Intervistë me kryetarin e kuvendit të komunës së Ulqinit, Muhamet Nika

August 17, 2009   | Intervista / Intervju

MUHAMET NIKA _KRYETARI I KUVENDIT TË KOMUNES SE ULQINITNuk do të ketë zgjedhje të parakohshme lokale

Z. Nika, Kuvendi i Komunës së Ulqinit udhëheqet nga Koalicioni „Për Ulqinin Evropian“ (Partia Demokratike e Socialistëve, Unioni Demokratik i Shqiptarëve) dhe tre këshilltarët e PPD-së, të cilët së bashku përbëjnë shumicën parlamentare prej 17 këshilltarësh nga gjithsej 33 sish. Sa jeni të kënaqur me produktivitetin e punës së Kuvendit, veçmas muajve të fundit kur jemi dëshmitarë të zvarritjeve të gjata të seancave të Kuvendit?

M. Nika: Partia e Prosperitetit Demokratik dhe unë personalisht e kemi ditur që kjo bashkëjetesë me partitë që ju i përmendët nuk do të ishte tepër e lehtë duke pasur parasysh diversitetin programor të këtyre partive me të cilat ne nuk nënshkruam koalicion paszgjedhor, por bëmë një shumicë parlamentare e cila nënkupton që subjekti im politik përpiqet maksimalisht të ruajë dhe të zhvillojë identitetin e vet si parti nacionale. Kjo ka sjellë që të kemi edhe situata të tensionuara në Kuvend, ku shpesh herë klubi i partisë sonë din të votojë edhe me klubet e opozitës, duke mbivotuar partnerët e shumicës.
Mirëpo, edhe kjo është kuptuar si një hapësirë demokratike. Dhe realisht kjo çon nganjëherë ndoshta edhe deri te zvarritjet e punës së kuvendit. Megjithatë ai funksionon më mirë se përpara, e kam fjalën se sa në legjislacionin e mëhershëm dhe në fillim të këtij legjislacioni, kur nuk punonte fare dhe bllokohej nga vetë partitë nacionale. Dihet se ne këshilltarët e PPD-së nuk diktojmë politikën e Koalicionit “Për Ulqinin Evropian”, por e plotësojmë atë në ato vendime të cilat shkojnë në favor të programit të partisë sonë dhe qytetarëve të Ulqinit.

Sa jeni të pavarur në punën tuaj apo ndoshta, në njëfarë mënyre, jeni të kushtëzuar nga partnerët e koalicionit që përbëjnë shumicën parlamentare, si dhe nga përpjekjet e mundshme që kuvendin ta mbajë dikush tjetër (grupim politik) në duart e veta?

M. Nika: E kuptoj shqetësimin tuaj dhe personalisht e çmoj si pyetje me vend. Kuvendi Komunal i Ulqinit që nga viti 1990 e këndej asnjëherë nuk ka pranuar që të zihet rob nga grupime politike. Ai ka pranuar madje të mos mblidhet fare, pra edhe të bllokohet në punën e tij, dhe nuk lejoi që të ishte marionetë e dikujt, dhe mendoj se kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Kuvendi është diçka e gjallë që lëviz, zhvillohet, kalitet dhe është vështirë të flitet për skena apo prapaskena. Ai ka shumë filtra, komisione dhe trupa punuese që as vetë kryesuesi i seancës nuk mund ta dijë qind për qind mënyrën e votimit gjatë marrjes së vendimeve. Por të gjithë politikanët duhet ta kuptojmë se koha po na mëson që të krijojmë hapësirë demokratike të ndërsjellë për të ardhur në shprehje edhe identitetet partiake programore.

A është duke i ushtruar të gjitha funksionet e veta të parapara me rregullore, statut dhe akte të tjera ligjore, Kuvendi i Komunës së Ulqinit?

