A do të rrezikohet Ada?

August 5, 2009   | Lajmet / Vijesti

ada bojanaSynimi i Shqipërisë, që afër kufirit me malin e Zi të ndërtojë një central bërthamor, sipas disa vlerësimeve të ekologëve do të rrezikonte edhe zonën e Adës së Bunës, që shtrihet në fund të Plazhit të Madh të Ulqinit.
Pas informacioneve të kohëpaskohshme për synimin e Shqipërisë që në Liqenin e Shkodrës, dhe shumë afër kufirit me Malin e Zi të ndërtojë një central bërthamor, opinionin malazez tani po e mundon edhe lajmi tjetër, se Shqipëria planifikon të ndërtojë një hidrocentral në lumin Drin, sërish afër kufirit me Malin e Zi, por kësaj radhe në rajonin e Ulqinit. Një projekt i tillë, sipas vlerësimit të ekologëve, do të mund të ndikonte tejet negativisht në resurset e vlefshme ekologjike dhe turistike të asaj zone.

Të hënën ishte e pamundur të merrej ndonjë informacion zyrtar për synimin e Shqipërisë që afër kufirit me Malin e Zi të ndërtojë hidrocentralin, i cili do të mund të rrezikonte zonën e Adës së Bunës (Ada Bojana), që ndodhet në fund të Plazhit të Madh të Ulqinit. Në Ministrinë për Rregullimin Hapësinor dhe të Mbrojtjes së Mjedisit të Malit të Zi thanë se për këtë është përgjegjëse Agjencia e tyre për mbrojtjen e mjedisit, por që drejtoresha, Daliborka Pejovic, s’mund t’i përgjigjej pyetjes.

Nuk ishte i mundur as kontaktimi i drejtorit të Entit për Mbrojtjen e Mjedisit, Zlatko Bulic, i cili nuk ndodhej në zyrë. Në Ambasadën e Shqipërisë në Podgoricë po ashtu s’ishte e mundur të kontaktohej me personin e autorizuar për komunikim me media. Organizatat lokale ekologjike, sikurse edhe opinioni lokal, nuk disponojnë me informacione zyrtare për ndërtimin e hidrocentralit shqiptar, i cili do të ndikonte negativisht në mjedisin jetësor të zonës së Ulqinit.
fejzo-hoxha-_profesor-_ekollogu-i-ulqinit
“Të dielën jemi informuar jozyrtarisht se planifikohet të ndërtohet një hidrocentral i madh në lumin Drin. Këtë absolutisht e kuptojmë si një informacion që ende s’është i konfirmuar dhe zyrtar”, theksoi Fejzi Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ekologëve ‘Kalimera’, nga Ulqini.
Përkundër mundësisë që Shqipëria të ndërtojë centralin ndikimi negativ i të cilit do të ndjehej përtej kufirit me Malin e Zi, diskutabile është edhe ajo se opinioni malazez deri më tani nuk është njoftuar me planet e tilla. Sipas informatave mediale, institucionet kompetente shtetërore malazeze për këtë projekt kanë kuptuar tek para dhjetë ditësh. Sipas informacioneve të ditores podgoricase ‘Vijesti’, në tribunën publike ‘Vlerësimi i Ndikimit të Ndërtimit të Hidrocentralit Ashta, në Drin”, të mbajtur kohë më parë n Shqipëri, përfaqësuesit e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit ishin të habitur me faktin që deri më tani Mali i Zi nuk ishte njohur zyrtarisht me këtë projekt.

Sipas informatave jozyrtare, puna e këtij hidrocentrali do të ndikonte katasrofalisht në shtratin e lumit Buna, gjegjësisht, ekziston mundësia që Ada e Bunës (Ada Bojana), e cila paraqet një resurs të rëndësishëm ekologjik dhe turistik të Malit të Zi, të zhduket pjesërisht, e ndoshta edhe plotësisht.
Kryetari i Shoqatës Ekologjike ‘Kalimera’, të Ulqinit, Fejzi Hoxha, e kundërshton fuqishëm këtë projekt, megjithëse shpreson se do të gjendet zgjidhje në nivel shtetëror, por edhe me bashkëpunimin e organizatave ekologjike të të dy shteteve.

“Unë, si ekolog, gjithsesi jam kundër, natyrisht, nëse vjen deri te ndërtimi dhe nëse fillohet të punohet seriozisht në atë drejtim. Një projekt i tillë do të prodhonte pasoja të paparashikueshme për ekologjinë, biodiversitetin, dhe kjo pastaj, normalisht, ndikon edhe në ekonomi dhe turizëm… Megjithatë, mendoj se për këtë do të bisedohet në nivel shtetëror. Ne pjesën tonë të punës gjithsesi do ta bëjmë, sapo të kemi qëndrimet zyrtare. Dhe ne, si ekologë dhe sektor joqeveritar, do të japim mendimin tonë. Sidoqoftë, mendoj se, thënë kushtimisht, ne do të jemi kundër, dhe do të punojmë me organizatat joqeveritare shqiptare, në Shkodër, me të cilat kemi bashkëpunim të mirë”, sqaroi Hoxha.

Mali i Zi është nënshkruese e konventës së ashtuquajtur ESPO, gjë që e obligon atë që në projektet me rëndësi për mjedisin, gjegjësisht në procesin e vlerësimit të tyre, të përfshijë edhe ekspertë nga rajoni. Këtë dokument e kanë nënshkruar edhe Serbia, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Rumania, dhe, sipas të dhënave në dispozicion, edhe Shqipëria.

Evropa e Lirë
YouTube Preview Image