Manjola Nallbani: Familja ime, perandoria ime

August 15, 2009   | Lajmet / Vijesti

Manjola NallbaniZilja e celularit, i shpërqendron vëmendjen. I përgjigjet thirrjes dhe rrudh ballin aty për aty. Sindi, nga ana tjetër e linjës, qan: “Mami, dua të vish të më marrësh, tani, menjëherë’. E vogla s’është më shumë se 5 vjeç e gjysmë, tekanjoze domosdo. Ajo vetë kish qenë, që rreth një orë më parë i kish kërkuar të ëmës, ta çonte te gjyshja. Siç fëmijët rëndom e bëjnë një kërkesë të tillë. Por mesa duket, kish ndërruar mendje shpejt dhe donte të kthehej në shtëpi… “Po shpirt, erdha”, përgjigjet Manjola Nallbani, tashmë duke buzëqeshur. Trembja e çastit të parë i ka kaluar, me të marrë vesh pse qante e bija. Fundja, është mësuar me tekat e më të voglës së shtëpisë.

I telefonon të shoqit që ta kryejë ai “detyrën” ndaj Sindit dhe vazhdon bisedën. Do të kthehet në shtëpi pak më vonë, por jo shumë vonë, sepse meqë është e premte, do të dalin të gjithë së bashku për një drekë. Ajo, Sokoli, Megi dhe Sindi 5- vjeçare, që këmbëngul atë mesditë, të mos rrijë më gjatë në shtëpinë e gjyshes.

***

Manjola Nallbani.1Nuk është Manjola e skenës, atyre çasteve. Është gruaja dhe nëna e dy vajzave që po rrëfen me të gjithë qenien e saj për to. Sigurisht, në kornizimin e pamjes asgjë nuk ndryshon. Ose, më saktë, pothuaj asgjë. E trukuar me kujdes, e krehur (flokët prej shumë kohësh vazhdojnë të jenë të verdha, të zgjatura deri në bel), me një fustan xhins që i lejon të duken linjat e përkryera të gruas, edhe pse 40-vjeçare, dhe një palë sandale tejet verore, me ngjyra të theksuara e të larta. Bizhuteritë janë vetëm një palë vëthë të florinjtë, që ngatërrohen herë pas here me flokët e gjatë dhe dy unaza. Asgjë më shumë. Ka të ngjarë që, askush nuk ka pasur rastin ta shohë Manjola Nallbanin me një pamje të shkujdesur. Sepse në siluetën e saj asgjë, pothuaj asnjëherë nuk i shpëton syrit vigjilent që e vëzhgon përmes pasqyrës, në momentin e fundit, para se të mbyllë pas vetes derën e apartamentit e të dalë në rrugë. Është e bindur mandej, përmasa publike që ka, ia imponon edhe kujdesin për pamjen. Por kjo, nuk nënkupton se është e tëra, sy e veshë, në dispozicion të figurës së jashtme… Aspak, sepse ajo pjesë e saj që ka të bëjë me shtëpinë, familjen, veçanërisht me vajzat, është çka përthith përqendrimin kryesor të vëmendjes së Manjola Nallbanit. Nuk është aspak e tepërt të thuhet se këngëtarja e suksesshme e skenës shqiptare, është nëna ideale e fëmijëve të saj. Nuk ngurron të jetë vetësakrifikuese, sidomos sa herë bëhet fjalë për vajzat, Megin 16-vjeçare dhe Sindin evogël. Në këto raste gjithçka tjetër vjen e dyta në listë. Sigurisht, edhe karriera. Dhe ka jo pak raste për të rrëfyer, kur, meqë i është dashur të bëjë zgjedhje, ka preferuar ti thotë “jo” pikërisht propozimeve të punës… S’ka si të ndodhë ndryshe…është nënë.

