Dafina ka pohuar gjithashtu edhe arsyet pse nuk do të kemi një album nga
këngëtarja kësaj vere
Një këngë ritmike, ashtu sikur edhe jemi mësuar që t’i dëgjojmë nga kjo këngëtare, i është shtuar fondit të Dafina Zeqirit. Ajo për “Infopress” ka pohuar se kjo është një këngë me të cilën është ndarë shumë e kënaqur si nga bashkëpunëtorët, ashtu edhe nga pritja që i është bërë nga publiku. “Është një këngë që i referohet më tepër jetës dhe kënaqësive që një vajzë dëshiron të arrij. Dua të dalë të kënaqem dhe nuk më bëhet vonë për asgjë, kjo është në përgjithësi esenca e këngës”, – pohon Dafina. Aranzhmanin e kësaj kënge e ka bërë Valon Fetiu që njëkohësisht është edhe bashkëpunëtor në realizimin e këngëve hite siç janë “Rrallë e për mall”, “Dua që ta di”, “I pabesë” dhe hite të tjera. Ndërsa, Dafinën jemi mësuar ta shohim vetëm në rolin e një këngëtareje, ajo ka filluar që ta provojë veten edhe në krijimin e këngëve. “Muzikën e kam kompozuar unë në bashkëpunim me Valonin”, – pohon ajo. Por, nuk janë vetëm këta emrat që fshihen pas kësaj kënge. Në fakt në gjithë realizimin e saj fshihen një duzinë njerëzish, por janë të rëndësishëm të ceken edhe krijuesit e vargjeve e që edhe këtu janë dy. “Tekstin e kanë shkruar ‘2po2’ dhe ‘Capital T’ dhe dëshiroj të them se jam ndarë e kënaqur shumë edhe nga vargjet që kanë krijuar ata”, – shprehet këngëtarja. Edhe pse Dafina ka krijuar një bagazh të tërë me këngë nga më të ndryshmet, adhuruesit e saj duhet të presin edhe pak kohë derisa ajo të jetë e gatshme për ta edituar një album. “Dua ta bëj një album, por jo të punuar shkel e shko. Dua që albumi im të përmbajë shumë këngë dhe të punuara me shumë profesionalizëm”, – pohon këngëtarja. Për kohën se kur adhuruesit e saj do të mund ta kenë në dorë albumin, ajo vetëm është e sigurt se kjo nuk do të ndodhë kësaj vere. Sipas Dafinës, albumi ose do të jetë i gatshëm gjatë dimrit ose në verën e vitit të ardhshëm. Arsye tjetër pse Dafina nuk do të sjellë një album kësaj vere, është edhe angazhimi i saj me punë në dy shtete të ndryshme. “Jam shumë e angazhuar si në Suedi ashtu edhe në Kosovë dhe nuk më del kohë e mjaftueshme që të punoj rreth albumit aq sa dua unë”, – pohon këngëtarja. Me gjithë angazhimet që ka dhe më gjithë punët që do të përfundojë gjatë verës, ajo nuk do të mund t’ia dilte pa i falur vetes disa ditë pushim. “Nuk mundem dhe as që dua ta paramendoj se nuk do të kem pushim. As që bëhet fjalë”, – pohon Dafina. Por për kohën dhe vendin se ku do të pushoj, ajo nuk ka finalizuar ende me planifikimin.

Doruntinë Demiri
Infopress


YouTube Preview Image

28