Sali Berisha është fitues në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri,sipas Exit Poll

June 28, 2009   | Rajoni / Region

Fiton Berisha, sipas Exit PollPartia Demokratike e Sali Berishës është fituese në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.

PD ka fituar 47.5% të votave, ndërsa PS e Edi Ramës fitoi 38.8%. LSI e Ilir Metës ka fituar 6.5%, ndërsa 7.2% të tjerët.

Këto rezultate janë publikuar në TV Klan, në bazë të Exit Poll, të realizuar nga Instituti për Studime Humanistike “Gani Bobi”.

Rezultatet janë llogaritur nga 10051 anketa me votuesit në mbarë Shqipërinë. Marshi i gabimit llogaritet 1 deri 1.5 %.

Ky është vetëm një rezultat parashikues, i nxjerrë në bazë të anketave. Rezultatet e para zyrtare, që i jep KQZ, pritet të dalin më vonë.

Rezultatet e mandateve të fituara sipas koalicioneve:

PD 76 mandate
PS 60
LSI 4

Rezultatet në nivel kombëtar:

PD 47.5%
PS 38.8%
LSI 6.5%
Të tjera 7.2%

Rezultatet sipas qarqeve:

Tiranë
PD 49.7%
PS 41.7%
LSI 5%
Të tjera 3.6%

Berat
PD 23.7%
PS 44.2%
LSI 16.1%
Të tjera 16%

Dibër
PD 61.2%
PS 29.4%
LSI 6.5%
Të tjera 2.9%

Durrës
PD 61.2%
PS 31.8%
LSI 5.3%
Të tjera 1.7%

Elbasan
PD 48.3%
PS 42.5%
LSI 4.3%
Të tjera 4.8%

Fier
PD 40%
PS 40.2%
LSI 11.9%
Të tjera 7.9%

Gjirokastër
PD 33.7%
PS 41.8%
LSI 10.7%
Të tjera 13.8%

Korçë
PD 51.5%
PS 39%
LSI 4.6%
Të tjera 4.9%

Kukës
PD 62.1%
PS 27.4%
LSI 5.6%
Të tjera 4.8%

Lezhë
PD 53.9%
PS 31.2%
LSI 6.2%
Të tjera 8.6%

Shkodër
PD 61.2%
PS 30.3%
LSI 1.8%
Të tjera 6.7%

Vlorë
PD 33%
PS 45.1%
LSI 4.2%
Të tjera 17.7%

Përfundoi orari zyrtar i votimit

Ora 19:00 shënoi mbylljen zyrtarisht të qendrave të votimit. KQZ nuk doli me asnjë njoftim zyrtar për të shtyrë orarin e procesit të votimit.

Sipas rregullores, komisionerët e qendrave të votimit do të marrin dokumentat e identitifikimit të personave që ndodhen në radhë për t’u lejuar atyre votimin.

Votimi vazhdon edhe pas orës 19:00

Kryetari i Komisionit Qëndror Zgjedhor Arben Ristani deklaroi se me përjashtim të disa Qendrave të Votimit(QV), procesi ka ecur normalisht.

“Nëse në QV do të ketë radhë pas orës 19:00, atëherë QV do të vazhdojnë të qëndrojnë të hapura për të votuar qytetarët që presin”, ka thënë Ristani.

Ristani shtoi më tej se me përjashtim të disa QV-ve, procesi ka ecur normalisht deri në orën 16.00 dhe i bëri thirrje qytetarëve të shkojnë të votojnë.

”Procesi nisi normalisht në orën 07.00. Problemet ishin vetëm në disa qendra votimi të cilat janë pak për tu llogaritur me 4751 QV që ndodhen në të gjithë Shqipërinë.”

Kryetari i KQZ raportoi pjesëmarrjen e votuesve në të gjitha qarqet e vendit deri në orën 14.00. Në qarkun e Beratit janë regjistruar 37% e votuesve, në Dibër 44%, në Durrës 34 %, në Elbasan 37 %, në Fier 38 %, Gjirokastër 34%, në Korcë 35 %, në Kukës 41 %, në Lezhë 34 % në Shkodër 35 % në Tiranë 38 % dhe Vlorë 33 %.

Ristani tha se deri në orën 16.00 nga të dhënat zyrtare pjesëmarrja ka ardhur në rritje. Në Berat nga 37 %- ka shkuar në 45% . Në Dibër 45 %, Lezhë 49 %, në Tiranë dhe Shkodër pjesëmarrja ka arritur në 41 %.

