Ulliri është si nëna

August 2, 2009   | Reportazh / Reportaža

ulliriNjë nga thëniet e vjetra thotë se ulliri është si nëna: të jep pa rezervë madje edhe atëherë kur vite me radhë është e lënë pas dore. Ndryshe nga hardhia, e cila krahasohet me femrën: ndëshkon menjëherë çdo mungesë vëmendjeje.
Ullishtat e Ulqinit janë lënë pas dore në vitet e shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të fundshekullit të kaluar. Asohere ulqinakët më me ëndje merreshin me turizëm me një biznes gjoja më të levërdishëm gjë që u tregua e suksesshme për ullishtarinë. Kjo sepse gjatë kësaj periudhe në Europë janë shfrytëzuar mjaft pesticidet dhe plehërat artificiale, si rezultat i të cilave janë ndotur sipërfaqe të mëdha bujqësore. Tani ky është parakusht i domosdoshëm që ulliri të kultivohet në mënyrë ekologjike.
Mirëpo, në ullishtarinë e Ulqinit vërtetë ka probleme të mëdha. Kjo sepse vjelen vetëm 70% e ullinjve, sepse nuk janë mbrojtur varietetet autoktone, nuk është bërë kadastri i ullishtave, ndihma e shtetit është simbolike, importohet vaji i ullirit kryesisht me cilësi të dyshimtë, kështu që çmimi i tij në supermarkete është rreth pesë euro. Një litër i vajit të prodhimit të vendit shitet me çmim prej gjashtë deri tetë euro, dhe pikërisht vetëm “në të zezë”. Shumica e ullishtarëve e merr vajin e vet pas përpunimit e pastaj e magazinon në kushte të dobëta, ashtu që ai humbet cilësinë e vet.

Rikthimi tek ulliri

ulliri i ulqinitGjatë disa viteve të fundit në Ulqin është evidente tendenca e kthimit tek ulliri dhe ullishtaria, por kjo është ende larg nga mundësitë dhe nevojat.
Kështu, bie fjala, në këtë komunë sot kemi rreth 86 mijë trungje ullinjsh. Po të merret parasysh fakti se një e pesta e ullinjve ndodhet në gjirin e Valdanosit (dhe ku ullishtat tashmë 31 vite me radhë po shkatërrohen, kurse dëmi vlerësohet në shumën mbi 100 milionë euro!, dhe se një e treta e ullinjve nuk vilen (!?), se ullishta është bërë tokë ndërtimore, pema e shenjtë pritet dhe digjet qëllimisht, së këndejmi mund të vihet në përfundim se gjendja e ullishtarisë në Ulqin sot është në pozitë tejet të palakmueshme.
Këtë e dëshmon fakti se në këtë vit kanë qenë hapur shtatë mullinjë, përkatësisht tre më pak sesa vitin e kaluar. Në fillim të shekullit të kaluar vetëm në Mahallën e Re kishte 15 mullinjë! Është e vërtetë se mullinjtë e ullirit tani janë më cilësorë dhe se mund të përpunojnë më shumë ullinjë, gjë që shkurton kohën e përpunimit të frytit të ullirit dhe ndikon pozitivisht në dinamikën e ngritjes së ullishtave të reja dhe në cilësinë e vajit të vendit.
Nga Qeveria Malazeze vite me radhë porosisin që “ullishtaria meriton një kujdes akoma më të madh” dhe paralajmërohet që “në të ardhmen do të insistohet në revitalizimin e ullishtave ekzistuese dhe në ngritjen e një numri akoma më të madh të ullishtave”.
Ullishtarët dhe pronarët e mullinjëve të ullirit gjithashtu kërkojnë realizimin më të shpejtë të programit operativ të mbjelljes së ullishtave, kërkojnë stimulim për revitalizimin e ullishtave të vjetra dhe të lëna pas dore, linja kreditore me norma interesi prej katër deri pesë përqind në shkallë vjetore.
Për bujqit, periudha kreditore nën 12 vite konsiderohet afatshkurtër. Kjo sidomos në ullishtari, e cila në pesë vitet e fundit ka ciklin vijues. Një vjelje është jashtëzakonisht e mirë, dy të mira, kurse dy vjelje të tjera janë tejet të dobëta.
“Detyrë jonë themelore duhet të jetë ngritja e nivelit të dijes së prodhuesve mbi nevojën e aplikimit të teknologjive të reja, mbi përkujdesjen e ullishtave dhe mbi vjeljen dhe përpunimin bashkëkohorë si dhe mbi trajnimin e ekspertëve të cilët do të lëshonin certifikata mbi vajin e ullirit. E gjithë kjo është e nevojshme në mënyrë që të krijohet brendi i vajit të ullirit”, thotë pronari i mullirit të shquar të ullirit “Vëllezërit Kollari” Ruzhdi Kollari.

