Fatmir Limaj në Mal të Zi u prit nga homologu i tij Llopmar

August 28, 2009   | Shtypi / Mediji

Limaj_llomparPritet intensifikim i bashkëpunimit në lëmin e infrastrukturës rrugore
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj dhe homologu i tij malazias, Andria Llompar kanë thënë se në kuadër të marrëdhënieve të mira, Kosova dhe Mali i Zi do të intensifikojnë bashkëpunimin për çështjet me interes të përbashkët, sidomos në lëmin e infrastrukturës rrugore, transportit hekurudhor si dhe aviacionit civil.
Ministri i TPTP të Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj gjatë vizitës së tij të parë si delegacion i Qeverisë së Kosovës në Mal të Zi është pritur miqësisht në qytetin bregdetar në Budvë, nga ministri i Transportit të Malit të Zi, Andria Llompar.
Në këtë rast, ministri Limaj ka thënë se në kuadër të marrëdhënieve të mira, Kosova dhe Mali i Zi shpejt do të krijojnë edhe komisione ndërshtetërore, të cilat kanë për qëllim identifikimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Limaj: S’kemi asnjë pengesë për të bashkëpunuar

“Kemi pasur një zhvillim të bisedimeve jashtëzakonisht të frytshme në interes të dy vendeve tona. Ne biseduam për shumë çështje dhe u tha që s’kemi asnjë pengese për të bashkëpunuar dhe për të zgjeruar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Malit të Zi. U pajtuam që të ngrisim komisionin siç tha edhe ministri në nivel shtetëror për projektet tona të përbashkëta”, ka thënë Limaj.
Pas zhvillimit të takimit, ministri Limaj ka thënë se është parë si e domosdoshme që të punohet në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, pasi kështu bëhet një lidhje më e mirë mes vendeve si në komunikim ashtu edhe në zhvillimin ekonomik.
Ndër të tjera, Limaj pohoi se me ftesë të tij shumë shpejt ministri Llompar do të vizitojë Kosovën dhe gjatë kësaj vizite pritet edhe të nënshkruhen memorandume bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive për sektorët e biseduar.

Limaj: Hapet një faqe e re e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Malit të Zi

“Kemi biseduar për projekte infrastrukturore, projekte te aviacionit civil me qëllim që komunikimi mes Kosovës dhe Malit të Zi të bëhet sa më i lehtë për qytetarët e dy vendeve tona dhe për ekonominë e vendeve tona, dhe nga krejt biseda rrjedhi te krijimi i një komisioni të përbashkët ndërshtetëror që do të bëhet në Prishtinë dhe presim nënshkrimin e një marrëveshje. Unë e kam ftuar ministrin që të vizitoj Prishtinën për të bërë një marrëveshje të tillë dhe presim shumë shpejt që ministri të vij në Kosovë dhe të konkretizojmë një marrëveshje të tillë. Do të thotë hapet një faqe e re e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Malit të Zi, edhe një herë ju falënderoj për mikpritjen”, është shprehur Limaj.
Nga ana tjetër edhe ministri i Transportit të Malit të Zi, Andria Llampar shprehu gatishmërinë e tij për ngritjen e bashkëpunimit, dhe tha se është e nevojshme për t’u formuar një komision i përzier, sepse kështu bëhet më lehtë shqyrtimi i projekteve të rëndësishme strategjike.

Llampar: Ekziston potencial i madh për bashkëpunim të mëtejmë

“Jam i kënaqur që jemi takuar me zotin Fatmir Limaj. Ne kemi konstatuar se ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ekziston një bashkëpunim i mirë dhe se nuk ka ndonjë problem të pazgjidhur. Po ashtu, kemi konstatuar se ekziston një potencial i madh për bashkëpunimin e mëtejmë. Jemi pajtuar për formimin e një komisioni të përzier, i cili do të takohet së shpejti në Prishtinë dhe të shqyrtojë projektet më të rëndësishme strategjike”, tha Llampar.
Llampar ka shtuar se Kosova dhe Mali i Zi do të intensifikojnë bashkëpunimin për çështjet me interes të përbashkët, sidomos në lëmin e infrastrukturës rrugore, transportit hekurudhor si dhe aviacionit civil.
“Kemi biseduar edhe për bashkëpunimin në aviacionin civil ajror, ku jemi pajtuar se ekziston një hapësirë e caktuar, e cila mund të zhvillohet edhe më tej dhe në fund, komisioni i përzier, për të cilin jemi pajtuar që shumë shpejt do të formohet, në listën e prioriteteve ka zhvillimin e komunikacionit të Kosovës dhe Malit të Zi dhe mendojmë se një pjesë e këtyre prioriteteve është interesante për gjithë rajonin, ashtu që përmes institucioneve financiare do të drejtohemi me projekte të përbashkëta. Jam jashtëzakonisht i lumtur që ka ardhur deri te takimi i sotëm, ku kemi identifikuar gjendjen ekzistuese dhe po ashtu bashkëpunimin në të ardhmen në fushën e komunikacionit”, është shprehur Llampar.
Ndryshe, kjo është vizita e parë e ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj në Mal të Zi. Dihet se Podgorica zyrtare e ka njohur pavarësisë e vendit tonë, por ende nuk janë ndërtuar raportet diplomatike mes Kosovës dhe Malit të Zi. Pritet që intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës rrugore të sjell edhe rritjen e raporteve ndërshtetërore në fusha tjera.

Kosova Press

http://video.kosovapress.com/repository/videos/limaj_lopar_280809.flv