Berisha: Pjesëmarrja në votime 40 % deri në 12:30

Kryeministri Sali Berisha, nga selia blu mbajti konferencën e parë për shtyp mbi procesin e votimit. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike pjesëmarrja në votimeve këtë herë është më e lartë se në 13 vitet e fundit. “Gjer në orën 12.30 minuta rreth 40 % është pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje”. Pjesëmarrja më e madhe sipas kryetarit të PD-së është në kryeqytet, Tiranë, në Shkodër, Durrës, Vlorë. Në qytete si Kukësi e Peshkopia pjesëmarrja është e kënaqshme tha Berisha.

Kryeministri ka bërë apel që qytetarët të votojnë për të vendosur epiketat për të ardhmen e tyre. I pyetur nga një gazetar se nëse zgjedhjet do të shpallen jashtë standardeve cila do të ishte përgjegjësia e qeverisë, Berisha u përgjigj: Do bëjmë gjickca për të plotësuar standardet” por nënvizoi me vetëdije se “fjalën e fundit do ta kenë vëzhguesit dhe raportet e asamblesë së OSBE-së, KE-së dhe të NATO-s të cilët do të japin vlerësimet e tyre.

Berisha iu përgjigj dhe incidentit me stilolapsat me mikrokamerave, dhe duke iu referuar kryetarit të PS-së Edi Rama tha: ”Kur ju thosha unë që ai fuste cimka në cantat e basketbollistëve nuk më besonit. Ju garantoj se asnjë votë nuk është regjistruar pasi ka blerës stilolapsa pa bateri”.

ODIHR: Zgjedhjet me rëndësi për Shqipërinë
Gjatë një inspektimi në qendrën e votimit në shkollën “Hasan Prishtina” drejtori i ODIHR, Janez Lenarcic theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Shqipërisë. I pyetur për incidentet e sotme me konmisionerët e Partisë Socialiste, Lenearcic deklaroi se do të bëhën të gjitha verifikimet e informacioneve dhe më pas do të procedohet me një deklaratë zyrtare nga ana e ODIHR. “Ajo cka është e rëndësishme është një pamje e përgjithshme dhe jo nga një apo dy vëzhgues” u shpreh Lenarcic.

TIRANE- Drejtori ODIHR, Janez Lenarcic ka inspektuar qendrën e votimit në shkollën “Hasan Prishtina” në kryeqytet. Gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat Lenarcic ka theksuar se ODIHR nuk mund të japë asnjë vlerësim paraprak brenda ditës së sotme për arsye se gjithcka do të bazohet në informacionet e 400 vëzhguesve të shpërndarë në të gjithë vendin.

I pyetur për incidentet e sotme me konmisionerët e Partisë Socialiste, Lenarcic deklaroi se do të behën të gjitha verifikimet e informacioneve dhe më pas do të procedohet me një deklaratë zyrtare nga ana e ODIHR.

“Ajo cka është e rëndësishme është një pamje e përgjithshme dhe jo nga një apo dy vëzhgues. Nesër do të publikohet vlerësimi paraparak i cili do të bazohet në informacionet e 400 vëzhguesve” theksoi drejtori i ODIHR. Raporti paraparak pritet të dalë gjatë ditës së nesërme ndërsa ai përfundimtar në ditët në vazhdim. Lenarcic theksoi rëndësine e këtyre zgjedhjeve për shqipërinë dhe shqiptarët.

KQZ: PS po krijon incidente me mikrokamerat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon Partisë Socialiste që të udhëzojë komisionarët e saj nëpër zonat zgjedhore që të mos përdorin aparatura, të cilat nuk janë në listën e elementeve të lejuara.

“Po përdoren llampa me ndriçim ultraviolete për identifikimin e kartave të identitetit, si dhe mikrokamera. Nga informacionet që ne kemi përdorimi i këtyre elementeve po krijon incidente të rënda. I kërkojmë anëtarëve në komisione të zbatojnë rregulloren, ndryshe KQZ do të reagojë me ashpërsi dhe do të kërkojë procesim penal, nëse këto akte do të vazhdojnë”, u shpreh zëdhënësi i Komisionit, Leonard Olli në një prononcim për mediat pas një mbledhjeje të fundit. Olli njoftoi se ne vazhdim do të këtë një mbledhje tjetër të Komisionit.

Bregu: Tahiri, po dëmton procesin zgjedhor

Pas incidentit në Kombinat reagon edhe Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses së saj, Majlinda Bregu, e cila akuzon kandidatin socialist për deputet, Sajmir Tahiri se me anë të aparaturave që tentoi të përdore, se po spiunon dhe dëmton procesin zgjedhor.

