U mbajt edicioni i 17-të i manifestimit letrar “Kalimera poetike”

July 7, 2009   | Kulturë / Kultura

Kalimera poetike 2009_Art Klub UlqinBasha dhe Çela, pjesë e rrjetës së madhe të Kalimerës Poetike
Kryetari i SHAI “Art Club”, mr. Haxhi Shabani, ka thënë se “Kalimera poetike” po përmbush së paku dy synime: komunikimin e vlerave të letërsisë më të mirë shqiptare me lexuesin shqiptar në Malin e Zi dhe më gjerë, por edhe synimin tjetër që ai e ka quajtur ekstra profesional, “po merret me analizat e majave të letërsisë shqiptare dhe më gjerë”.
Shabani ka thënë se në të ardhmen synohet që “Kalimera poetike” të shndërrohet në manifestim me përmasa vërtet ndërkombëtare, normalisht duke ruajtur identitetin e saj themelor, prezencën e letërsisë dhe kulturës shqiptare në të.

Pas emrave të njohur të letërsisë shqipe si Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Vath Koreshi, Enver Gjerqeku, Fatos Arapi, Din Mehmeti, etj., dy shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, Eqrem Basha dhe Zija Çela janë bërë pjesë e rrjetës së madhe të Kalimerës Poetike.
Ata kanë qenë të ftuarit e veçantë të edicionit të sivjetshëm të këtij manifestimi letrar, të 17-it me radhë, që organizohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.

Rritje cilësore nga viti në vit

Kryetari i SHAI “Art Club”, mr. Haxhi Shabani, ka thënë në fjalën përshëndetëse se “Kalimera poetike” e këtij viti duke pasur parasysh të ftuarit e saj dhe veprimtaritë e saj është pa dyshim një ecje edhe më e madhe cilësore, në krahasim me edicionet e viteve të tjera.
Sipas tij, “Kalimera poetike” po përmbush së paku dy synime: komunikimin e vlerave të letërsisë më të mirë shqiptare me lexuesin shqiptar në Malin e Zi dhe më gjerë, por edhe synimin tjetër që ai e ka quajtur ekstra profesional, “po merret me analizat e majave të letërsisë shqiptare dhe më gjerë”.
Haxhi ShabaniShabani ka thënë se në të ardhmen synohet që “Kalimera poetike” të shndërrohet në manifestim me përmasa vërtet ndërkombëtare, normalisht duke ruajtur identitetin e saj themelor, prezencën e letërsisë dhe kulturës shqiptare në të.
“Është koha që edhe në këto lloje manifestimesh letërsia shqiptare të ballafaqohet me letërsinë në rajon dhe më gjerë: në Mesdhe e në Evropë. Në këtë mënyrë ajo do të përballet me vlerat e saj që padyshim i ka me letërsitë e tjera, pasi që vlerat nuk kanë peshën e tyre të vërtetë nëse mbyllen brenda guaskës njëgjuhësore”, ka thënë ai.

Një personalitet kompleks dhe i veçantë i letrave shqipe

Mbrëmja e parë e Kalimerës Poetike i është kushtuar shkrimtarit akademik me origjinë nga Dibra, Eqrem Basha, për veprën e të cilit ka folur akademiku Rexhep Ismajli.
Ai ka thënë se “me një zë origjinal të rrëfimit gjenuin ballkanik, me prurje lëndore dhe tematizime vendore, me zhytje deri në skajet e mistershme të rezultatit të veprimeve që përtregohen sall kinde-kinde e pa sherr të orkestrimit të përgjithshëm të pushtuesit me gjuhë tjetër, Basha hyn në rrjedhat e një letërsie tashmë të diversifikuar edhe për efektin e krijimtarisë së tij”.
Akademiku Ismajli ka thënë se Basha nuk bën tregim me tezë, nuk ta imponon zgjidhjen dhe as zhytet kot në pyllin e pafund të konkretes.
“Ai vetëm përzgjedh atë që i duket më tipike për rrëfimin e tij e ndoshta për indi¬kimin e një ideje të përgjithshme, njerëzore, diku në skajet tona shoqërimore. Ai është mjeshtër i tregimit të formësuar, të pastër. Mjeshtër i tregimit shqip, ku përthyhen traditat dhe origjinaliteti i tij i spikatshëm”, ka thënë ai.
Për studiuesin Ismajli, shkrimtari Eqrem Basha paraqet një personalitet kompleks dhe të veçantë të letrave shqipe.
“Eqrem Basha në letrat shqipe të kësaj kohe zë një vend me peshë me poezinë e tij jashtë shtratit të patosit social-romantik, pllakatizues e folklorizues, me një poezi që më parë rrëfen në vargje urbanen, dhe brenda saj atë të përditshmen, efemeren, nga margjinat, që në fakt shpreh thelbin, me vargun e tij të lirë po të rrjedhshëm, spontan, të lehtë, jopretencioz, por sugjestionues, të thellë, që shpërthen drejt ironisë”, tha ai.