M. Nika: Kuvendi Komunal i Ulqinit deri vonë e kishte të vështirë të ushtronte funksionin e vet të paraparë me rregullore, me statut dhe akte të tjera ligjore, sepse të gjitha këto mungonin. E kjo ndodhte ngaqë politikat nacionale që kishin pushtetin, në kuvend dëshironin që përmes statutit të Komunës të zgjidhnin statusin e komunës, kurse për rregullore nuk dëshironin të flisnin, sepse me atë ia ngushtonin hapësirën vetes për të debatuar në kuvend. Duket e çuditshme, por disa nene të statutit të Komunës së Ulqinit, i dhënë në miratim diku në vitin 1994, u hodhën poshtë nga Qeveria e Malit të Zi. Kjo shumicë ka nxjerrë statutin e ri i në pajtim me Kushtetutën dhe me dokumentet ndërkombëtare. Pavarësisht vështirësive mendoj se Kuvendi megjithatë është duke ushtruar funksionin e tij.
Punën e deritashme të paralamentit vendor, ndër të tjera, e kanë kareakterizuar mosefikasiteti i dëshiruar, pauzat dhe ndërprerjet e shpeshta, tensionet e panevojshme, fërkimet e ashpra, debatet nën nivelin e shijes së mirë dhe të etikës politike, fyerjet, madje edhe në planin personal, fjalori banal, etj.

Pse ndodh kjo dhe a mundeni Ju si kryesues i Kuvendit ta zbusni këtë lloj komunikimi midis këshilltarëve?

M. Nika: Është e vërtetë që etika e Kuvendit nuk kënaq. Sidomos shqetëson agresiviteti në të folur. Mirëpo mendoj që agresiviteti në dialog dhe komunikim në mes të këshilltarëve të pozitës dhe opozitës, të paktën deri më tani, ka qenë si rezultat i një mode të kuvendeve fqinje të cilët i shoqërojnë problemet e përmendura. Dhe kjo, thjesht bëhej për të kritikuar klubin e këshilltarëve të PPD-së, gjoja për “tradhëti kombëtare”, pasi që pranoi t`i bëjë shumicë në parlamentin vendor të Ulqinit partisë në pushtet të z. Gjukanoviq dhe UDSH-së. Mirëpo dua të them që ky ishte opsioni i vetëm i mundur, duke e ditur që ish partnerët e koalicionit të partive shqiptare, LD në MZ, Forca dhe BDSH, prishën marrëveshjen dhe nuk pranuan që të shkohej në zgjedhje të parakohshme, duke kujtuar që PPD do të viktimizohej dhe do të pranonte të mbivotohej nga partnerët e partive nacionale. Pa dyshim që kjo ishte një llogaritje e gabuar e tyre dhe mjerisht e humbën pushtetin, duke bërë ndaj nesh një masakër propagandistike në Kuvend me qëllim që t`i bindin zgjedhësit. Nga ana tjetër, ata harronin që krijonin koalicione nëpër komuna të tjera në Mal të Zi me parti serbe e proserbe me profil antidemokratik. Mendoj që konfliktet e kësaj natyre do të shterren dhe së shpejti do të fillojë një fazë e normalitetit ngase u hetua, të paktën në zgjedhjet e fundit parlamentare, që këta individë dhe parti nuk u përkrahën nga zgjedhësit. Ata që bënë më shumë zhurmë kaluan shumë më keq.
Madje përvoja e zgjedhjeve të fundit parlamentare tregoi që edhe në nivelin shtetëror, ato parti që ishin ekstreme përfundimisht u përshëndetën nga Parlamenti i Malit të Zi. Pra, kaloi koha e Vishnjiqëve, Sheshelëve e kështu me radhë. Gjykoj se vetvetiu do të fiket edhe ekstremi shqiptar në kuadër të institucioneve të kuvendeve. Unë gjithnjë kam vlerësuar se nuk është në interesin tim si kryesues i Kuvendit të Ulqinit ta disiplinoj atë me çdo kusht.

Shpesh dëgjohen zëra të këshilltarëve se nuk jeni të gjendje ta kontrolloni siç duhet punën e Kuvendit dhe iu akuzojnë se pikërisht Ju me komente, sipas tyre provokuese, jeni bërë pengesë e mbarëvajtjes së seancave të kuvendit.
Sa janë të vërteta këto vlerësime të pakicës parlamentare?