“Është e ndaluar të përdoren në qendra votimi elemente të tilla. Stilolapsi me kamera pasi fotografon momentin e votimit kthehet në një USB të thjeshtë. Socialistet nuk po mundohen të kenë kontroll dhe dijeni për procesin, por po kërkojnë t’i paraprijnë humbjes”, u shpreh Bregu. Sipas saj, procesi do të shkoje normalisht, ndërkohe që vëzhguesit po bëjnë punën e tyre dhe po verifikojnë çdo rast shkeljeje.

Incidenti me Tahirin, reagon PS

Reagon Partia Socialiste, pas incidentit ne Kombinat ku kandidati per deputet i Partise Socialiste, Sajmir Tahiri eshte larguar me dhune nga nje prej qendrave zgjedhore. Sekretari per Ceshtjet Zgjedhore ne Partine Socialiste, Kastriot Islami deklaroi se forcat policore kane goditur Tahirin, per shkak se ai mban mjete moderne per te ndaluar manipulimin e ketyre zgjedhjeve.

“I kerkojme ministrit Bujar Nishani qe te distancohet nga kjo ngjarje dhe te largoje vartesit e vet te armatosur nga qendrat zgjedhore”, u shpreh Islami. Sipas tij, ne udhezimin e KQZ nuk lejohen celularet, po nuk thuhet asgje per mjetet moderne qe ndalojne manipulimet.
Në orën 09.00 Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë raportimin e parë mbi procesin e votimit. Në një konferencë për shtyp direkt nga KQZ, zëdhënësi i këtij institucioni, Leonard Olli bëri të ditur se pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë shqetësim për hapjen e votimit.

“Në të gjitha rastet ka qenë prania e komisionarëve, vetëm në disa raste sporadike ka pasur vonesë të tyre, por jo mungesa. Shpresojmë të ecë normalisht procesi” theksoi Olli.

I vetmi shqetësim në formë sporadike ka qenë mungesa e bojës për të mundësuar vulosjen e kutive. “KQZ ka marrë masat për të cuar sa më parë në këto vende bojën dhe të ecë normalisht procesi”- shpjegoi Olli.

Sipas zëdhënësit të institucionit që administron procesin zgjedhor nga 4750 qendra votimi në të gjithë vendin, probleme mund të ketë pasur vetëm në pak qendra votimi.

“Nga 4750 qendra votimi në të gjithë vendin nëse ka probleme në rreth 20 QV atëherë këto probleme mund të quhen sporadike”- sqaroi Z. Leonard Olli i cili theksoi detyën e KQZ sot: Garantimi i të drejtës së qytetarëve për të votuar në mënyrë të painfluencuar” .

Nga gazetarët e NEWS 24, informohet se banorët e 4 fshatrave në Tepelenë e Fier refuzojnë të tërheqin materialet në shenjë proteste për mos investime si dhe ka pasur probleme me shpërndarjen e bazës së materialeve në disa Qv në Tiranë dhe në rrethe.

Shqipëria po voton

Në Shqipëri, sot në orën 07:00, janë hapur vendvotimet, të cilave kanë të drejtë t’ua mësyjnë mbi 3 milionë qytetarë shqiptarë – për të zgjedhur përfaqësuesit e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Zgjedhjet zhvillohen në 12 qarqe zgjedhore dhe në 100 zona elektorale, prej nga do të dalin 140 deputetë të Kuvendit të ri.

Beteja kryesore do të zhvillohet mes Partisë Demokratike të Sali Berishës dhe Partisë Socialiste të Edi Ramës. Saktësisht 34 parti janë grupuar në 4 koalicione kryesore, dy në spektrin e majtë dhe dy në spektrin e djathtë. Monitorimin e zgjedhjeve do ta bëjnë 1.500 vëzhgues të huaj nga OSBE-ODIR dhe nga Asambleja e Parlamentare e Këshillit të Europës.

Po ashtu, 2.500 vëzhgues vendas do ta përcjellin procesin. Vëzhguesit vendorë janë nga Koalicioni Vendor i Vëzhguesve dhe Lëvizja Mjaftë. Ministria e Brendshme ka angazhuar 5500 policë që do të ruajnë qendrat e votimit në gjithë vendin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkaq, ka angazhuar 50 mijë komisionerë, qe janë të ndarë në Komisione Zonale te Administrimit Zgjedhor, Komisione te Qendrave të Votimit dhe Grupe te Numërimit të Votave.