Jetëshkrimi si pararendës i veprës

Shkrimtari Zija Çela ka qenë i ftuari i dytë i edicionit të sivjetshëm të cilit i është kushtuar mbrëmja e dytë e tij. Për veprën e tij ka folur akademiku Mehmet Kraja.
Ai ka thënë se Zija Çela identifikohet si shkrimtar përfaqësues i letërsisë shqipe, në kohën kur në mileun shqiptar ndodhin ristrukturime dhe përmbysje të mëdha.
“Ndryshe nga shumë shkrimtarë të kësaj periudhe, të cilët nuk arrijnë t’i kapin këto rrjedha, me Zija Çelën do të ndodhë një fenomen tjetër: ai do të jetë në krye të shkrimtarëve shqiptarë që, në pikëpamje letrare, nuk e traumatizon rënia e një sistemi vlerash dhe ngritja e një sistemi të ri vlerash. Ai do të jetë në krye të radhës së shkrimtarëve shqiptarë, i cili rënien e një shkolle dhe metode letrare, siç ishte realizmi socialist, nuk do ta përjetojë si çorientim. Përkundrazi. Përparësitë e braktisjes së kësaj shkolle letrare dhe fuqizimin e pluralizmit të metodave dhe shkollave letrare, ai do ta materializojë me veprat e tij më të arrira, që domethënë se Zija Çela as në kohët më të liga, nuk ishte rob i konventave dhe kufizimeve”, ka thënë Kraja.
Akademiku Kraja ka thënë se jetëshkrimi i Zija Çelës, si i shumë shkrimtarëve të tjerë, është pararendës i veprës së tij, me një ndryshim që ndonjëherë kufizohet me fatalitetin inverzibil, se shkrimtari bën jetën për të shkruar veprën.
“Ndërkohë, fati biografik i autorit do të ndjekë një vijë tjetër, po aq mistike në esencën e saj, por të pamëshirshme në raport me ligjet e jetës. Them mistike, sepse një humanizëm dhe një altruizëm i këtillë, që e manifeston autori në krejt veprën e tij, do të duhej të shpërblehej në mënyrë pragmatike me një lumturi të kësobotshme. Mirëpo, nuk ndodh kështu, sepse ligjet e proveniencës janë të tjera: Zoti u shkakton vuajtje atyre që i do më së shumti. Zija Çela humb djalin, Dritanin, në moshën e tij më të mirë, një përkthyes i shkëlqyer, një inkarnim i jashtëzakonshëm i fisnikërisë dhe virtyteve më të larta njerëzore. Kjo rrethanë mund të bënte që Zija Çela të jepte shenja luhatjeje, të zhgënjehej, të shfrynte mllef ndaj fatit, ndaj njeriut, ndaj botës, ndaj proveniencës, ndaj çdo gjëje. Por ai, pikërisht siç ndodh në librat e shenjtë, gjithë këtë vuajtje dhe pësim e kthen në dashuri. Libri autobiografik “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” e dëshmon pikërisht këtë, ndërkohë që romani “SOS një buzëqeshje” është përgjigja më e jashtëzakonshme, e pashembullt, e pangjashme që një shkrimtar mund t’i japë sfidave dhe pësimeve të jetës”, ka thënë ai.
Kraja ka thënë po ashtu se shkrimtari Çela është nga shkrimtarët e paktë te ne që ka arritur të krijojë autorësi, që domethënë se vepra e tij i ka shenjat e njohjes, ka emblemën e saj.
Gjatë dy mbrëmjeve, pjesëmarrësve u janë drejtuar edhe vetë shkrimtarët e ftuar të cilët kanë folur për krijimtarinë e vet, jetën si dhe kanë lexuar pjesë të krijimtarisë së tyre.

Log i fjalës kritike

Ditën e dytë të manifestimit “Kalimera poetike”, në një ambient të veçantë në grykëderdhjen e lumit Buna është përuruar libri me titull “Orët letrare universitare”, në të cilin janë përmbledhur 12 studime të dhjetë studiuesve mbi veprën e autorëve të ftuar në Kalimerën poetike.
Për librin ka folur studiuesi mr. Anton Gojçaj, i cili ka thënë se në këtë libër me titull pretendues “dhjetë pena majemprehta depërtojnë thellë dhe larg, duke lënë pas vetes një “kaligrafi” mendimesh e shpjegimesh, orientimesh e instruksionesh”.
“Pothuaj të gjithë autorët e këtyre studimeve, eseve, vështrimeve, janë profesorë universiteti, akademikë, doktorë shkencash, magjistra dhe, shpesh, edhe vetë shkrimtarë. Së këndejmi edhe titulli i librit del i qëlluar, kurse “orët letrare universitare” tani më janë në kërkim të lexuesve të vet”, është shprehur Gojçaj.
Po ditën e dytë të manifestimit, në grykëderdhjen e lumit Buna është mbajtur edhe Ora e madhe e poezisë ku kanë marrë pjesë poetë dhe shkrimtarë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.
Kalimera poetike, të cilën e organizon SHAI »Art Club« që nga viti 1993, është e vetmja veprimtari e këtij lloji te shqiptarët në Malin e Zi dhe më gjerë, si dhe një ndër manifestimet letrare më elitare kur merren parasysh personalitetet letrare të cilët kanë marrë pjesë në këtë veprimtari.

I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image