* * *

Manjola Nallbani.2E ngacmuar edhe nga telefonata, Manjola, fillon e flet për Sindin, për kënaqësinë apo shijen që i ka dhënë atmosferës së shtëpisë prania e një fëmije tjetër, teksa fëmija i parë ishte rritur tashmë. Ama, njëfarësoj duhet falënderuar e rritura, për kërkesën këmbëngulëse që i drejtonte, gjatë gjithë kohës, prindërve të saj e që ata, përfundimisht vendosën ta marrin në konsideratë. Sepse, në të vërtetë, ishte Megi ajo që donte një motër, ose një vëlla. E donte me çdo kusht: “dua një motër ose vëlla, e rris vetë… ta paguaj…”, kish shkruar ajo në një letër drejtuar së ëmës”. Është një histori më vete për t’u rrëfyer: Megi, sapo kish mbushur 11 vjeç dhe çfarë donte ishte thjesht dhe vetëm përmbushja e kërkesës, asgjë më shumë, për një “lodër” ndryshe nga lodrat me të cilat qe rritur. Kaq. Por… E ku mund ta dijë një vajzë e vogël, se një bebe, mund të shndërrohet aty për aty në një “rival”. Vetëm kur kërkesa e ripërsëritur, iu përmbush, pa vëmendjen e së ëmës, të shpërndarë. Pa kujdesin që kërkonte dhe e merrte bebja qaramane. Pa se motra e vogël, nuk ishte aspak një lodër në dispozicion të saj, siç mund të kish përfytyruar me mendjen e saj prej fëmije. Dhe… filloi të xhelozohej duke befasuar edhe prindërit e papërgatitur për këtë reagim. Filloi të vinte re se tashmë ishin dy fëmijë në shtëpi, dhe siç ndodh rëndom më i vogli, aq më tepër bebe, kërkonte më shumë kohë, më shumë angazhim, përkushtim… Eh, deri para se të mbërrinte bebja, i gjithë angazhimi, përkushtimi, vëmendja i drejtoheshin asaj. Sytë e mamit dhe babit ishin vetëm mbi të. E ku mund të ishin tjetër… Por tani… Kurse, mami Manjolës s’i mbetej veç t’i kujtonte Megit letrën që vetë e kish shkruar (sigurisht të ruajtur edhe sot, në sëndukun e kujtimeve të familjes). Sakaq, të priste me durim kalimin e fazës së vështirë psikologjike për më të madhen, për të cilën e vogla, tek rritej po fillonte të bëhej interesante. Tashmë tingëllon si diçka për të qeshur. Megi i ka mbushur të 16-at, dhe ajo që shpreh me të gjithë qenien e saj, është një dashuri e pakufishme ndaj të motrës, e për më tepër, ka kohë që di dhe dëshiron që t’i shtojë vëmendjes dhe përkushtimit të prindërve, edhe atë të sajin, të motrës së madhe kësaj here. Ama, e vështirë ishte faza që kaloi, që kishte formën e xhelozisë shkaktuar nga një rivalitet mes motrash, që psikologët dinë mirë ta shpjegojnë si një fenomen normal dhe kalimtar.

* * *

Manjola Nallbani.3Gjithsesi Manjola Nallbani është nëna e dy vajzave. “Më mirë që janë dy vajza”, thotë duke shpjeguar se është kjo ç’kishte dashur gjithnjë, përkundër të shoqit që ëndërronte një djalë. Do të tingëllonte më natyrshëm nëse edhe vetë Manjola do të kish pasur të njëjtën dëshirë me të shoqin. Tek e fundit, pse jo,pas vajzës, një djalë. Por këngëtarja ka shpjegimet e vetapër ketë dëshirë. Ku ta dish pse, e ka ndjerë mungesën e një motre. Lidhja me të vëllanë ka qenë, dhe vazhdon të jetë, tejet e fortë, ama në përfytyrimin e saj një motër ishte shumë më tepër. S’ka gjë se shoqja e saj e ngushtë e fëmijërisë dhe rinisë së hershme, ia bënte të qartë, se një motër nuk do të thotë domosdoshmërisht një shoqe, duke i rrëfyer përvojën e vet, dhe duke i shpjeguar karakteret e ndryshme që dy motra mund të kenë, gjë që mund të ndodhë t’i mbajë të larguara nga njëratjetra. E megjithatë, kjo s’e bëri Manjolën të mos vazhdonte të ëndërronte motrën e munguar dhe, të mos mendonte gjithnjë, gjatë shtatzënisë së dytë, që ti dhuronte Megit, pikërisht një motër. Nga ana tjetër: Më mirë që mes vajzave ka një diferencëmoshe. Sepse fëmijëritë e të dyjave i ka shijuar. Ama ka një problem të vogël që po e sheh në këtë fazë të rritjes së të bijave: nënës i duhet të bëjë kapërcime të atypëratyshme apo shndërrime. Fillimisht i duhet të merret me një 5- vjeçare, dhe tekat e saj, here për të qeshur, argëtuese a relaksuese, e herë lodhëse. Pastaj i duhet të shndërrohet: të ulet e të flasë në kanape, me një të “rritur”, me një adoleshente, duke u përfshirë në një botë, për hir të së vërtetës jo edhe aq të lehtë. Jo vetëm larg botës së fëmijëve, por edhe tejet larg botës, interesave, mendimeve, koncepteve, këndvështrimeve… të vetë prindit. “Përpiqem të jem shoqe për time bijë”. Thotë se flasin gjatë dhe për çdo gjë njëra me tjetrën. Megi është mësuar ti rrëfehet s’ëmës. Kurse kjo e dyta është mësuar të kuptojë dhe madje të reagojë në mënyrën e duhur, të bëjë sugjerimin e duhur. Të gjejë ekuilibrat. Dhe i kthehet kujtimeve të largëta, kohës kur ajo vetë ishte adoleshente. Rreket të imitojë të ëmën apo mënyrën se ajo e trajtonte Manjolën, duke e bërë të ndihej mirë me moshën e vet, apo duke e ndihmuar herë pas here me mendimet apo sugjerimet për të cilat vajza kishte nevojë. Në fakt, Megi rezulton të jetë një fëmijë shumë i mbarë. Me rezultate të shkëlqyera në shkollë, por mbi të gjitha nuk shfaq shenja të një adoleshence të vështirë. E këtu Manjola ndihet me fat. Por nuk harron të qartësojë se, për të, fati vetëm nuk mjafton. Dhe këtu e ka fjalën për shumëçka, për gjithë jetën e saj në vijimësi: “Duket sikur njerëzit janë eksperimente të Zotit- thotë- por, më shumë se këtë besoj interpretimin sipas të cilit: Zoti të jep shumëçka dhe mandej së lartmi vështron aftësinë e njeriut për të përdorur dhuntitë apo, pse jo, për të rikuperuar mangësitë”. E këto duhet të dish ti bësh. Në mos, të mësosh ti bësh, ndaj dhe fati i vetëm, shpesh nuk mjafton. Manjolës shpesh fati i ka qëndruar në krah, por edhe ajo, ka ditur ta kanalizojë atë siç duhet… Por le të kthehemi te vajza adoleshente, për të cilën mamaja është idhulli, të cilin fati ia ka vënë përballë, mund ta prekë, mund të flasë me të, ta dëgjojë, të mësojë prej saj e sidomos, marrë përkëdheljet e saj…

