Ulqini ynë ka ndryshuar për të mirë

August 20, 2009   | Turizmi / Turizam

Plazhi i madhë UlqinGazeta shkruan: Shqiptarët u bashkuan…
1.
Fiks në orën 20.00 autobusi ynë lëshon peronin e Stacionit të Autobusëve dhe niset në drejtim të Ulqinit. Gati si përgjysmë, disa në drejtim të Durrësit e të tjerët për Ulqin. Jemi ndarë ne shqiptarët, por Deti Adriatik na bashkon! Rreth rrotull nga Lipjani se autostrada apo nuk me di se me çfarë emri ta quajë rrugën e filluar ka dy vite për Sllatinë! Punë shqiptarësh-fjalë boll e punë pak… Nejse, më në fund arritëm deri te aeroporti, por nuk dilet dot. Thonë se ka tollovi te Kryqi i Sllatinës, një aksident trafiku. Solla numrin e telefonit kujdestar të zëdhënës së Policisë së Kosovës (Violetës) edhe ajo  më tha “se nuk e di saktësisht se çfarë ka ngjarë”…Më tha se edhe vetë ka marrë rrugë për Pejë, por nga tollovia është kthyer! Enigma zgjidhet, një ndeshje dy patrulla të policisë që mezi kryenin punën e tyre dhe rrugëtimi deri në Pejë nga zgjat hiq më pak se 3 orë e fiu!
Kështu e ka kur shteti ynë i pavarur, demokratik, sovran me plot gojën “se ne jemi në rrugë të drejtë”.
Pse e lodhi unë sonte kokën për politikë kur ka kush merret me te, ka kush që ia ka futur shpinën dhe e mban mbi supe politikën dhe tërë Kosovën…

2.

Në kufirin me Malin e Zi, kufijve ndërshtetërorë po i vjen era Evropë, mund ta kapërcesh kufirin edhe me një vërtetim të parkingut të veturës në Prishtinë. Soll a je nisur për Ulqin, ku do të lësh ca para dhe një lëkurë nga dielli! Policia jonë korrekte, ajo malaziase po ashtu madje me një “sretno” drejtuar udhëtarëve!

3.

Ulqinakët janë transformuar, flasin shqipen dhe janë shumë më korrektë se para viteve të 90-ta. E keqja se disa “malësorë” ishin shndërruar në ulqinakë dhe një kafe nuk ta qesin më, nuk janë më ata krajnanët e krutnjanët e dikurshëm, kanë filluar të ulqinakizohen…
Ulqini ynë ka ndryshuar për të mirë. I mbushur plot turistë, por jo më “stranca” si dikur, por me të huaj. Edhe gjermanë, edhe holandezë, edhe rusë… E kur jemi te rusët ata kanë blerë hotelin “Otrant” kanë vënë rregull te dera, kanë hapur një pishinë e asgjë më shumë, ndërkaq që “bungallovat” e dikurshme janë si në kohën e Titos – të lëna pas dore…Plazhet janë blerë nga shqiptaro-amerikanët, çmimet e larta ama pushim i rahatshëm.

4.

Tash Ulqini ka filluar të ndryshojë për të mirë. S’ka më grumbuj të bërllokut nëpër plazhe, s’ka më kontejnerë të strëmbushur atyre rrugëve, ka polici të trafikut në çdo kënd të Plazhit të Madh dhe trafiku zhvillohet si sahat. Polici i cili një ditë erdhi për pak minuta deri në rërën e plazhit, sepse kishte humbur një fëmijë, një grua kishe hall me burrin e divorcuar dhe i bënte telashe edhe në plazh!
Mali i Zi, shtet i ri, por ku funksionon pushteti, shembull për të mirë.

5.

Në plazh dominojnë nga viset e ish-Jugosllavisë, sidomos boshnjakë nga Novi Pazari. Kosovarët në vendin e dytë. “Sivjet kemi zhvilluar propagandë kombëtaro- patriotike…të gjitha rrugët nga Kosova të shpijnë për Durrës e Velipojë”, më thotë një mesoburrë nga Prishtina, të cilin e njoha atë ditë vape në plazh.
Lajmet e jo lajmet! Në mes të plazhit të vijnë të gjitha gazetat shqipe që botohen në Kosovë. Me një ditë vonesë. I shpërndan Nadiri nga Tetova, rreth të 50-ve dhe një strajcë në krah. Bërtet dhe çirret, por nuk lodhet: “Gazeta shkruan: Kosova drejt BE-së”, gazeta shkruan:”Azem Vllasi e kandidon veten ambasador në Mal të Zi, por nuk është askush në listë”, gazeta shkruan: “Të gjithë shqiptarët janë të bashkuar!” Dhe kur e thotë këtë ulet dhe qesh me zë: “Jo, këtë lajm ende nuk e kam lexuar askush në gazeta, desha ta trillojë pak…’ qeshet Nadi, gazetashitësi. Pas pushimit Nadiri nga Tetova ik në drejtim të Shtojit. Këmbë 10 kilometra një drejtim…ka ardhur në Ulqin jo për të pushuar, por për ta nxjerrë ndonjë para për t’i mbajtur carrokët e vet diku në një fshat të Tetovës…

6.

Mbrëmjet në Ulqin. Në Plazhin e Vogël ka rënë intensiteti, atje shkojnë të rinjtë që këtë verë nuk dominonin. Në Plazh të Madh, në tri lokale ndërroheshin këngëtarët e estradës sonë që nga Sabri Fezjullahu, Meda, Ermali, Labinot Tahiri, Labi i 21-shit e për ta kallur e për t’ia qitur tymin Gjystja e për të përfunduar me Valamala e Stupcat. Tollovi, aksham pazar, 2 euro hyrja, 3.5 euro çdo pije, edhe uji i thartë…Këngë e piskamë, me shije e pa te, humor në disa raste i pakriter dhe i pakripë, tallava deri sa të pëlcet veshi. “Lamtumirë” na thonë secili nga këngëtarët “se nesër mbrëma jemi në Durrës, kthehemi prapë pasnesër te ju…” U ka rënë shi në kollomoç…
Kështu prezantohet “kultura shqiptare e Kosovës” në Ulqin. Ndërkaq që këtu çdo vit mbahen nga një e më shumë manifestime kulturore, por i thonë shqiptare por zakonisht ftuar janë nga Tirana, kurse Prishtina disa here është lënë pas dore! Ndoshta pa qëllim, nga harresa!!!

7.

E lëshojmë atë mbrëmje Ulqinin, në orën 18.00, disa autobusë nga Prishtina, Gjilani e tjerë. Tërë kohës na përcjell një veturë e policisë e sinjalizuar. Ishim të përcjellë, si eskortë ambasadorësh. Autoritetet malazeze thonë se këtë e bëjnë për shkaqe sigurie, sepse ka pasur raste kur janë hedhur gurë mbi autobusët me targa KS. Kjo përcjellje nuk më pëlqen fare! Bën një ndarje, nuk është siguri, përkundrazi në mua zgjon një habi dhe një pikëpyetje të madhe…Nuk e di sa kam të drejtë?
Kaq këtë herë nga Ulqini i shqiptarëve, e sa është i shqiptarëve këtë duhet ta shqyrtojnë pak më mirë strukturat politike shqiptare të Malit të Zi, që janë të përfaqësuara në Podgoricë.

Esad Dujaka
Kosova Sot

YouTube Preview Image

2