Kumtesë për opinion e degës së Lidhjes Demokratike në Mal të Zi

August 25, 2009   | Rajoni / Region

Lidhja Demokratike në Mal të ZiPërkrahje formimit të frontit të përbashkët për komunën e plotë
Tuz – Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Dega e Malësisë, në mbledhjen e mbajtur më 19 gusht 2009, shqyrtoi Projektligjin mbi organizimin territorial të Malit të Zi të cilin, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, e ka nxjerrë në debat publik dhe konstaton se Projektligji në fjalë definitivisht e privon trevën e Malësisë nga e drejta në vetëqeverisje lokale.
Të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit aktual dhe duke u bazuar në orientimet programore dhe angazhimet e vazhdueshme për themelimin e komunës së plotë të Malësisë, LD në MZ përkrahë aktivitetet të cilat, kohëve të fundit, po i ndërmerr pushteti lokal i Komunës Urbane të Tuzit, lidhur me propozimin e ndryshimeve në Projektligjin mbi Organizimin Territorial të Malit të Zi, me çka po tentohet të sigurohet ndryshimi i statusit të Komunës Urbane të Tuzit, në komunë të plotë.
Duke vlerësuar se duhet një front më i gjerë seçparaqet shumica që përbën Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit, LD në MZ përkrahë aktivitetet në terren, për formimin e një fronti të përbashkët, të përbërë nga forcat politike dhe strukturat civile joqeveritare, këtu e në diasporë, në mënyrë që kjo kërkesë, e mbështetur nga një numër më i madh subjektesh, të jetë sa më e plotë dhe më relevante. Lidhur me këtë, LD fton të gjitha subjektet e tjera që të prononcohen lidhur me këtë aktivitet dhe mundësisht të bëhen pjesë e këtij projekti, duke i lënë anash të gjitha zënkat eventuale dhe inatet politike, të cilat mund të kenë për pasojë lëshimin e një rasti të veçantë, rasti kur Mali i Zi ka obligim të përmbushë standardet edhe nga lëmi i decentrailizimit të pushtetit edhe nga lëmi i të të drejtave të pakicave. Dihet se integrimet europiane kërkojnë plotësimin e disa kushteve, për të cilat Mali i Zi ende po mbahet i shurdhër. Ai do të vazhdojë të mbahet si i tillë, po qe se ne e lejojmë, po qe se ne heshtim.
Në këtë drejtim, klubi i këshilltarëve të kësaj partie në Kuvendin e KU të Tuzit do të kërkojë nga partnerët e vet që së bashku të inicojnë, kurse Kuvendi të miratojë, një rezolutë mbi komunën e plotë. Për aq më tepër kur grupi i ekspertëve vetëm ka hartuar elaboratin, me të cilin definitivisht dëshmohet aftësia fiskale e komunës së plotë të Tuzit, me të cilin parashihen të ardhurat prej afro katër milonë euro, me çka hidhet poshtë argumentimi qesharak i pushtetarëve për të privuar Malësinë nga e drejta në vetëqeverisje lokale me pretekstin e mungesës së resurseve. As ata vetë tashmë nuk u besojnë pohimeve të veta se një komunë e tillë nuk do të mund të mbijetonte, por tentojnë që mungesën e vullnetit politk ta arsyetojnë me mungesën e resurseve të cilat i vëren çdo kalimtar i rastit.
Çështja e Komunës së Tuzit është çështje jetike për banorët e saj, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, konfesionale apo politike, sepse administrata më kualitative që garanton zhvillim të plotë dhe perspektivë, për çka edhe themelohen njësitë e pushtetit lokal, është interes i të gjithëve. Këtë e vërteton edhe neni 18 i Projektligjit i cili thotë se “ndryshimi territorial bëhet me qëllim të stimulimit të zhvillimit ekonomik dhe të ofrimit të nivelit më të lartë të shërbimeve popullatës lokale…”, andaj shtrohet pyetja se cila është arsyeja që Tuzit t’i mohohet e drejta në zhvillim, e drejta në administratë më efikase dhe shërbime më kualitative qytetarëve. Kjo nuk mund të arsyetohet me asnjë aspiratë personale dhe popullata lokale nuk guxon të mbahet më peng e atij gjysmë milioni euro, që Podgorica e shpenzon në vit, në Tuz, duke tentuar të na e shesë atë për katër milionët e projektuar. Kuptohet se pushteti në Podgoricë është mësuar që për nevojat e politikës së ditës, të publikojë shifra milionëshe për projekte zhvillimore në Malësi, por tashmë nuk ka ndonjë qytetar të Malësisë që nuk e sheh se ato janë vetëm shkronja në letër.
Sa i përket territorit, komuna e Tuzit përfshin krejt territorin e Malësisë, asnjë pëllëmbë më shumë, por as më pak, dhe kjo nuk ka nevojë të iritojë askënd, për aq më pak, fqinjët e Malësisë, të cilët e dinë fare mirë se asnjëherë gjatë historisë, ne nuk kemi pasur pretendime territoriale ndaj askujt. Të tjerët i kanë pasur dhe i kanë realizuar, shpesh në dëmin tonë!
Lidhja Demokratike në Mal të Zi do të vazhdojë të mbetet besnike ndaj qëndrimeve të veta lidhur me komunën e plotë dhe do të angazhohet deri në realizimin e saj dhe, në përputhje me zhvillimet demokratike, do të angazhohet në decentralizimin e pushtetit dhe kthimin e ingerencave vetë qeverisjes lokale, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrojë shërbimet dhe të sigurojë që ato të jenë sa më kualitative. Komuna e plotë, si të gjitha komunat e tjera në Mal të Zi, mbetet interes primar i LD në MZ, pasi që kjo është e ardhmja e vetme që premton perspektivë për trevën e Malësisë dhe banorët e saj.
Përndryshe, përvoja e deritashme në funksionimin e zgjidhjes aktuale të të ashtuquajturës komunë urbane, i ka dëshmuar të gjitha vërejtjet tona se zgjidhja e ofruar as për së afërmi nuk i përmbush nevojat dhe interesat e qytetarëve në realizimin e kërkesave të tyre që, si qytetarë, t’i realizojnë ato si të gjithë qytetarët e tjerë. Prandaj, kësaj radhe as nuk u morëm me projektin eksperimental, por të dështuar, të quajtur Komunë Urbane.
Qytetarët e Malësisë duhet të kenë pjesë në demokraci, të drejtë në drejtësi, të drejtë në barazi, e së këndejmi edhe të drejtë në vetëqeverisje të plotë lokale. Në këtë drejtim presim përkrahjen e faktorit ndërkombëtar e sidomos të shtetit amë.

Tuz :19 gusht 2009
Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Dega e Malësisë