* * *

Po, idhulli i Megit ka emrin Manjola. Në moshën kur e kupton se çdo të thotë emër publik, famë, reputacion e të tjera kësisoj, me shumë krenari 16-vjeçarja, identifikohet me emrin e së ëmës, s’ka gjë se mbiemri i dallon nënë e bijë. Ka shumë gjasa (s’ka se si të ndodhë ndryshe), po kaq krenare duhet të jetë edhe me figurën vizive të së ëmës, elegancën gjenetike, që me ç’duket që tani, ka fatin ta trashëgojë. E vogla ka kohë që të mendojë për të tilla gjëra, ndoshta do ti ngjasë së motrës në këtë pikëpamje, kur të fillojë të kuptojë më shumë. Fundja a nuk i ndodh edhe vetë Manjolës një gjë e tillë? Edhe sot e gjithë ditën, ajo e gjen veten duke ia njohur së ëmës meritën e siluetës fine që ka. “E kam trashëguar prej saj”, thotë sa herë ndodhet ballë komplimenteve për elegancën… Por edhe më shumë se kaq i pëlqen që të gjejë gjëra për t’u krahasuar me nënën. Sidomos kur krahasimi kërkon të ketë paralele mes Manjolës si nënë dhe nënës së Manjolës. Madje, më shumë se kudo, në këtë këndvështrim, e ëma është modeli i Manjolës të cilin i pëlqen ta ndjekë. Pa pretenduar se nuk ka, tek tuk, gjëra të së ëmës, që nuk do ti imitojë. Gjëra, të cilat, më shumë se të ëmës personalisht, i takojnë brezit të saj. E ka fjalën për prirjen që kishin për të jetuar për “të tjerët”, apo heqjen dorë nga disa kënaqësi vetjake… “Sigurisht edhe unë i jap vëmendje “të tjerëve”, por gjithsecilit aq sa meriton, dhe… ka aq pak njerëz në këtë jetë për të cilët ia vlen të jetosh, apo edhe thjesht të mendosh…”. …Logjika e ftohtë, dhe racionaliteti duket sikur nuk kanë lidhje me natyrën emocionale të artistit. Por në këtë rast, Manjola Nallbani i takon kategorisë së njerëzve racionalë. Dhe ka të ngjarë që mos jetë një rast i shkëputur në jetën e saj, në mënyrën se si funksionon, se si jeton… Sepse fundja, është tepër e logjikshme në gjithçka që thotë. Sepse tingëllon shumë objektive kur flet, s’ka gjë nëse objekti i bisedës është ajo vetë, nëna e saj apo vajzat. Ndryshimi i brezave, s’ka pse ta cenojë objektivitetin…

* * *

…Zilja e celularit tringëllon sërish. Nuk është Sindi që qan. Është Sokoli. Të tre, ai bashkë me vajzat, po e presin. Do të nisen diku, për drekë…


Panorama

YouTube Preview Image