Shembulli i Kroacisë

ullishta-e-ulqinitSe si funksionon kjo në praktikë, tregon shembulli i Kroacisë, në të cilën çdo vit mbillen rreth 250 mijë fidane të reja të ullinjëve! Kështu, për shembull çmimi i një hektari ullishte të re është rreth 13 mijë euro, për çka nga shteti merren rreth katër mijë euro, Zhupania dhe komuna financojnë blerjen e fidaneve, kurse prodhuesit e vajit ekstra virgjëror marrin subvencione të shtetit për çdo litër të vajit të shitur legalisht.
Pra, në Kroaci e kanë kuptuar që nga ullishtaria sot mund të jetohet bukur dhe mirë. Të gjithë ata që kanë 150 trungje ulliri, fitojnë rreth 10 mijë euro në vit. Sikur anologjia të zbatohej ndaj Ulqinit kjo do të thoshte se nga ky biznes do të mund të jetonin (apo të kishin të ardhura të mëdha shtesë) rreth 600 familje, respektivisht mbi 2000 njerëz! Historia është dëshmitare se këtu me qindra vite jetohej në këtë mënyrë. Ka qenë e zhvilluar detaria, tregtia, zejtaria, bujqësia dhe ullishtaria. Në konceptin e zhvillimit të qendrueshëm drejt të cilit gjoja synojmë, këtë përsëri duhet potencuar. Sot, mbase më tepër sesa kurdoherë më parë.
Noja, ulliri dhe bekimi

Profeti i Zotit Noja (Nuh a.s.) u vendos pranë bjeshkës Ararat (Xhudij) dhe lëshoi pëllumbeshën e cila u kthye para muzgut duke mbajtur në sqep degën e ullirit, shenjë që uji është tërhequr, se mllefi i Zotit është qetësuar dhe si provë të sigurtë se në këtë vend të bekuar është rritur ulliri. Pas kësaj bota ka filluar të jetojë në epokën e paqës. Besoj se me rikthimin drejt ullirit edhe Ulqini dhe banorët e tij aktual i kthehen vetvetes, paqes, mençurisë, plleshmërisë, përparimit.
Nuk është e rastësishme që në këtë vend të mrekullueshëm qindra vite me radhë rritet dhe kultivohet ulliri. E kjo është një bimë e bekurar, më saktësisht, secila degë e tij është e bekuar. Për këtë arsye, kushdo që fut në vetvete lëngun, vajin që fitohet nga fryti i trungut të ullirit, merr bereqetin dhe bekimin e tij, qoftë edhe sikur të mos e ketë merituar. Thjesht, gjallesë mbi të cilën Krijuesi hedh bekimin e vet, ky bekim do të përhapet mbi gjithçka që bie në kontakt. Pra, gjatë tërë historisë, ulliri ka qenë simbol i jetës, i paqes dhe shpresës. Mirësitë e kësaj peme të shenjtë vinin duke u shtuar nëse mundi dhe dashuria e njerëzve rriteshin. Së këndejmi ullishtarët gjithëherë kanë pasur shpresa dhe pritje të mëdha, por një paqe të brendshme magjepsëse.
“Mendoj se pothuajse plotësisht kemi hyrë në kurth se mund të jetohet pa punuar. Nëse dëshirojmë që këtë periudhë të krizës ta përballojmë më lehtë do të na nevojitet shumë punë, shumë angazhim dhe sakrificë. Por, për ullirin s’ka krizë!” shton Kollari.
Zoti e krijoi ullirin dhe ua dhuroi njerëzve pikërisht për shkak që vaji i tij t’u ndihmojë në punët dhe ndërmarrjet e vështira. Mjekësia konfirmon fjalët e profetit se ulliri dhe vaji i ullirit forcojnë fuqinë e njeriut, zhdukin apatinë, forcojnë nervat, parandalojnë alivanosjen, zbukurojnë pamjen fizike të njeriut, fisnikërojnë shpirtin e njeriut dhe zhdukin shqetësimin.
Të gjitha këto na janë më se të nevojshme, sidomos pas një stine turistike kaq të dobët.

Mustafa Canka
Koha Javore

YouTube Preview Image