Kumtesë: Nikollë Camaj,reagon ndaj deklaratës të Ferhat Dinoshes

June 27, 2009   | Shtypi / Mediji

Nikollë CamajKumtesë për opinion e Kryetarit të Kuvendit të KU të Tuzit, me rastin e deklaratës së ministrit të ri të të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, z. Ferhat Dinosha, lidhur me statusin e Komunës së Tuzit

Deklarata e z. ministrit është rast i mirë që opinioni të njoftohet me sa vijon:
Kur z. Ferhat Dinosha, atëherë deputet e sot ministër, e përkrahu projektin e Komunës Urbane për teritorin e Malësisë, e kishte arsyetuar këtë me statusin e komunave urbane të Shkupit. Nuk dua të hamendësoj nëse z. Dinosha e dinte apo jo, se, në realitet, KU e Tuzit, me asgjë nuk është e ngjashme, as për nga statusi, as për nga kompetencat, me komunat urbane në rrethinë, andaj as me ato të Shkupit. Komuna Urbane e Tuzit nuk ka territorin e vet e as kufijtë kadastralë, të caktuar me vendim; nuk ka pronë, nuk ka buxhet të vetin e as nuk vjel të holla nga taksapaguesit. Ka vetëm Planin financiar, për realizimin e të cilit, sipas Ligjit, përgjegjës është Kryetari i KU, por ai nuk ka njohuri për shpenzimin e 80% të shumës së tij, konkretisht për pjesën që ka të bëjë me investimet kapitale, të cilat i realizon Agjencia për Ndërtimin dhe Zhvillimin e Podgoricës. Komuna Urbane e Tuzit nuk i përcakton prioritetet për investimet kapitale e as nuk i shpall tenderët për të njëjtat. Nuk ka të drejtë të nxjerrë planet urbanistiko-zhvillimore. Nuk mund të themelojë institucione dhe ndërmarrje publike. Nuk mban evidencën e banorëve të vet, nuk ka festën, e as simbolet e veta. Nuk mund t’i emërtojë rrugët e as të themelojë bashkësitë lokale. Këshilltarët e Kuvendit të saj nuk mund të jenë anëtarë në këshillat drejtues të ndërmarrjeve apo institucioneve publike e as që mund të marrin pjesë, në rolin e këshilltarit, me rastin e kurorëzimeve. “Bashkësia e komunave të Malit të Zi” nuk e njeh KU si njësi të Vetëqeverisjen Lokale, kështu që ajo nuk i ka kompetencat e parapara me Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe as me Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale. KU nuk merr mjete nga Fondi egalizues, madje as nga donatorët, sepse as ata nuk e njohin si njësi të vetëqeverisjes lokale. Për një status të këtillë duhet shpikur një emër tjetër, sepse kjo nuk është as komunë e atillë për çfarë jemi përcaktuar ne, e cila na takon, por madje as urbane. “As K nga komuna”, do të thoshte Dinosha i dikurshëm!
Në dyshimet, ose më mirë të them, pohimet e z. Dinosha, se Tuzi, si komunë e plotë nuk do të mund të vetëfinancohej, do të përgjigjem me këto fakte: territori i Malësisë përfshin një sipëfaqe prej 257 kilometra²; ka 4000 familje;158 shoqëri afariste, zejtare dhe afarist me 826 punëtorë, duke mos llogaritur këtu të punësuarit në shkolla, në shtëpinë e shëndetit, në polici, në vendëkalimin kufitar dhe në vreshtat (“Plantazhet”). A thua, mos këto i sjellin diçka arkës së Komunës? E kjo diçka me siguri është më shumë se ç‘është shuma e prezantuar me të hyrat, në Planin Financiar të KU të Tuzit. Nëse kësaj i shtojmë se në KU të Tuzit, ende mjaft mirë punon tregu i njohur i Tuzit, në të cilin shitësit ankohen për kompensime tepër të larta. Po ashtu, edhe vendkalimi kufitar, ka njëfarë domethënie për buxhetin e komunës në të cilën gjendet. T’i lëmë anash obligimet e tjera të cilat i ka shteti ndaj kësaj treve, ndaj komunave në formim, si dhe të ardhurat e mundshme nga donatorët dhe investuesit, të cilët i njohin, shumë mirë kapacitetet dhe mundësitë bujqësore dhe turistike të kësaj trevë; tokat pjellore, Liqeni i Shkodrës, Cemi, bjeshkët etj.
Qëndron fakti se ne nuk mund të vinim deri te të dhënat e sakta, për të ardhurat që vjelen në territorin e KU të Tuzit, por nëse i krahasojmë këto parametra me të njëjtat në komunat e tjera, në vend dhe në rajon, me siguri do të vijmë deri te shuma e buxhetit, për Komunën e plot të Tuzit, i cili do ishte më i madh se ai që aktualisht realizohet.

I di të gjitha këto z.Dinosha, por me deklaratën e vet, ministri Dinosha e ka demantuar deputetin Dinosha, i cili jo fort kaherë ka pohuar, në Parlament, se “statusi i këtillë për Tuzin, nuk është zgjidhje optimale as për UDSH”, duke paralajmëruar kështu se kjo është zgjidhje e përkohëshme e cila do të shqyrtohet pas katër viteve. Deklarata e dhënë lë përshtypje se ka hequr dorë nga qëllimet e tilla. Por, ekziston mundësia se qëndrimi i këtillë mund të jetë pasojë e trashëguar nga praktika e deritashme ë kësaj Ministrie, e cila në mënyrë konstante vazhdon të mos përzihet në punët e veta.

Me këtë rast, qëllimisht, do t‘i tejkaloj parametrat politikë, aktet dhe marrëveshjet e nënshkruara madje edhe nga ata, pastaj premtimet e shumta, obligimin kushtetues, etj, e po ashtu do ta anashkaloj edhe vlerësimin e z. Dinosha i cili kërkesën tonë për Komunë të plotë ua atributon emocioneve, sepse, kësaj radhe pata për qëllim, vetëm të tregoj absurditetin e një pohimi të tillë, se Komuna e Tuzit nuk do të mund të vetëfinancohej.


Nikollë Camaj
Kryetar i Kuvendit të KU të Tuzit

Kumtesën e publikuan të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike në Mal të Zi, e një pjesë edhe në Kosovë.

MALESIA.ORG

YouTube Preview Image