Zanfina Ismaili vjen me një këngë tipike verore

June 27, 2009   | Lajmet / Vijesti

Zanfina Ismaili.4Me ritëm për dy të dashuruar marrëzisht

Ndërsa xhirimet e fundit, për klipin më të ri të këngëtares Zanfina Ismaili kanë përfunduar të mërkurën mbrëma, duke finalizuar kështu të gjashtë skenat e parapara për këtë klip, këngëtarja është në pritje të plasimit të kësaj kënge nëpër televizione, i cili do të publikohet shumë shpejt. Është kjo kënga “Le të vdes në buzët tua”, e cila rikthen Zanfinën në skenë, sërish me shumë ritëm dhe gjallëri, sikundër ka ndodhur edhe me shumë këngë tjera të saj. “Është një këngë tipike verore me një tekst dashurie. Protagonistë janë dy të rinj të cilët janë të dashuruar marrëzisht në njëri-tjetrin, e të cilët do të sakrifikonin çdo gjë vetëm që të jenë bashkë. Është një tekst që nuk përcakton vetëm njërin nga dy gjinitë, por edhe meshkujt edhe femrat”, tregon këngëtarja duke sqaruar kështu brendësinë e tekstit.
Tekstin dhe muzikën për këtë këngë e ka realizuar kompozitori dhe tekst-shkruesi Arsim Bunjaku, ndërsa për orkestrimin është kujdesur Valon Fetiu.

Jam munduar që mos t’i përsëris gjërat e njëjta

“Deri sa në këtë tekst flitet për dy të dashuruar, kam menduar se do të ishte një plotësim i mirë në klip që në të mos të jem vetëm unë e pranishme, por të ketë edhe freski më diçka tjetër. Është hera e dytë që në klipet e mia ka edhe statist, për arsye se plotëson sadopak figurën mashkullore në klip dhe në këngë”, – rrëfen këngëtarja duke shpresuar se kënga dhe klipi do të pëlqehen nga publiku.
Xhirimet për klipin janë bërë në Shkup nga një video-produksion i atjeshëm. Ata janë kujdesur edhe për regjinë e klipit, gjithmonë në ndërthurje të ideve të këngëtares dhe regjisorit.
Për çdo detaj të pamjes së Zanfinës është kujdesur ajo vet dhe një grup njerëzisht profesionistë nga Prishtina, ndërsa ka qenë një angazhim mjaftë i madh në këtë drejtim, duke pas parasysh se në klip janë gjithsej gjashtë prezantime me pamje të ndryshëm të këngëtares.
Synimi kryesor i Zanfinës ka qenë që të mos përsëriten skenat e njëjta, duke pas parasysh se kohës së fundit klipet të cilat po realizohen në Shkup, sikur po ngjasojnë njëra me tjetrën, për shkak të lokacioneve të përsëritura. “Në prapavijë të klipit shihen skena të ndryshme. Në një pjesë të xhirimeve kam marrë edhe dy valltarët e mi, në mënyrë që ta freskoj sadopak klipin”, – potencon ajo.

Në fund të kësaj jave, në studio për këngën e re

Ndërsa vazhdojnë punët rreth duetit të Zanfinës dhe DJ Blunt, këngë kjo e cila është në realizim e sipër. Fundi i kësaj jave do të rikthejë Zanfinën në studion e incizimeve, ku do të incizohet kënga e radhës. “Përveç angazhimeve tjera në fund të kësaj jave do të incizoj edhe këngën e radhës. Kam marrë tekstin dhe muzikën dhe ka mbetur vetëm incizimi i zërit dhe gjithçka do të finalizohet. Tekstin për këtë këngë e ka shkruar Ilir Berani dhe nëse kjo këngë do të pritet mirë nga publiku do ta plotësoj edhe me klip. Besoj se do të dal një këngë e mirë. Tema në tekst më ka pëlqyer shumë dhe me sa di, është një temë e paprekur deri më tash”, – tregon këngëtarja, duke mos dhënë më shumë detaje rreth tekstit, për arsyeje se çdo gjë do të publikohet me kohë.
Ndryshe Zanfina qysh në fillim të korrikut fillon me mbrëmjet e ndryshme nëpër pishina dhe diskoteka të ndryshme nëpër Kosovë. Një ftesë e ‘Top Channel’ do ta transferojë Zanfinën në skenën muzikore në Shqipëri, ku këngëtarja do të këndojë për nder të pesë vjetorit të Top Medias, ndërsa do pasojnë mbrëmjet e ndryshme muzikore nëpër Kosovë.

Melihate Gashi
Infopress

YouTube Preview Image

4