U mbajt tryeza me titull “konsolidimi i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi”

August 2, 2009   | Reportazh / Reportaža

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi_logoPa konsensus për çështjet që brengosin shqiptarët
Podgoricë – Projekti për Marrëdhënie Etnike, një organizatë joqeveritare amerikane, organizoi të hënën në Podgoricë tryezën me titull “Konsolidimi i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi”.
Përveç temës themelore që ka të bëjë me rolin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, në tryezë është diskutuar mbi temat që brengosin pakicën shqiptare në Mal të Zi dhe se a ekziston konsensusi në skenën politike shqiptare në Mal të Zi.
Tryezën e hapen ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Ferhat Dinosha, dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Mal të Zi, Kevin Lyne, ndërsa ajo është moderuar nga Alex Grigoriev, drejtor ekzekutiv i Projektit për Marrëdhënie Etnike.
Përveç ministrit Dinosha dhe ambasadorit Lyne, në tryezë ishin të ftuar ndër të tjerë kryetari i KNSH-së, Tahir Tahiri, Mehmet Bardhi, kryetar i LD në MZ dhe deputet në Parlamentin e Malit të Zi, kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, deputetët në Parlamentin e Malit të Zi, Amir Hollaj, Genci Nimanbegu, Luigj Shkreli, Mehmet Zenka, Halil Dukoviq, Fuad Nimani, këshilltar politik i Presidentit të Malit të Zi, kryetari i Komunës dhe i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga dhe Muhamet Nika, kryetari i KU dhe i Kuvendit të KU të Tuzit, Smail Çunmulaj dhe Nikollë Camaj, sekretari i KNSH-së, Daut Ceka, zyrtari i lartë i PER-it, Shpëtim Gashi dhe Ivana Vukçeviq, zyrtare politike pranë Ambasadës së Britanisë së Madhe në Mal të Zi.
Sipas burimeve jozyrtare, pjesëmarrësit nuk arritën konsensusin brenda spektrit politik të shqiptarëve në Mal të Zi mbi çështjet më vitale për shqiptarët.
Tryeza, e cila ishte e mbyllur për media, u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe, Qeverisë së Malit të Zi dhe kryeqytetit Podgorica.
Tryeza tjetër e radhës parashikohet të mbahet në shtator.

M. Gjokaj
Koha Javore