Formimi i Klubit do të faktorizojë përfaqësimin e shqiptarëve

August 9, 2009   | Shtypi / Mediji

ali-rexhaEdhe pse në Zgjedhjet Parlamentare të Malit të Zi shqiptarët në mënyrë masive u përcaktuan për partitë nacionale, për fat të keq, bazuar në rrjedhat e fundit të Kuvendit Republikan, po shihen mangësi në perfaqësimin e interesave të shqiptarëve. Kjo u pa në seancën e fundit të Kuvendit, pikërisht gjatë „orës ministrore“ ku deputetët shqiptarë nuk i parashtruan asnjë pyetje Kryeministrit duke krijuar kështu përshtypjen se shqiptarët i kanë zgjedhur te gjitha problemet e veta dhe nuk kanë asnjë vërejtje për punën e deritanishme të Qeverisë.
Pse ndodh kjo? Për ata që janë më pak të informuar, cekim se kjo ndodh për arsye të mosformimit të klubit të deputetëve shqiptarë, ngase sipas Rregullores së punës të Kuvendit, të drejtë për të shtruar pyetje kryeministrit kanë vetëm klubet e deputetëve, e jo deputeti veçmas. Kjo do të thotë se deputetët shqipatarë nëse nuk e formojnë klubin e tyre, atëherë përpos atyre pyetjeve të parashtruara gjatë emërimit të mandatarit, edhe në të ardhmen, pa formuar klubin e tyre, nuk do të kenë të drejtë t`i parashtrojnë asnjë pyetje kryeministrit!
PPD u tërheq vërejtjen deputetëve shqiptarë që me mirëkuptim të arrijnë një marrëveshje ndërpartiake dhe të formojnë sa më parë klubin e tyre. Përndryshe, nëse ia lejojnë vetes që edhe më tutje të punojnë të pavarur (lexo: përçarë) dhe jashtë Rregullores së punës së Kuvendit do të rrëshqasin në poltronizma dhe do të punojnë në shërbim të qeverisë në mënyrë të kushtëzuar. Këtë bindje e mbështesim duke analizuar rastin e fundit të emërimit të deputetit Hollaj për anëtar të Komisionit për integrime…. me propozim te deputetit, Bardhi. Kjo kandidaturë u përkrah edhe nga gishtërinjtë e «DPS-SDP» edhe pse rregullorja e Kuvendit nuk lejon një gjë të tillë për shkak të mungesës së Klubit shqiptar. Kjo shkelje e rregullores, gjegjësisht përkrahje me siguri do të ketë çmimin e vet si psh. votë e sigurtë në punën e komisionit te udhëhequr nga partia në pushtet. Se kjo nuk është krejtësisht konstatim hipotetik dëshmojnë edhe disa shkrime në media.
Mendojmë se mosformimi i klubit të përbashkët të deputetëve shqiptarë hedh dritë në defektet e pariparushme, të paktën deri tani, të subjekteve nacionale të cilat çuan në pamundsinë e krijimit të koalicionit gjithëshqiptar, ose të paktën që shqiptarët të shkonin në dy apo më së shumti tri kolona, gjë që do të ishte më frytdhënëse për përfaqësim të denjë. Formimi i Klubit do të faktorizojë përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi dhe më gjerë.
Po ashtu, tërheqim verejtjen se edhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve ka mangësi të shumta, dhe si forum i qeverisë me mandat zgjedhor nuk reflekton drejt realitetin e ri; andaj, ky forum medoemos do te duhet të rizgjidhet. PPD është e mendimit se për këtë çështje duhet të inicohen tryeza të rumbullakta për të tejkaluar problemin e paraqitur me Këshillin Nacional ntë Shqiptarëve mënyrë që të fitohet një përfaqsim meritor.
(autori është kryetar i PPD-së)

Ali Rexha
Koha Javore