Në tetor pritet të fillojë ndërtimi i Urës së Port Milenës

August 17, 2009   | Lajmet / Vijesti

ndertimi i Ures së Port Milenes
Prezantohet projekti i urës së Port Milenës
Ulqin – Punimet për ndërtimin e Urës së Port Milenës pritet të fillojnë në muajin tetor, ka paralajmëruar Dushko Kokiq, këshilltar i pavarur pranë Drejtorisë së Komunikacionit, në prezantimin e këtij projekti të martën në Ulqin.
Ai ka thënë se deri më 15 shtator pritet të hapet tenderi për marrjen e ofertave për zgjedhjen e firmës që do të kryejë punimet, dhe pas 30-45 ditësh sa do të zgjasë procedura e tenderimit dhe zgjedhjes së zbatuesit të punimeve, deri në fund të muajit tetor mund të fillojnë punimet.
Ndërtimi i urës parashikohet të kushtojë 16-18 milionë euro dhe paratë për ndërtimin e saj janë siguruar.
“Një pjesë e parave janë siguruar nga Qeveria e Malit të Zi, kurse pjesa tjetër përmes kredisë nga Banka Evropiane për Investime”, ka sqaruar Kokiq.
Në bazë të projektit, Ura e Port Milenës parashikohet të jetë e gjatë 600 metra, nga të cilat 330 metra është vetëm ura, si dhe 50 metra pjesa e hapur e urës që lejon kalimin e mjeteve lundruese.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka thënë se pikërisht ndryshimi i projektit me qëllim përmirësimin e tij ka qenë arsyeja kryesore për shtyrjen e fillimit të punimeve për ndërtimin e urës.
“Vlera e investimit është pesë herë më e lartë sesa që është parashikuar me projektin që ne kemi gjetur kur kemi ardhur në pushtet. Po ashtu, lartësia e urës nga 2.5 metra sa ka qenë e parashikuar me projektin e mëparshëm është rritur në shtatë metra”, ka thënë ai.
Hajdinaga ka shpjeguar se ndërtimi i Urës së Port Milenës ka hyrë ndër katër projektet kapitale me prioritet të Qeverisë së Malit të Zi.
Ai ka thënë se e gëzon fakti që me ndërtimin e Urës do të valorizohet kjo zonë dhe se Port Milena edhe pas ndërtimit të urës do të jetë e lundrueshme.
Projekti për ndërtimin e Urës së Port Milenës është punuar nga Shtëpia Projektuese DB “Inxhinjering” nga Beogradi.
Përfaqësuesi i kësaj shtëpie, inxhinieri Dushko Bobera, i cili ka bërë prezantimin e projektit, ka sqaruar se ura nuk është shikuar si vepër e veçantë, por si pjesë përbërëse e zgjidhjes së ardhshme të tërë kompleksit.
Ai ka theksuar se ura do të jetë e përbërë nga dy pjesë, do të ketë katër korsi për makina, nga dy në secilin drejtim me gjerësi nga 3.5 metra, si dhe trotuare për këmbësorë në të dy anët me gjerësi nga dy metra.
Sipas tij, përkundër faktit se ura e re do të jetë e hapur, problem për lundrim paraqet ekzistenca e urës së vjetër si dhe fakti se thellësia e Port Milenës është vetëm 1.20-1.30 metra, e që sipas tij për të qenë i lundrueshëm duhet që kanali të thellohet.
Hartimi i projektit të Urës së Port Milenës është financuar nga Drejtoria e Komunikacionit, ndërsa ndërtimi i saj do të financohet nga Qeveria e Malit të Zi.

I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image