Dëshmi e dashamirësisë vëllazërore,Shembull i bashkëjetesës

August 7, 2009   | Shtypi / Mediji

Kryeimami Beqir Gjokaj _Pater Pashkut Gojçaj_Muhamed GjokajPër arritjen e një harmonie mirëkuptimi për të gjithë, Malësia përvetësoi kodin moral, të cilin e thithi nga librat e shenjtë , Bibla dhe Kur’ani dhe ato vlera hyjnore i zbatuan në praktikë, të cilat me kalimin e kohës u bënë parime, norma, zakone dhe traditë që udhëheqin veprimet e individit tonë dhe krejt shoqërisë në marrëdhënjet ndërnjerëzore”. Në thellësinë e shpirtit të besimtarit nga kjo trevë, mbizotëron një vlerë e përbashkët, “besimi në një Zot” si urë e fortë e komunikimit dhe urë ndërlidhëse midis tyre me një mirëkuptim, vëllazëri dhe kulturë.
Malësia në vitet e fundit kaloi nëpër situata tejet të vështira, komlekse, plot paragjykime dhe stereotipe të injektuara si trup i huaj brënda korpusit ton nacional. Mirëpo, falë traditës sonë shekullore, trupi ynë ka imunitetin e vet i cili i përballont situatat e tilla.
Raste të tilla ndodhin se janë të prodhuara nga anash, që nxisin përçarje dhe urrejte, për qëllime të caktuara.
Ne jemi popull pakicë dhe shumë lehtë individë të pandërgjegjshëm mund të keqpërdorën për qëllime të caktuara në këtë drejtim.
Por siç thotë një thënje e vjetër, “Se në vështirësi burrat dallohen ”, në këtë rast personalitetet që me autoritetin e vet bashkojnë dhe udhëzojnë në rrugë të drejtë e dëshmojnë edhe njëherë se besimi në një Zot, bashkon.
“Mirë se vjen në Dinoshë”, ishin fjalët e Kryeimamit të Dinoshës z.Beqir Gjokaj drejtuar z. Pater Pashkut Gojçaj i cili hyri në Xhaminë e Dinoshës dhe u përqafuan vëllezërisht.
“Malësia ka qenë çdoherë e bashkuar, shembull i vërtetë i bashkëjetesës. Këto duam edhe ne t’i trashëgojmë, si vlerë hyjnore që populli ynë e ka përvetësuar”. Kështu u shprehën të dy klerikët tonë.
Nuk fshihej dot, gëzimi në fytyrat e tyre, duke dhënë intervistë të cilën e moderonte z. Gani Vila, pronar i Televizionit “Albanian TV” i Michiganit.
Dëshmitarë të këtij takimi ishim unë dhe Gjokë Dukaj, me çrast e vlerësuam lart gjestin e tillë si dëshmi origjinale dhe autentike të dashamirësisë vëllazërore në këto treva.
Ishte një moment i veçantë si vetë takimi ashtu edhe intervista e zhvilluar brenda Xhamisë. Intervista dukej me shumë si një bisedë vëllezërore sesa intervistë.
Fjalët që renditnin dy klerikët ishin plot butësi dhe respekt. Në të gjitha temat e shtjelluara vërehej një mirëkuptim i ndersjellë.
Prandaj besimi te Zoti pasqyrohet jo vetëm përmes sinqeritetit dhe pastërtisë shpirtërore të besimtarit dhe lidhjes së tij me krijuesin, por ajo pasqyrohet edhe përmes ndjenjës së respektit, mirëkuptimit, bashkëjetesës ndaj njerëzve, në veçanti të atyre me bindje dhe besime të tjera.
Ne jemi dëshmitarë të vizitës së Papës Gjon Palit të Dytë xhamisë “Al Aksa” në Palestinë dhe pasardhësit të tij Raicinger, Papës Benedikti XVI – në takimin me udhëheqësit e besimit Islam, me rastin e vizitës së tij në një xhami në Turqi.
Ato ishin takime që kishin përmasa të mëdha botërore ku me siguri se një shtrirje dore dhe një përqafim i përfaqësuesve të dy besimeve ishte sinjal i fortë dhe i qartë për mbarë botë dhe besimtarët kudo që jetojnë dhe çfarëdo besimi që i takojnë, se duhet të ruajnë paqen, tolerancën dhe mirëkuptim ndërfetar .
