Shqiptarët e Malit të Zi, thirrje Tiranës: Duam ndihmë!

August 28, 2009   | Rajoni / Region

shqiptaret-ne-mal-te-ziShqiptarët e Tuzit në Mal të Zi kërkojnë shpalljen e Tuzit komunë më vete, për të mos qenë më nën varësinë e Podgoricës, për të mbrojtur autoritetin e shqiptarëve në këtë vend. Për këtë ata u kanë bërë thirrje qeveritarëve në Tiranë, duke kërkuar mbështetjen e tyre. “Tirana zyrtare duhet të jetë më e vëmendshme ndaj çështjes shqiptare”, tha kreu i komunës së Tuzit në Malin e zi, Smajl Çunmulaj.
Deklarata e tij vjen menjëherë pas projekt-ligjit të miratuar nga qeveria malazeze, i cili i heq të drejtën Komunës së Tuzit që të jetë një komunë më vete, duke e lënë atë si lagje të Podgoricës, kryeqytetit malazez, duke bërë ndarje të fshatrave shqiptare dhe duke i zëvendësuar toponimet shqiptare me sllave. Çunmulaj ka kërkuar që Tirana të kthejë sytë edhe nga shqiptarët e Malit të Zi.
“Tashmë vëmendja e qeverisë së Tiranës duhet të kthehet edhe nga shqiptarët e Malit te zi, e kryesisht ato të Tuzit, të cilët shohin një rreze shprese për zgjidhjen e problemit të tyre gjysmë shekullor, tek diplomacia shqiptare e udhëhequr nga Tirana zyrtare pasi, as shkresat, letrat apo protestat e banorëve të Tuzit, nuk kanë dhënë efektin e duhur që qeveria malazeze të njohë mëvetësinë e Komunës autonome të Tuzit”, theksoi Çunmulaj.
Duke kujtuar Kosovën, e cila e arriti pavarësinë e saj pas shumë mundimesh, Cunmulaj tha se shqiptarët e Malit te Zi dhe Maqedonisë kanë nevojë për mbështetjen e qeverisë shqiptare tashmë pjesë e Aleancës së Madhe të NATO-s.
Çështja e shqiptarëve të Tuzit në Malin e Zi njihet në hapësirën mbarëkombëtare.
Arrestimi i 11 shqiptarëve nga policia malazeze për akte terroriste shkaktoi jo pak probleme dhe protesta nga shqiptarët e Malit të Zi për të drejtat e tyre. 11 personat u burgosën në fillim të shtatorit 2006, pas një operacioni të forcave speciale të Podgoricës, që u cilësua si shumë i dhunshëm nga banorët e zonës të Tuzit, të cilët publikisht akuzuan policinë e asaj kohe për dhunë ndaj familjeve.
Reagimi i fundit i politikës shqiptare të Tuzit ka ardhur pasi qeveria malazeze ka hartuar projektligjin e ri për ndarjen e re territoriale të njësive administrative të saj. Në këtë projektligj nuk është parashikuar dhënia e statusit Komunë për Tuzin, duke e lënë kështu në statusin e mëparshëm si komune urbane e varur nga Podgorica.
Cunmulaj, përmes një deklarate për shtyp, e ka denoncuar këtë vendim të qeverise malazeze si dhe projektligjin që nuk parashikon për Tuzin statusin komune me të drejta të plota. Ndërkohë që statusin si komunë më vete, Tuzi e gëzonte deri ne vitin 1957.
Tuzi aktualisht ka 12 mijë banorë me shumicë dërrmuese të popullsisë shqiptare dhe prej kohësh drejtuesit politikë të kësaj komune kërkojnë dhënien e statusit të komunës së pavarur. Fshatrat e kësaj komune, ku pjesa më e madhe banohet nga shqiptarë, në bazë të këtij projektligji të ri rrezikojnë t’i hiqen kësaj komune, dhe për Cunmulajn kjo është një prapaskenë e politikës sllave për të zbehur influencën e shqiptarëve në këtë zonë.
Çunmulaj nuk ka harruar të përmendë edhe problemin e toponimeve të disa fshatrave, ku parashikohet emërtimi i tyre me emra serbe. Kreu i komunës ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë në këtë kërkesë të shqiptarëve të Tuzit, për statusin e komunës së pavarur nga Podgorica si dhe mbrojtjen e territorit të kësaj njësie administrative.
Ai ka deklaruar se në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, në këtë zonë do të organizohen edhe protesta dhe do të ndiqen të gjitha rrugët paqësore dhe demokratike. Mali i Zi ka përcaktuar si komuna dhe zona që kanë shumë më pak numër popullsie se Tuzi, ku numërohen rreth 21 komuna të tilla. Ndaj politikanë shqiptarë në Mal të Zi e quajnë plotësisht politik veprimin e qeverisë së Malit të Zi, të cilët tentojnë të zvogëlojnë influencën shqiptare në Mal të Zi.

Ridvan Dibra
Gazeta Panorama

YouTube Preview Image
3