Beteja shqiptare
Nga Berat Buzhala & Leonard Kerquki

A do të mundte dikush ta paramendonte Sali Berishën e vitit 1991, duke i qëndruar përkrah “këngëtares” Çiljeta dhe duke i thurur asaj lavde për performansë të pëlqyeshme? Po, po Çiljetës, jo Fatmire Breqanit.

Po politikanët Gramoz Ruçin dhe Namik Doklen, duke vallëzuar në mes të Tiranës, nën ritmin e muzikës hip hop? Dhe jo pak të vallëzuar, sepse, meqë Edi Rama po hidhej, ata po provonin të kërcenin edhe më lart sesa shefi i tyre, për ta bindur se përnjëmend janë më të dhe se i takojnë politikës se re. E Ruçi është aq i vjetër, se edhe në kohën e Ramiz Alisë, kur edhe atëherë merrej aktivisht me politikë, nuk është konsideruar politikan junior.

Por, zori ku nuk të shti. Në zor janë edhe elita politike në Shqipëri. Kjo është Tirana në prag të zgjedhjeve. Politikanët e këtushëm, të polarizuar sa s’ka ku më shumë, janë në gjendje që deri në vdekje t’u binden urdhrave të kompanive të huaja konsulente që qëndrojnë prapa tyre, vetëm e vetëm që t’i fitojnë zgjedhjet.

Sali Berisha në paraqitjen e tij të fundit në televizion, të premten në mbrëmje, në emision Opinion tek gazetari Blendi Fevziu, ndonëse 64 vjeçar, ndonëse shumicën e jetës së tij e ka kaluar nën regjimin më te egër diktatorial, fliste me besim të plotë për të arriturat më të reja teknologjike. Fliste se sa praktik është firma BlackBerry e telefonave mobilë dhe se ka krijuar varshmëri kronike me të. Sali Berisha dhe BlackBerry!

Në anën tjetër, sfiduesi potencial i tij, Edi Rama, po ashtu në paraqitjen e tij të fundit televizive, por ky në televizionin Top Channel, u doli shqiptarëve me një kravatë me ngjyra të hapura dhe plot me lule. Kaq ekstravagant votuesve nuk i është paraqitur në fushatë zgjedhore as Kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, i cili është bajraktar në ketë rrafsh. Por, Johnson ka votues londinezët, ndërsa Edi Rama duhet të mbledhë vota edhe në fshatrat Paulesh dhe Peqin. Jo më vetëm në Tiranë, ku po fiton tash e një dekadë me radhe.

Sot, mbi një milion shqiptarë do t’ua mësyjnë kutive të votimeve. Sipas të gjitha gjasave, fituesi do të dihet në orët e para të së hënës. Mirëpo, ai do të shpallet të dielën, sapo të mbyllën kutitë e votimeve. Ndoshta do të shpallën dy fitues. Ndoshta në sheshet e Tiranës do të dalin të dyja palët të festojnë. Sepse kështu është skenari. Në televizionin Klan, sapo të mbyllën kutitë e votimeve në mbarë vendin, kompania kosovare për studime humanistike, Gani Bobi, do t’i bëjë publike të dhënat e Exit Pollit. Fiks në të njëjtën kohë, por në televizionin tjetër, Top Channel, kompania amerikane Zogby, do të shpalosë të dhënat e saj për fituesin e zgjedhjeve.

Asnjëra prej këtyre të dhënave nuk janë zyrtare. Këto janë rezultate që kompanitë hulumtuese i nxjerrin në bazë të intervistave që i zhvillojnë me qytetarët që sapo kanë votuar. Mandej, duke i krahasuar këto numra, supozojnë se cili është fituesi. Mirëpo, do të mjaftojë vetëm një indikacion më i vogël që rrugët të mbushën me militantë të partive të ndryshme. Ekziston mundësia që këto dy kompani hulumtuese të shpallin fitues të ndryshëm në orët e mbrëmjes të ditës së hënë. Nëse kështu ndodh, policia do të ketë shumë punë, me shumë koka të nxehta.

Përndryshe që një parti të fitojë të drejtën për të formuar Qeverinë, duhet t’i ketë në dispozicion së paku 71 vota. Kuvendi i Shqipërisë numëron gjithsej 140 deputetë. As një kryeministër normal nuk do të dëshironte ta shihte vetën peng të një deputeti. Por, kjo është situata momentale në Shqipëri.

