Kultura e turizmit e ulqinakëve është si dita me natën me atë të Shqipërisë

August 23, 2009   | Turizmi / Turizam

Zbritja e cmimeve ne ulqinNjë rrugëtim dhe pushim në Shqipëri me ndjenja të përziera

Si përherë, pjesa dërmuese e neve kosovarëve përkundër përjetimeve – në shumicën e rasteve të hidhura – për çdo vit pushimesh në Shqipëri, vitin tjetër fillojnë të mendojnë për alternativat e tjera, për atë se si nuk do t’i bëjnë pushimet në Shqipëri, por në momentin e fundit, pak para nisjes, e zgjedhin përsëri Shqipërinë. Të tillë ishim unë, shumë shokë dhe të afërm të mi që vendosëm spontanisht që edhe këtë vit ta merrnim rrugën për në bregdetin shqiptar. Sigurisht, për këtë ndikojnë një mori faktorësh, e ndër ta gjithmonë vendimtare është ndjenja atdhetare e patriotike. Kalova për dhjetë ditë pushimet në këtë tokë për të cilën shumë gjenerata kanë derdhur mund, djersë, besa edhe lot. Vizitat e viteve të kaluara ishin më mbresëlënëse dhe përveç që pata shkruar për to, edhe pata diskutuar me shoqërinë për përjetimet e mira. Por, kësaj here fatkeqësisht dhe pa dëshirë, më duhet të shprehem për përjetimet jo të mira. I gjithë ky shkrim përfshin përjetimet e mia, por edhe të një numri pushuesish dhe të afërmish me të cilët pata rastin të takohem atje, por edhe pas ardhjes në Kosovë. Ata që kanë fatin të pushojnë në Durrës, në shumicën e rasteve janë të mirëpritur vetëm nga një numër i vogël i vendasve dhe pronarëve tek të cilët vendosim të banojmë. Nga fqinjët tjerë të pronarit ku banonim, ne shiheshim më shumë si injorantë (kështu më quajti njëri prej banorëve të lagjes ku banoja unë, mua dhe kosovarët e mi), sepse prania jonë aty ishte “pengesë” në rrugën e lagjes ku banonim, veturat tona gjithmonë në parking e kishin “nxënë” rrugën.
Në dyqane dhe markete ne duhej të pritnim dhe të lironim rendin, sepse gjithmonë vendasit ishin me “nxitim”. Po ashtu, në pjesën dërmuese të dyqaneve dhe marketeve ku blenim ushqim, mallrave nuk iu figuronin fare çmimet, dhe automatikisht ti paguaje për një produkt të caktuar në bazë të asaj se si perceptoheshe në pamje nga ana e shitësit. Përveç se në këmbimore, njerëzit në rrugë kur ju konvertoni para, pa fije turpi përtojnë të të japin paratë e imta p.sh., 5, 10 e disa lekë. Në shëtitoren e plazhit, trotuari është i nxënë me drita ndriçuese në të cilat mund të thyesh duar e këmbë po të mos jesh i kujdesshëm. Nëse keni karrocë fëmijësh, e vetmja mundësi është të ecni rrugës kryesore ku në çdo moment jeni të rrezikuar nga vozitësit e çmendur vendas, por edhe nga pushuesit kosovarë. Mungesa e trupave shpëtimtare nëpër plazhe paraqet anomali të llojit më të keq. Papastërtia ekziston në shumicën e rasteve. Kundërmimi i barërave të cilat kur kalben lirojnë aromë të rëndë të plehrave, është prezent nëpër tërë gjatësinë e plazhit të Durrësit. Pra, i tërë investimi shumëmilionësh në plazh është pa vlerë kur trotuari që është më se i nevojshëm është i gjerë jo më shumë se 70 cm. Për ata që banonin në plazh dhe donin të bënin plazhin në Golem apo Malin e Robit, do të duhej që për të kaluar 7-10 km, të prisnin së paku 45 minuta. Arsyeja ishte se punimet në rrugë kishin filluar me fillimin e sezonit turistik. Çfarë anomalie! Lirisht mund të konstatohet se kemi të bëjmë me mungesën e kulturës mikpritëse, në këtë rast të Durrësit.

Disa vite me radhë kam frekuentuar qytetin e Ulqinit. Mund të jetë gjykim subjektiv, por kultura e turizmit që e kanë dhe ofrojnë ulqinakët është si dita me natën në krahasim me atë të Shqipërisë. Pritja e mirë, ushqimi kualitativ, rendi dhe rregulli urban e pastërtia e karakterizojnë qytetin e bukur të Ulqinit. Në Ulqin me fillimin e sezonit nuk mund të dëgjosh të paktën asnjë çekan, sepse në sezonin turistik kjo çështje është e ndaluar, por edhe e përcaktuar me ligj kombëtar dhe rregullore komunale.
Në Shqipëri nuk ka ndalim të punimeve si në ndërtim të lartë, po ashtu edhe në ndërtim të rrugëve. Prandaj “importimi” i kësaj kulture mikpritëse do të ishte e mirëseardhur për vëllezërit tanë nga Shqipëria. Të paktën të fillojnë të kuptojnë se sikurse ne që kemi interesin të pushojmë në Shqipëri, edhe ata kanë përfitime nga të gjithë pushuesit, veçanërisht nga kosovarët.

Prandaj, është koha e fundit që të fillojë epoka e turizmit modern në Shqipëri duke ofruar më të mirën e mundshme, sepse ekonomia e tregut të ndëshkon, kuptohet atëherë kur ti nuk punon për vetveten dhe për të krijuar kushte për të tjerët (për pushuesit). Askush, përfshirë edhe kosovarët, nuk kanë interesim për t’i harxhuar paratë në një vend ku të paktën nuk çmohesh si turist.

P.S.
Nuk arsyetohen sjelljet vagabonde të rinisë kosovare, nuk ka arsyetim për vozitjet e trenta në qytet, veçanërisht vozitjet pa kontroll të kosovarëve dhe bashkatdhetarëve tanë në autostradë, që mund të jenë fatale për qytetarët e pafajshëm. Nuk arsyetohen hedhjet e pampersave dhe pelenave të fëmijëve në ujë, e të tjera marifetllëqe të kosovarëve.

Isa Azemi
Gazeta Express

YouTube Preview Image