Mbase për ne Shqiptarët kjo nuk është risi, kjo traditë në mesin e popullit tonë, ekziston ndër shekuj. Realiteti ynë është i mbushur me vlera të mëdha tradicionale shpirtërore, kryevlera e të cilave është ajo e besimit në një Zot.
Për arritjen e një harmonie mirëkuptimi për të gjithë, Malësia përvetësoi kodin moral, të cilin e thithi nga librat e shenjtë , Bibla dhe Kur’ani dhe ato vlera hyjnore i zbatuan në praktikë, të cilat me kalimin e kohës u bënë parime, norma, zakone dhe traditë që udhëheqin veprimet e individit tonë dhe krejt shoqërisë në marrëdhënjet ndërnjerëzore”. Në thellësinë e shpirtit të besimtarit nga kjo trevë, mbizotëron një vlerë e përbashkët, “besimi në një Zot” si urë e fortë e komunikimit dhe urë ndërlidhëse midis tyre me një mirëkuptim, vëllazëri dhe kulturë. Imazhi i tyre njerëzor ka një botë të brendshme shpirtërore të pasur e që më së miri pasqyrohet duke ruajtur këtë traditë të respektit dhe bashkëjetesës.
Kjo dëshmon në çdo kohë identitetin moral dhe rrënjët e thella të besimit të vërtetë, te Zoti i vetëm dhe i përbashkët në shpirtin, e ndërgjegjen e besimtarit fisnik shqiptar, kudo që ai jeton apo ndodhet në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë. Nëpërmes kësaj tradite të shkëlqyer, shqiptarët kanë treguar para vetes së tyre dhe botës, se besimi në Zotin dhe feja nuk është dukuri që prodhon antagonizma, apo fenomen shkatërrues, përçarës, luftënxitës, por forca progresive, që do të thotë veti civilizuese, vëllazëruese, duke promovuar mirësitë që ofron besimi për njerëzimin, duke ruajtur të vërtetën, moralin dhe bashkëjetesën, në kohëra të vështira siç dinë të jenë ato edhe sot.
Takimi i Kryeimamit B.Gjokaj dhe Pater Pashkut në xhaminë e Dinoshës, tegon, se nëse niveli kulturor i besimtarit është i lartë dhe cilësor, natyrisht edhe interpretimi i vlerave merr karakterin elitar me moral qytetërues dhe progresiv. Për këtë arsye në realitetin tonë, prania e intelektualëve në jetën fetare duhet të jetë më prezente, sepse ky frymëzim i promovuar nga dy klerikët është në frymën e diturisë dhe edukatës që u japin një dimension bashkëkohor vlerave tona morale, ku qëndrojnë aktivisht të gjalla Besa,bujaria dhe mikpritja malësore.
Ky frymëzim që promovuan dy klerikët nuk është gjë tjetër veçse tradita jonë e cila ekziston me shekuj në shpirtin e malësorëve të dy besimeve, të cilët kanë ndërtuar marrëdhënie reciproke të vlerave shpirtërore, por që herë pas here është e nevojshme të rifreskohen në memorien tonë, çfarë edhe e bënë prijësit tonë fetarë.
Këtë shfaqje të besimit, dashurisë vëllezërore, respektit reciprok do të duhej ta vlerësojmë, jo vetëm ne si qytetarë të Malësisë, por krejt shoqëria në Mal të Zi, në rajon apo në mbarë botën.
Kjo tërësi vlerash në realitetin tonë është e vetmja pasaportë e identiteti tonë shqiptar, e pranuar nga bota e civilizuar duke na renditur në piedestalin më të lartë si komb me mirëkuptim ndërfetar, me për një përmbajtje njerëzore e dinjitoze dhe me respekt të bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme.
Prandaj, çdo shqiptar kudo që ai jeton, duhet të jetë mirënjohës dhe mbrojtës i këtyre vlerave qytetëruese të trashëguara nga lashtësija jonë.
Muhamed Gjokaj
Koha Javore