M. Nika: Për ata që janë mirë të informuar, këto akuza vijnë nga ata të cilëtMuhamet Nika_KRYETARI I KUVENDIT TE KOMUNES SE ULQINIT nuk mund të ballafaqohen me argumentin dhe nga ata të cilëve u mungon përvoja politike, janë të rinj dhe nuk e njohin historikun e problemeve të kuvendit. Përparësia ime në këtë moment është përvoja disavjeçare si këshilltar i Kuvendit, njohja e problemeve, e kjo bën që pala tjetër të mbesë pa argument. Unë jam i vetëdijshëm se duhet të dëgjoj edhe anën tjetër, por edhe të gjitha anët dhe mendoj se di si të dëgjoj. Por e gjithë kjo nuk mjafton po të mos dua të dëgjoj, po të mos kem dëshirë për të dëgjuar. Unë nuk jam njeri i varur dhe nuk kam nevojë për të tjerët që të arrij atë që dëshiroj. As nuk jam njeri i pavarur i cili e arrin atë që e dëshiron falë forcave të veta. Por, preferoj të jem njeri i ndërvarur, i koordinuar dhe i pashkapërderdhur, duke i kombinuar përpjekjet e mia me përpjekjet dhe dëshirat e të tjerëve, për të hedhur platforma të mëdha.
Mendoj me kokën time, duke ikur nga një nivel i ulët në një nivel më të lartë. Unë dhe tre këshilltarët e PPD-së nuk bëjmë “vetëm gjërat tona” pa bërë edhe “gjërat e të tjerëve”. E kjo si klub e parti, na imponon dashur a padashur, pozitat e liderizmit, pozitat e prijësit në Kuvend, të cilat shpesh herë janë të paparashikueshme dhe kjo ka bërë që te qytetarët nganjëherë PPD-ja të njihet si parti e tërmeteve, pra e paparashikueshme.
Më kënaq kur një pjesë e mirë e këshilltarëve kanë fituar siguri në propozimet dhe veprimet e klubit të PPD-së. Parlamenti që nga konstituimi po punon me mjaft vështirësi. Megjithatë
ka arritur të nxjerrë disa vendime të rëndësishme për qytetarët.

Cilat arritje do t`i veçonit dhe sa po zbatohen ato?

M. Nika: Dua të veçoj nxjerrjen e Statutit, Rregullores së Punës së Kuvendit, Planin e Përgjithshëm Urbanistik, studimet e lokacionit dhe disa dokumente që avancojnë kyçjen e sektorit joqeveritar në punën e kuvendit. Unë duke forcuar pozitën e sektorit civil, që është edhe obligim ligjor, tentoj të fitoj edhe një opozitë tjetër, pra të forcoj faktorin e tretë.

Qytetarët janë tepër të shqetësuar dhe të revoltuar për shumë çështje që duhet t`i zgjidhë Parlamenti, duke u nisur që nga ndarja e trojeve, dhënia në shfrytëzim të përkohshëm të tokës ndërtimore komunale, shpërdorimi i detyrës, korrupsioni, etj?

M. Nika: Kuvendi dhe unë personalisht e ndaj këtë shqetësim të qytetarëve dhe shpresoj që shumë shpejt të merremi edhe me këto probleme, kuptohet në kuadër të ligjit. Ndërkaq për pjesën e dytë të pyetjes që shtroni, Kuvendi ka pak hapësirë. Ai nuk është organ hetimi, mirëpo brenda Rregullores dhe Statutit të komunës do ta shikojmë edhe mundësinë e kontrollit të pushtetit.
Kjo përvojë ka filluar të paktën, ndoshta edhe në mënyrë declarative, edhe në Parlamentin shtetëror e që pritet që të vijë edhe te ne. Në disa pjesë të komunës, veçmas në Shtoj, janë tjetërsuar sipërfaqe të shumta toke edhe pse kuvendi, në mos gabohem, nuk ka sjellë asnjë vendim që toka t`i jepet dikujt.

