Kush po gjuan me gurë Kosovarët

August 10, 2009   | Reportazh / Reportaža

Pushimet ne Ulqin_Mali i ZiËshtë më se e qartë se nuk mund të cilësohet “pushim” për turistët që vijnë për të kaluar pushimet në Mal të Zi dhe të shoqërohen nga policia deri te destinacioni i sigurt. Vetë fakti se për shkak të sigurisë së tyre autobusët janë të detyruar të udhëtojnë në kolonë, të shoqëruar nga policia, krijon frikë dhe pasiguri te turistët
Kaluan dy vjet nga rasti kur disa vandalë sulmuan autobusin e agjencisë “Barileva” në linjën Ulqin-Prishtinë, me ç’rast i thyen xhamat dhe i kërcënuan udhëtarët me shkopinj të bejzbollit. Në këtë autobus ndodheshin shumë studentë shqiptarë që studiojnë në Kosovë. Se çfarë po ndodhte në ndalesën e Bioçës, përmes celularit më njoftuan familjarët e mi që po udhëtonin me autobus. Kjo ishte arsyeja që unë isha i pranishëm në momentin kur policia i ndaloi këta vandalë që thyen autobusin.
Në shkrimin e para dy viteve, të publikuar në gazetën “Koha javore”, rastin në fjalë e quajta“Fenomen i gjuajtjes me gurë”, ku kërkova që organet kompetente të ngrejnë aktakuzë për këta persona dhe të tjerët që kishin gjuajtur me gurë autobusat me targa të Kosovës që transportojnë turistët e shumtë nga Kosova.
Por për faktin se aktet e gjuajtjes me gurë dita ditës janë duke u përsëritur, ndërsa ende nuk kemi një përgjigje të fortë të shtetit për zbardhjen e rasteve në fjalë ndalimin e personave që kryejnë krime të tilla, ky realitet zbeh dukshëm efikasitetin e organeve që ruajnë rendin kushtetues dhe sigurinë në vend. Rastet e këtilla tani nuk mund t’i quajmë më rastësi, por janë një realitet dhe si të tilla mund të quhen dukuri negative e shoqërisë malazeze. Kjo dukuri jo vetëm se dëmton rëndë imazhin e një vendi që e promovon veten si destinacion atraktiv dhe të sigurt për turistë, por dëmton rëndë edhe zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e vendit i cili të ardhurat më të mëdha pret t’i sigurojë pikërisht nga turizmi.
Është më se e qartë se nuk mund të cilësohet “pushim” për turistët që vijnë për të kaluar pushimet në Mal të Zi dhe të shoqërohen nga policia deri te destinacioni i sigurt. Vetë fakti se për shkak të sigurisë së tyre autobusët janë të detyruar të udhëtojnë në kolonë, të shoqëruar nga policia, krijon frikë dhe pasiguri te turistët.
Edhe pse në këtë sezon turistik Ulqini dhe qytetet e tjera bregdetare në Mal të Zi shënojnë rënie të theksuar të turistëve në planin e përgjithshëm nacional, duket se Ulqini është destinacioni më i prekur nga dukuria e gjuajtjes me gurë duke qenë se është evidente që gjuhen me gurë vetëm autobusët me targa kosovare. Shkak për këtë mund të jetë urrejtja dhe paragjykimimet e krijuara ndaj shqiptarëve te disa individë në të kaluarën apo edhe një akt i organizuar me synim të caktuar për të dëmtuar zhvillimin e Ulqinit si vendi më me perspektivë në Mal të Zi, pasi që është e natyrshme që kjo do të reflektohet negativisht në fluksin e turistëve që duan të vizitojnë Ulqinin, si dhe vetë zhvillimin e këtij qyteti.
Normalisht këto janë supozime, por të gjitha qëndrojnë përderisa këto raste po ndodhin në realitet, në një shtet i cili diti të përgjigjej shumë ashpër dhe me vendosmëri ndaj shqiptarëve në rastin e aksionit policor “Fluturimi i Shqiponjës” megjithëse ata nuk thyen asnjë xham apo rrezikuan dike. Në rastin në fjalë pati shumë arrestime të publikuara, ngritje akuzash dhe procese gjyqësore. Nga ana tjetër, edhe pse kemi raste të përsëritura të krimeve që shkaktojnë dëme materiale konkrete, por edhe ndikojnë dukshëm në keqësimin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijojnë frikë dhe pa siguri, ndaj këtyre rasteve kriminogjene ende nuk kemi persona të paraburgosur, ngritje akuzash dhe zhvillime të proceseve gjyqësore ndaj personave, tanimë fantazëm, që gjuajnë autobusët me turistë shqiptarë.
Prandaj nga kjo mund të lindin disa pyetje? Kush janë këta persona që gjuajnë me gurë? Pse nuk zbulohen dhe publikohen emrat e tyre dhe kundër tyre të ngriten aktakuza sipas ligjit? Pse nuk sanksionohet kjo dukuri nga ana e shtetit dhe organeve kompetente? Pse nuk kemi një përgjigje të vendosur dhe adekuate të shtetit për të parandaluar dhe çrrënjosur këtë dukuri e cila rëndon mbi imazhin e një shoqërie që pretendon të integrohet në Europë?
Në këto dhe shumë pyetje të tjera, u munduam të marrim përgjigje nga organet kompetente. Por përkundër përpjekjeve tona, duke qenë se nuk arritëm të kontaktojmë personat përgjegjës, nuk patëm mundësi të marrim informacione më të hollësishme lidhur me rastet në fjalë.
Turistët kosovarë të cilët për shkaqe të frikës dhe të ndjenës së pasigurisë apo të keqtrajtimeve gjatë rrugës për në Ulqin ndoshta këtë vit vendosen të mos i kalojnë pushimet në plazhet tona me qëllim që t’i evitojnë rastet e pakëndshme që i sjell ky aks rrugor. Ata tani kanë mundësi të udhëtojnë për në Ulqin edhe përmes rrugës kombëtare Kukës-Durrës dhe më pas përmes vendkalimit kufitar të Sukubinës, si rrugë më e sigurt drejt destinacionit tanimë tradicional të Ulqinit. Në këtë mëyrë do të përfitojmë të gjithë dhe Ulqinit do t’i rikthehet përsëri po i njëjti shkëlqim si destinacion më i preferuar, që ofron më së shumti në bregdetin malazez.
Ulqini dhe ulqinakët e meritojnë t’u jepet edhe një shans që të dëshmojnë se janë liderë të vërtetë sa i përket mikpritjes dhe organizimit të sezonit turistik, në veçanti për turistët shqiptarë dhe gjermanë të cilët vite me radhë ishin adhurues të plazheve të bregdetit më të bukur në Mal të Zi, siç din të jetë vetëm bregdeti i Uqinit.
Muhamed Gjokaj
Koha Javore

http://shqiphost.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/ulqin.flv