Mali i Zi në integrimet Evropiane

June 30, 2009   | Shoqëria / Društvo

Mali i Zi ne integrimet Evropiane.2Ndonëse edhe në kohën e RSF të Jugosllavisë Mali i Zi ka qenë pjesë e procesit të bashkëpunimit me Bashk­ësinë Evropiane, marrëdhëniet e ngushta midis Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian fillojnë pas referendumit mbi pavarësinë e Malit të Zi të datës 21 maj 2006.
Subjektiviteti juridik ndërkombëtar i Malit të Zi të pavarur u konfirmua me anëtarësimin në Kombet e Bashkuara më 28 qershor 2006, një muaj pas referendumit. Ndërkohë, mbi bazën dypalëshe, Malin e Zi e njohën një numër i madh vendesh, me shumicën e të cilave janë vendosur marrëdhënie diplomatike.
Qysh në fillim të qershorit të vitit 2007, Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare vendosën të zhvillojnë marrëdhënie me Malin e Zi. Ky është një hap historik i 25 shteteve anëtare të atëhershme, ngase Bashkimi Evropian mori për herë të parë një vendim kolektiv të këtij lloji.
Në korrik të vitit 2007 Komisioni Evropian përgatiti propozimin e direktivës negociatore ndaj Këshillit të Evropës, i cili e miratoi me procedurë të shkurtër në seancën e datës 24 korrik 2007 dhe autorizoi Komisionin Evropian që të hapë, gjegjësisht të vazhdojë negociatat mbi Marrëveshjen e stabilizim-asociimit me Malin e Zi.
Këto bisedime filluan në tetor të vitit 2005, derisa Mali i Zi ishte pjesë e bashkësisë shtetërore Serbia dhe Mali i Zi.
Pas disa runde bisedimesh politike dhe teknike, Marrëveshja e stabilizim-asociimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian u nënshkrua më 15 mars 2007 në Podgoricë.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes mbi stabilizim-asociimin më 15 tetor 2007 në Luksemburg, si dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së përkohshme mbi tregtinë dhe çështjet e ngjashme, Mali i Zi u kyç thellësisht në procesin stabilizim-asociimit në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja e stabilizim – asociimit u mbështet njëzëri nga të gjitha partitë parlamentare dhe u ratifikua në Kuvendin e Malit të Zi më 13 nëntor 2007, kurse Parlamenti Evropian dha pëlqimin më 13 dhjetor 2007.
Marrëveshja e përkohshme filloi të zbatohet nga data 1 janar 2008.
U themelua Këshilli i përkohshëm, i cili në mbledhjen e parë më 22 janar 2008 miratoi Rregulloren e punës dhe rregullat për punën e nënkëshillave.
Nënkëshilli i parë, për tregun e brendshëm dhe konkurrencë, u mbajt më 10 mars 2008, kurse gjatë vitit 2008 u mbajtën edhe mbledhjet e katër nënkëshillave të tjerë për ndjekjen e implementimit të Marrëveshjes.
Po ashtu, me Vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian të datës 15 shtator 2006 është vendosur dialogu i rregullt politik midis Qeverisë së Malit të Zi dhe përfaqësuesve të institucioneve të BE-së në rangun e ministrave, kurse dialogu i parë politik është zhvilluar më 22 janar 2007, e pastaj më 18 shkurt 2008.
Këshilli i BE-së më 22 janar 2007 mori vendim për miratimin e Partneritetit të ri Evropian për Paqe me Malin e Zi, në të cilin janë përkufizuar objektivat afatmesme dhe afatshkurtra që duhet t`i përmbushë Mali i Zi për të qenë eventualisht pjesë e BE-së.
Nga qershori i vitit 2005, kur u miratua Deklarata e Kuvendit të Malit të Zi mbi integrimet evropiane, e deri në fund të vitit 2007, Qeveria e Malit të Zi dërgoi dhjetë raporte tremujore gjithëpërfshirëse mbi aktivitetet e realizuara në procesin e integrimeve evropiane.
Kuvendi i Malit të Zi më 27 dhjetor 2007 miratoi dokumentin e ri, Rezolutën mbi përmbushjen e detyrimeve të Malit të Zi në kuadër të Marrëveshjes mbi stabilizim – asociimin.
Mali i Zi paraqiti kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2008. Kërkesa e nënshkruar nga zyrtarët më të lartë shtetërorë të Malit të Zi iu dorëzua presidentit te Francës, Nicolas Sarkozy, vendi i te cilit mban kryesinë e radhës te Bashkimit Evropian.
Më 23 prill 2009, Bashkimi Evropian, në nivelin e këshillit të ministrave të bujqësisë dhe peshkimit të mbledhur në Luksemburg, pranoi në parim kërkesën e Malit të Zi për statusin kandidat. Marrëveshja e arritur disa javë më parë në nivelin e përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel u miratua në këshillin e parë, pa pritur këshillin e ministrave të jashtëm që mblidhet në fillim të javës që vjen.
Sipas procedurës, vendet anëtare i kërkuan Komisionit të nisë hartimin e opinionit për gatishmërinë e vendit për të fituar statusin kandidat. Procesi i cili mesatarisht zgjat rreth një vit, në rastin e Kroacisë dhe Maqedonisë, vendet e fundit që kanë fituar këtë status, ka marrë disa muaj më shumë. Nëse gjithçka shkon mirë për Malin e Zi, siç deklaroi Komisioneri evropian për zgjerimin Olli Rehn para pak kohësh, procesi pritet të përmbyllet nga mesi i vitit 2010. Në komunikatën për shtyp të lëshuar nga Presidenca çeke e BE-së, pas vendimit në këshillin e ministrave të bujqësisë dhe të peshkimit, përsëritet se ky akt konfirmon perspektivën evropiane të rajonit të Ballkanit.
Marrja e statusit realizohet vetëm pasi Komisioni Evropian të hartojë një opinion pozitiv, në bazë të të cilit vendet anëtare kanë sërish të drejtën e votës. Dëshmitë e qarta të zbatimit të detyrimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përfshirë pjesën tregtare të saj, janë elementi kryesor për marrjen në konsideratë të aplikimit për anëtarësim të një vendi.

Përgatitur për botim nga Horizonti i Ri

Link: http://www.ngo-horizonti.org/
EVROPA PER TE GJITHE.pdf

YouTube Preview Image