Çfarë ka bërë dhe çfarë do të bëjë pushteti lokal që të parandalojë këtë masakër hapësinore?

M. Nika: Ekspropriimi, marrja me ligje revolucionare e tokës nga shqiptarët ka qenë problem edhe për banorët e Ulqinit. Është marrë tokë në të gjitha hapësirat. Mirëpo, me kalimin e kohës ka ndodhur demokratizimi i shoqërisë dhe shtetit. Pra, komunës iu desh që qytetarëve t`ua bëjë kompensimin sipas principit tokë për tokë. Mendoj se këtu u gabua qëllimisht, kur për shembull toka e marrë diku në Anë të Malit, pra në pjesën kontinentale të komunës ose brenda qytetit të Ulqinit, u ndërrua me tokën buzë detit në raport dy më një. Kjo bëri që një pjesë e hapësirës së Shtojit kaloi në pronësi të qytetarëve të komunës së Ulqinit, e të cilët nuk ishin intimisht të lidhur
për atë tokë ngase e kishin jetën e organizuar diku tjetër, kështu që e shitën një pjesë të saj.
Po ashtu edhe vendasit ua shitën sipërfaqe të konsiderueshme të tokës blerësve nga Serbia, Sanxhaku e Rusia, të cilët kanë mentalitet dhe rregulla të tjera. Kjo është duke ndodhur edhe me hapësirat e tjera në Ulqin. E kësaj është duke i kontribuar edhe vetë Qeveria e Malit të Zi e cila po tenton të valorizojë Valdanosin, Plazhin e Madh dhe Adën, pa pëlqimin e popullatës vendase.

Në Ulqin, deshëm apo s`deshëm ta pranojmë, mbretëron një situatë amullie dhe për fat të keq vazhdon të jetë kështu. Kur do të fillojë parlamenti të debatojë për afera që flitet të kenë ndodhur në pushtetin ekzekutiv dhe nuk janë zabrdhur sot e kësaj dite?

muhamet-nikaM. Nika: Për fat të keq, keni të drejtë. Krimi në komunën e Ulqinit ka mbetur i pandëshkuar që nga vitet ‘80 kur u asgjësua komplet dokumentacioni i kredive dhe i parave për tërmetin e vitit 1979, pra u dogj baraka e BVI-së. Mirëpo, po duket se ata të cilët ishin përgjegjës ose e dogjën barakën e BVI-së dhe dogjën edhe shumë dokumentacione të tjera në ndërmarrjet e tjera shtetërore, kanë qenë “komunistë” të mirë dhe “anti-iredentistë” e “antinacionalistë” që shteti nuk i ndiqte penalisht. Kjo praktikë pastaj vazhdoi me keqpërdorime të tjera, si ndarja e trojeve pa kriter, keqpërdorimi i parave të Bashkimit Evropian dedikuar familjeve që strehuan refugjatët nga Kosova e të tjera. Mendoj se integrimet evropiane që duhet të ndodhin vetvetiu do të prodhojnë mundësinë për respektimin e normave dhe standardeve ndërkombëtare.

A jeni optimist se Kuvendi Komunal i Ulqinit mund të vazhdojë punën me këtë përbërje të shumicës parlamentare deri në fund të mandatit apo mund të vijë deri te një rikompozim i ri i qeverisjes vendore, duke mos përjashtuar as zgjedhjet e parakohshme lokale?

M. Nika: Unë dhe dy këshilltarët e PPD-së, që bëjmë shumicën në këtë parlament, do të bëjmë përpjekje maksimale që parlamenti të mos bllokohet. Kurse rikompozimet e reja nuk do të ndodhin, sepse po të kishim dashur e kemi patur këtë mundësi në momentin kur PPD kërkoi zgjedhje të parakohshme në kuadër të koalicionit shqiptar. Zgjedhjet e parakohshme

Bisedoi: Gj. Gjonaj
Koha Javore