Partia Demokratike e Sali Berishës, sipas të gjitha hulumtimeve të kryera në vend, do të dalë partia më e madhe pas zgjedhjeve të sotshme, por ekzistojnë mundësi minimale që ai t’i mbledhë më shumë se 70 deputetë në kampin e tij. Është normale të pritet që partitë e majta, kur të bëhen të gjitha bashkë – edhe pse ato nuk e kanë ndërmend të bëhen bashkë – të qëndrojnë më mirë me numra sesa spektri i djathtë. Prandaj, situata do të jetë shumë komplekse. Me një parti të djathtë m më së shumti vota dhe me një kamp të majtë si më i forti.

Por, si u bë që Sali Berisha të paraqitet kaq i fuqishëm në këto zgjedhje?
Ai, në vitin 2005, kur i fitoi zgjedhjet, erdhi në pushtet fal përçarjes historike në të majtën shqiptare dhe fal vrimës së zezë elektorale të quajtur “Dushk”, që si sistem ishte më i komplikuar se shumica e ekuacioneve matematikore që mësohen në shkollën fillore. Kurse, edhe pse në pushtet që katër vjet, edhe pse në dorë i ka shpërthyer një bombë aq e fuqishme sa ajo e Gërdecit, Berisha ka gjasa që në zgjedhjet e sotme të dalë më mirë sesa në zgjedhjet e vitit 2005. Ka mundësi që i vetëm t’i mundë të gjitha partitë e majta së bashku.

Të gjitha analizat tregojnë se Edi Rama gjatë fushatës zgjedhore ka bërë gabime të njëpasnjëshme. Të gjitha sondazhet tregojnë se prej kur ka filluar fushata zgjedhore Berisha është rritur në kontinuitet.

Kjo ka ndodhur sepse Partia Socialiste ka dështuar që të jetë e fokusuar në fushatën zgjedhore. Kohën më të madhe kësaj partie i ka marrë sensibilizimi i opinionit për një fatkeqësi që u ka ndodhur shqiptarëve, në shpërthimin e Gërdecit. Është konsideruar se Rama po provon që një dramë njerëzore ta kthejë në fat të tijin. Kjo nuk ka ecur mirë. Në anën tjetër, Rama ka dështuar t’i bindë votuesit se ai e ka sjell një frymë të re politike. Gjuha e tij ka qenë edhe më e egër se e Berishës. Bile, Berisha në emisionin tek Blendi Fevziu, duke u tallur, tha se nuk e kuptonte Ramën, që në mes tjerash, atë po e imitonte edhe duke bërtitur në tubime zgjedhore. Të mos përmendim tutje edhe plot figura antike që Rama i ka pasur në krah gjatë fushatës zgjedhore. Pra, janë Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, që mund të konsiderohen si ura lidhëse edhe me kohën e luftës partizano – gjermane.

Kurse Berisha fishekët e tij më të mirë i ka ruajtur për muajt e fundit të qeverisjes së tij. E ka dërguar vendin në NATO, e ka inauguruar projektin më të madh të shqiptarëve, rrugën Durrës-Kukës, ka aplikuar për pranim në Bashkimin Europian dhe normalisht e ka ruajtur vetëbesimin deri në arrogancë.

Emra të çuditshëm

Në zgjedhjet e së dielës garojnë 38 parti dhe 4 koalicione parazgjedhore – ai i PD’së, i PS’së, i LSI’së dhe koalicioni i Polit të Lirisë.

Duke pasur parasysh numrin e madh të partive, drejtuesit e tyre kanë shkrirë edhe pikën e fundit të kreativitetit për t’i emëruar ato.

Në ueb-faqen e KQZ’së gjenden emra nga më të ndryshëm të subjekteve që garojnë në këto zgjedhje, emra këta aspak të njohur për publikun.

Kështu në garë janë, bie fjala, Partia Kombëtare Konservatore Shqiptare, Partia Reformatore Demokratike Shqiptare, Partia Biznesi Shqiptar, Partia Mendimi Djathtë Liberal, Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare, Partia Lidhja Fshatare, Partia Centraliste e Mirëqenies Popullore, Partia e Komunistëve të Bashkuar të Shqipërisë, Partia Universale për Demokraci Amerikane, Partia Demokracia Paqësore, Partia Forca Albania apo edhe Partia Emigracioni Shqiptar.

Burimet: Gazeta Express/Tv Klan/BallkanWeb/Top Channel
http://91.187.97.13/video/images/content/Rtv21Video/Flash/Qershor/java-3/29_flash_13.flv

2